Ora e mesme
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E HËNË
Ora e mesme
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Himni
Ora e tretë
Ja po vjen ora e tretë,
kur Krishti i ngjitet kryqit;
për keq mos të shkojë mendja,
të shtojë dashurinë e lutjes.
Kush e merr në zemër Krishtin,
fiton ndjenja frytdhënëse,
me kushte të zellshme bëhet
i përshtatshëm për Shpirtin Shenjt.
Kjo është ora që i dha fundin
letargjisë së krimit t’egër,
nga kjo fill kohë të lume
nisën nga hiri i Krishtit.
Jezus, që ndër të gjithë shekujt
shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
Ora e gjashtë
Eni, o ju skllevër, që luteni,
me mendje e gojë madhëroni
emrin e lumë të Hyjit
me këngë e lavde të denja.
Sepse kjo është koha,
kur me vendim të padrejtë
ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
gjykatësin e të gjithë shekujve.
E shtyrë nga dashuria,
nga frika e drejtë të nënshtruar,
kundër të gjitha sulmeve
që na shtie armiku i egër.
Të vetmin Zot ta adhurojmë,
Hyjin Atë e Birin e tij
së bashku me Shpirtin Shenjt,
një Zot të vetëm në Trini. Amen.
Ora e nëntë
Kjo është ora, që shkëlqeu
edhe hoqi retë nga kryqi,
botës duke i zhveshur terrin,
i dha dritat e kthjellëta.
Kjo orë që duke i ngjallur
Jezusi prej varresh trupat,
me shpirt të gjerë u dha urdhër
të kthehen në jetë pas vdekjes.
Zgjidhur ligjet e vdekjes
besojmë shekuj të përtërirë,
ndjekin rrjedhë të përjetshme
dhuntitë e jetës së lume.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mposhtje të vdekjes,
bashkë me Atin dhe me Shpirtin
në gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Në njërën prej tri orëve thuhen psalmet që vijojnë:
Ant. Krishti u ngjall prej të vdekurve, dhe jeton në jetën e pavdekshme, aleluja.
Psalmi 8 (2-10)
O Zot, Zoti ynë, †
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! *
Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!
Prej gojës së ferishteve e të foshnjave †
lavdinë e bëre gati kundër armiqve *
që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.
Kur e sodis qiellin - veprën e gishtave të tu, *
hënën e yjet që ti i vendose,
çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, *
biri i Adamit që të përkujdesesh për të?
E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, *
e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,
i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. *
Gjithçka vure nën këmbët e tij:
delet e kafshët të gjitha, *
për më tepër edhe egërsirat e fushës,
shpendët e ajrit dhe peshqit e detit, *
të gjitha që përshkojnë udhët e detit!
O Zot, Zoti ynë, *
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Krishti u ngjall prej të vdekurve, dhe jeton në jetën e pavdekshme, aleluja.
Ant. Krishti, i dorëzuar në vdekje për mëkatet tona, u ringjall, që të na bëjë të drejtë, aleluja.
Psalmi 19 /18 A/ (2-7)
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
kupa qiellore kumton veprat e duarve të tij!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
po as zë që do të mund të dëgjohet,
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
thua vigani pash më pash i bie sheshit!
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
udha e tij kapet në skajin tjetër, *
asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Krishti, i dorëzuar në vdekje për mëkatet tona, u ringjall, që të na bëjë të drejtë, aleluja.
Ant. Ju u ringjallët së bashku me Krishtin: kërkoni gjërat që vijnë prej së larti, aleluja.
Psalmi 19 /18 B/ (8-13. 15)
I përsosur është Ligji i Zotit, *
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit, *
të miturve u jep dijen.
Urdhërimet e Zotit janë të drejta, *
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë, *
dritë u jep syve.
E panjollë është frika e Zotit, *
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta, *
të gjitha njënjë të drejta.
Më të çmueshme se ari, *
se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti, *
se hoja që rrjedh mjaltë.
Shërbëtori yt me kujdes i mëson: *
t’i mbash ato është fitesë e madhe.
Porse kush i heton gabimet? *
Më pastro, o Zot, prej mëkateve të fshehta,
Të pëlqefshin, o Zot, *
fjalët e gojës sime,
edhe mendimi i zemrës sime para teje, *
o Zot, Ndihmësi im e Shëlbuesi im!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ju u ringjallët së bashku me Krishtin: kërkoni gjërat që vijnë prej së larti, aleluja.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Krh. Zb 1, 17c-18
E pashë Birin e njeriut i cili më tha: “Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Sprasmi, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës!”
D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:
C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Kol 2, 9. 10a. 12
Dhe, pasi në Krishtin banon trupërisht e tërë plotësia hyjnore, kështu edhe ju jeni të mbushur me anë të Tij.
Të varrosur bashkë me Të në pagëzim, bashkë me Të edhe u ngjallët në saje të fesë, me të cilën besuat në fuqinë e Hyjit që e ngjalli nga të vdekurit.
D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:
C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër 2 Tim 2, 8. 11
Kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit dhe trungu i Davidit sipas Ungjillit që unë predikoj. E vërtetë është kjo fjalë: Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë.
D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:
C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.
Lutja
O Hyj, ti gjithmonë e rrit Kishën tënde duke i dhuruar asaj me anë të pagëzimit fëmijë të rinj bëj që besimtarët e tu t’i jenë gjithë jetën besnikë sakramentit që me fe të gjallë e morën. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.