Ora e mesme

TETËDITËSHI I PASHKËVE – E MARTË

 

Ora e mesme

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Himni

 

Ora e tretë

 

   Ja po vjen ora e tretë,

   kur Krishti i ngjitet kryqit;

   për keq mos të shkojë mendja,

   të shtojë dashurinë e lutjes.

 

   Kush e merr në zemër Krishtin,

   fiton ndjenja frytdhënëse,

   me kushte të zellshme bëhet

   i përshtatshëm për Shpirtin Shenjt.

 

   Kjo është ora që i dha fundin

   letargjisë së krimit t’egër,

   nga kjo fill kohë të lume

   nisën nga hiri i Krishtit.

 

   Jezus, që ndër të gjithë shekujt

   shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Eni, o ju skllevër, që luteni,

   me mendje e gojë madhëroni

   emrin e lumë të Hyjit

   me këngë e lavde të denja.

 

   Sepse kjo është koha,

   kur me vendim të padrejtë

   ia dorëzoi vdekjes së njerëzve

   gjykatësin e të gjithë shekujve.

 

   E shtyrë nga dashuria,

   nga frika e drejtë të nënshtruar,

   kundër të gjitha sulmeve

   që na shtie armiku i egër.

 

   Të vetmin Zot ta adhurojmë,

   Hyjin Atë e Birin e tij

   së bashku me Shpirtin Shenjt,

   një Zot të vetëm në Trini. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Kjo është ora, që shkëlqeu

   edhe hoqi retë nga kryqi,

   botës duke i zhveshur terrin,

   i dha dritat e kthjellëta.

 

   Kjo orë që duke i ngjallur

   Jezusi prej varresh trupat,

   me shpirt të gjerë u dha urdhër

   të kthehen në jetë pas vdekjes.

 

   Zgjidhur ligjet e vdekjes

   besojmë shekuj të përtërirë,

   ndjekin rrjedhë të përjetshme

   dhuntitë e jetës së lume.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mposhtje të vdekjes,

   bashkë me Atin dhe me Shpirtin

   në gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Në njërën prej tri orëve thuhen psalmet që vijojnë:

 

Ant. Krishti u ngjall prej të vdekurve, dhe jeton në jetën e pavdekshme, aleluja.

 

   Psalmi 119 /118/ I (1-8)

 

Lum njeriu me sjellje të pastër, *

   që ecën në Ligjin e Zotit!

Lum kush i mban dëshmitë e tij, *

   që e kërkon me gjithë zemër.

 

Sepse ai nuk vepron keq, *

   por ecën udhëve të tij.

Ti i shpalle urdhërimet e tua *

   që të mbahen përpikërisht.

Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia *

   për t’i zbatuar rregulloret e tua!

Atëherë s’do të skuqem *

   nëse do t’i mbaj urdhërimet e tua.

 

Do të të lavdëroj në pastrinë e zemrës, *

   i mësuar ndër gjyqet e drejtësisë sate.

Unë do t’i zbatoj rregulloret e tua, *

   por ti askurrë mos hiq dorë prej meje!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Krishti u ngjall prej të vdekurve, dhe jeton në jetën e pavdekshme, aleluja.

 

Ant. Krishti, i dorëzuar në vdekje për mëkatet tona, u ringjall, që të na bëjë të drejtë, aleluja.

 

   Psalmi 16 /15/ (1-11)

 

Më ruaj, o Hyj, *

   sepse të kam rënë ndore!

I thashë Zotit: »Ti je Zoti im, *

   tjetër të mirë nuk kam veç teje!«

 

Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë, *

   po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!

 

I shumojnë të zezat e veta *

   ata që shkojnë pas zotave të huaj.

Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash, *

   buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.

 

Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, *

   në dorën tënde është fati im!

Shorti më ra në më të mirën tokë: *

   pjesa e trashëgimit tim tesve më pëlqen!

E bekoj Zotin që më dha kuptim, *

   edhe natën veshkat e mia më mësojnë.

Zotin e kam gjithmonë para sysh, *

   më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!

 

Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, *

   mbarë trupi im pushon në qetësi.

 

S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, *

   as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhé.

 

Ti do të ma tregosh udhën e jetës, †

   gëzimin e plotë para fytyrës sate, *

   Kënaqësinë e amshueshme në të djathtën tënde.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Krishti, i dorëzuar në vdekje për mëkatet tona, u ringjall, që të na bëjë të drejtë, aleluja.

 

Ant. Ju u ringjallët së bashku me Krishtin: kërkoni gjërat që vijnë prej së larti, aleluja.

 

   Psalmi 23 /22/ (1-6)

 

Zoti është bariu im, *

   asgjë nuk më mungon.

Më mballon kullotave të gjelbra,

   më prin në ujëra të qeta, *

   shpirtin ma përtërin.

 

Ai më prin shtigjeve të drejta *

   në saje të dashurisë së Emrit të vet.

 

Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, †

   s’trembem nga e keqja *

   sepse ti je me mua:

 

thupra jote dhe kërraba *

   për mua janë ngushëllim.

 

Ti ma shtron tryezën përpara *

   ndër sy të armiqve të mi,

me vaj erëmirë kryet ma lyen, *

   gotën ma mbush plot e përplot.

 

Hiri dhe mirësia do të më përcjellin *

   në të gjitha ditët e jetës sime,

do të banoj në shtëpinë e Zotit *

   derisa të jem gjallë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ju u ringjallët së bashku me Krishtin: kërkoni gjërat që vijnë prej së larti, aleluja.

 

Në orët tjera përdoren Psalmet plotësuese.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Krh. Vap 4, 11-12

 

   Jezusi është 'guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit,' e vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi. Sepse, për të vërtetë, s'ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qiellore që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi.

 

   D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:

   C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Krh. 1 Pjt 3, 21-22a

 

   Pagëzimi që tani ju shëlbon: ky nuk është pastrim ndyrësie të trupit, por uratë e drejtuar Hyjit - për ndërgjegje të pastër, nëpër ngjalljen e Jezu Krishtit, që, i ngritur në qiell, rri në të djathtën e Hyjit.

 

   D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:

   C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Kol 3, 1-2

 

   Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit! Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë!

 

   D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:

   C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti me sakramentet e Pashkëve na e dhe shëlbimin, vazhdoje gjithnjë veprën e hirit tënd: që populli yt ta fitojë lirinë e përsosur dhe t’ia arrijë në qiell gëzimit e që tani na bëj ta sprovojmë me gëzimin e festës së Pashkëve. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.