Ora e mesme
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E mërkurë
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Himni
Ora e tretë
Ja po vjen ora e tretë,
kur Krishti i ngjitet kryqit;
për keq mos të shkojë mendja,
të shtojë dashurinë e lutjes.
Kush e merr në zemër Krishtin,
fiton ndjenja frytdhënëse,
me kushte të zellshme bëhet
i përshtatshëm për Shpirtin Shenjt.
Kjo është ora që i dha fundin
letargjisë së krimit t’egër,
nga kjo fill kohë të lume
nisën nga hiri i Krishtit.
Jezus, që ndër të gjithë shekujt
shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
Ora e gjashtë
Eni, o ju skllevër, që luteni,
me mendje e gojë madhëroni
emrin e lumë të Hyjit
me këngë e lavde të denja.
Sepse kjo është koha,
kur me vendim të padrejtë
ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
gjykatësin e të gjithë shekujve.
E shtyrë nga dashuria,
nga frika e drejtë të nënshtruar,
kundër të gjitha sulmeve
që na shtie armiku i egër.
Të vetmin Zot ta adhurojmë,
Hyjin Atë e Birin e tij
së bashku me Shpirtin Shenjt,
një Zot të vetëm në Trini. Amen.
Ora e nëntë
Kjo është ora, që shkëlqeu
edhe hoqi retë nga kryqi,
botës duke i zhveshur terrin,
i dha dritat e kthjellëta.
Kjo orë që duke i ngjallur
Jezusi prej varresh trupat,
me shpirt të gjerë u dha urdhër
të kthehen në jetë pas vdekjes.
Zgjidhur ligjet e vdekjes
besojmë shekuj të përtërirë,
ndjekin rrjedhë të përjetshme
dhuntitë e jetës së lume.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mposhtje të vdekjes,
bashkë me Atin dhe me Shpirtin
në gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Në njërën prej tri orëve thuhen psalmet që vijojnë:
Ant. Krishti u ngjall prej të vdekurve, dhe jeton në jetën e pavdekshme, aleluja.
Psalmi 119 /118/ II (9-16)
Si do ta ruajë të pastër djaloshi udhën e vet? *
Duke i zbatuar fjalët e tua.
Të kërkoj me gjithë fuqinë e shpirtit tim: *
mos lejo t’u shmangem urdhërimeve të tua.
Fjalët e tua i fsheha në zemrën time, *
që të mos gaboj kundër teje.
I bekuar je, o Zot, *
ma mëso vullnesën tënde.
Me buzët e mia i shpall një nga një *
të gjitha gjyqet e gojës sate.
Më shumë i gëzohem udhës së dëshmive të tua *
se pasurisë tejet të madhe.
Do të ushtrohem në urdhërimet e tua, *
do t’i kujtoj udhët e tua.
Do të kënaqem në rregulloret e tua, *
s’do ta harroj fjalën tënde.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Krishti u ngjall prej të vdekurve, dhe jeton në jetën e pavdekshme, aleluja.
Ant. Krishti, i dorëzuar në vdekje për mëkatet tona, u ringjall, që të na bëjë të drejtë, aleluja.
Psalmi 28 /27/ (1-3. 6-9)
Të thërras në ndihmë, o Zot, *
Hyji im, mos rri shurdh ndaj meje,
sepse po ndenje shurdh ndaj meje *
do të bëhem si ata që zbresin në varr.
Dëgjoje zërin e lutjes sime *
kur me afsh të thërras në ndihmë,
kur i ngre duart e mia *
në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
Mos më merr me mëkatarë *
e me ata që bëjnë të keqen:
flasin për paqe me të afërmit e vet, *
kurse në zemër përbluajnë të keqen.
Qoftë bekuar Zoti *
që e dëgjoi zërin e lutjes sime.
Zoti është ndihma ime, mbrojtësi im, †
në të shpreson shpirti im dhe gjeta ndihmë: *
zemra më gëzohet e me këngën time e falënderoj.
Zoti është fuqia e popullit të vet, *
kështjellë shpëtimi për të shuguruarin e vet.
Shpëtoje popullin tënd e bekoje trashëgimin tënd: *
priju e ngriji deri në amshim!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Krishti, i dorëzuar në vdekje për mëkatet tona, u ringjall, që të na bëjë të drejtë, aleluja.
Ant. Ju u ringjallët së bashku me Krishtin: kërkoni gjërat që vijnë prej së larti, aleluja.
Psalmi 116 /115/
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *
»Jam i pafat për së tepërmi!«.
Në hutimin tim kam thënë: *
»Rrenacak është çdo njeri!«
Si do t’ia shpërblej Zotit *
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngre gotën e shëlbimit *
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij.
E çmueshme është para Zotit *
vdekja e shenjtërve të tij.
O Zot, unë jam shërbëtori yt, †
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *
Ti i këpute hekurat e mi:
ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, *
midis teje, o Jerusalem!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ju u ringjallët së bashku me Krishtin: kërkoni gjërat që vijnë prej së larti, aleluja.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Krh. Rom 4, 24-25
Ne besojmë në Atë që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin, Zotin tonë, i cili u flijua për faje tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë.
D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:
C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër 1 Gjn 5, 5-6a
Kush është ai që e mund botën në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyjit? Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak.
D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:
C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Ef 4, 23-24
Duhet të përtëriheni me shpirtin e mendjes tuaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Hyjit në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës.
D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:
C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, ti bën që vit për vit ta kremtojmë ngjalljen e Krishtit, bëj që me anën e këtyre festave të përkohshme t’i arrimë gëzimet që s’kanë mbarim. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.