Ora e mesme

TETËDITËSHI I PASHKËVE – E shtunë

 

Ora e mesme

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Himni

 

Ora e tretë

 

   Ja po vjen ora e tretë,

   kur Krishti i ngjitet kryqit;

   për keq mos të shkojë mendja,

   të shtojë dashurinë e lutjes.

 

   Kush e merr në zemër Krishtin,

   fiton ndjenja frytdhënëse,

   me kushte të zellshme bëhet

   i përshtatshëm për Shpirtin Shenjt.

 

   Kjo është ora që i dha fundin

   letargjisë së krimit t’egër,

   nga kjo fill kohë të lume

   nisën nga hiri i Krishtit.

 

   Jezus, që ndër të gjithë shekujt

   shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Eni, o ju skllevër, që luteni,

   me mendje e gojë madhëroni

   emrin e lumë të Hyjit

   me këngë e lavde të denja.

 

   Sepse kjo është koha,

   kur me vendim të padrejtë

   ia dorëzoi vdekjes së njerëzve

   gjykatësin e të gjithë shekujve.

 

   E shtyrë nga dashuria,

   nga frika e drejtë të nënshtruar,

   kundër të gjitha sulmeve

   që na shtie armiku i egër.

 

   Të vetmin Zot ta adhurojmë,

   Hyjin Atë e Birin e tij

   së bashku me Shpirtin Shenjt,

   një Zot të vetëm në Trini. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Kjo është ora, që shkëlqeu

   edhe hoqi retë nga kryqi,

   botës duke i zhveshur terrin,

   i dha dritat e kthjellëta.

 

   Kjo orë që duke i ngjallur

   Jezusi prej varresh trupat,

   me shpirt të gjerë u dha urdhër

   të kthehen në jetë pas vdekjes.

 

   Zgjidhur ligjet e vdekjes

   besojmë shekuj të përtërirë,

   ndjekin rrjedhë të përjetshme

   dhuntitë e jetës së lume.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mposhtje të vdekjes,

   bashkë me Atin dhe me Shpirtin

   në gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Në njërën prej tri orëve thuhen psalmet që vijojnë:

 

Ant. Krishti u ngjall prej të vdekurve, dhe jeton në jetën e pavdekshme, aleluja.

 

   Psalmi 119 /118/ D (33-40)

 

Ma trego, o Zot, udhën e ligjeve të tua, *

   dhe unë do ta mbaj gjithmonë.

Më jep kuptim që ta mbaj Ligjin tënd *

   e do ta zbatoj me gjithë zemrën time.

 

Më prij udhës së urdhërimeve të tua, *

   sepse në të e kam Kënaqësinë time.

Prire zemrën time drejt urdhërimeve të tua *

   e jo drejt lakmimit të pasurisë.

 

Largoji sytë e mi të mos e shohin kotësinë, *

   më përtërij në udhën tënde.

Plotësoja shërbëtorit tënd premtimin tënd *

   që ua dhe atyre që të druajnë.

 

Më shpëto nga çnderimi që aq fort i trembem, *

   sepse gjyqet e tua janë të mrekullueshme.

Oh, sa fort i dua urdhërimet e tua, *

   më përtërij në drejtësinë tënde!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Krishti u ngjall prej të vdekurve, dhe jeton në jetën e pavdekshme, aleluja.

 

Ant. Krishti, i dorëzuar në vdekje për mëkatet tona, u ringjall, që të na bëjë të drejtë, aleluja.

 

   Psalmi 96 /95/ (1-13) I (1-6)

 

Këndoni Zotit një këngë të re! *

   Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!

Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij, *

   shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij!

 

Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij, *

   ndër mbarë popujt mrekullitë e tij!

Sepse i madh është Zoti,

   - tejet i denjë për t’u lavdëruar, *

   më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!

 

Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve, *

   kurse Zoti e ka krijuar qiellin.

Para tij është shkëlqimi e lavdia, *

   në Shenjtëroren e tij pushteti e bukuria!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Krishti, i dorëzuar në vdekje për mëkatet tona, u ringjall, që të na bëjë të drejtë, aleluja.

 

Ant. Ju u ringjallët së bashku me Krishtin: kërkoni gjërat që vijnë prej së larti, aleluja.

 

   II (7-13)

 

Jepni Zotit, familjet e popujve, †

   jepni Zotit nder e fuqi, *

   jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!

 

Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tij, *

   adhuroni Zotin në stoli të shenjtë!

Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij! *

   Shpallni ndër paganë: »Mbret është Zoti!«

 

Ai e mban botën që të mos shkatërrohet; *

   i gjykon popujt me drejtësi.

 

Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë! †

   Le të buçasë deti me ç’ka në të, *

   le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,

 

le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve, †

   para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen, *

   sepse po vjen për të gjykuar tokën!

 

Do ta gjykojë botën me drejtësi, *

   do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ju u ringjallët së bashku me Krishtin: kërkoni gjërat që vijnë prej së larti, aleluja.

 

Në orët tjera përdoren Psalmet plotësuese.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Rom 5, 10-11

 

   Në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij ‑ kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij! Dhe, jo vetëm kaq! Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të cilit tani fituam pajtimin.

 

   D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:

   C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër 1 Kor 15, 20-22

 

   Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një NJERI vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën.

 

   D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:

   C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër 2 Kor 5, 14-15

 

   Dashuria e Krishtit na nxit kur mendojmë se: Njëri vdiq për të gjithë, prandaj, të gjithë vdiqën; e Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta.

 

   D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:

   C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti me mirësinë tënde të pakufishme vazhdimisht e shton numrin e popujve që besojnë në ty, priri sytë mbi të zgjedhurit e tu që fituan jetën e re me sakramentin e pagëzimit: veshi me petkun e bardhë të pavdekësisë. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.