Ora e mesme

JAva e dytë e Pashkëve - E premte

 

Ora e mesme

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Himni

 

Ora e tretë

 

   Ja po vjen ora e tretë,

   kur Krishti i ngjitet kryqit;

   për keq mos të shkojë mendja,

   të shtojë dashurinë e lutjes.

 

   Kush e merr në zemër Krishtin,

   fiton ndjenja frytdhënëse,

   me kushte të zellshme bëhet

   i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.

 

   Kjo është ora që i dha fundin

   letargjisë së krimit t’egër,

   nga kjo fill kohë të lume

   nisën nga hiri i Krishtit.

 

   Jezus, që ndër të gjithë shekujt

   shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Eni, o ju skllevër, që luteni,

   me mendje e gojë madhëroni

   emrin e lumë të Hyjit

   me këngë e lavde të denja.

 

   Sepse kjo është koha,

   kur me vendim të padrejtë

   ia dorëzoi vdekjes së njerëzve

   gjykatësin e të gjithë shekujve.

 

   E shtyrë nga dashuria,

   nga frika e drejtë të nënshtruar,

   kundër të gjitha sulmeve

   që na shtie armiku i egër.

 

   Të vetmin Zot ta adhurojmë,

   Hyjin Atë e Birin e tij

   së bashku me Shpirtin e Shenjtë,

   një Zot të vetëm në Trini. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Kjo është ora, që shkëlqeu

   edhe hoqi retë nga kryqi,

   botës duke i zhveshur terrin,

   i dha dritat e kthjellëta.

 

   Kjo orë që duke i ngjallur

   Jezusi prej varresh trupat,

   me shpirt të gjerë u dha urdhër

   të kthehen në jetë pas vdekjes.

 

   Zgjidhur ligjet e vdekjes

   besojmë shekuj të përtërirë,

   ndjekin rrjedhë të përjetshme

   dhuntitë e jetës së lume.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mposhtje të vdekjes,

   bashkë me Atin dhe me Shpirtin

   në gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

   Psalmi 119 /118/ X (73-80)

 

Duart e tua më bënë e më dhanë trajtë, *

   më jep kuptim t’i mësoj urdhërimet e tua.

Kur më shohin ata që ty të druajnë, gëzohen, *

   sepse shpresova në fjalën tënde.

 

E di, o Zot, se gjyqet e tua janë të drejta, *

   me plot të drejtë më përule.

Le të më ngushëllojë, pra, mëshira jote *

   sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.

 

Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj, *

   sepse Ligjit yt është kënaqja ime.

Le të turpërohen krenarët pse dijekeqas më poshtërojnë, *

   e unë do t’i kujtoj urdhërimet e tua.

 

Le të sillen drejt meje ata që ty të druajnë, *

   ata që i njohin dëshmitë e tua.

U përsostë zemra ime në rregulloret e tua, *

   që kurrë të mos turpërohem.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

Psalmi 59 /58/ (2-5. 10-11. 17-18)

 

   Urata për mbrojtje prej të paudhëve

 

   Psalmi e rikujton lutjen plot dashuri që Jezusi ia drejtoi Atit (Krh. Eusebi i Cesaresë).

 

Hyji im, më shpëto prej armiqve të mi, *

   më mbro prej sulmuesve të mi!

Më shpëto prej atyre që bëjnë të keqen, *

   më shpëto prej atyre që derdhin gjak!

 

Ja, ia vunë pritën jetës sime, *

   u sulën kundër meje të fortët!

 

E pra, unë s’kam faj as mëkat, o Zot, †

   pa pasur në mua paudhësi bëhen gati të më sulmojnë! *

   Çohu, eja e shiko,

 

Fuqia ime, ty të pres, *

   sepse ti, o Hyj, je kështjella ime.

Hyji im, mëshira jote do të më mbërrijë me kohë, *

   Hyji do të bëjë nga lart t’i shikoj armiqtë e mi.

Kurse unë do ta këndoj fuqinë tënde, *

   në mëngjes do ta lartësoj dashurinë tënde,

sepse ti qe kështjella ime, *

   strehimi im në ditën e rrezikut tim.

 

Fuqia ime, ty dëshiroj të të këndoj, †

   sepse, ti o Hyj, je kështjella ime: *

   Hyji im, mëshira ime!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

Psalmi 60 /59/ (3-13)

 

   Uratë pas fatkeqësisë

 

   Në botë do të keni vuajtje... Keni besim në mua, unë e munda botën! (Gjn 16, 33)

 

O Hyj, ti na flake tej, na theve: *

   ishe zemëruar! Kthehu prapë tek ne!

 

E tunde dheun, copë e ndave, *

   shëroja plasat se po fundoset!

Bëre që populli yt të shohë të vështira të mëdha, *

   na dhe të pimë verë që të merr mendtë!

 

Por ti u dhe shenjë të dashurve të tu *

   të tërhiqen nga goditja e harkut,

 

por që të shpëtojnë të dashurit e tu *

   ndihmo me të djathtën tënde e na dëgjo!

 

Hyji foli në Shenjtëroren e vet: †

   »Do të gëzohem, do ta ndaj Sikemin, *

   do ta mas Luginën Sukot!

 

Imi është Galaadi, imi Manaseu, †

   Efraimi është përkrenarja ime, *

   Juda skeptri im,

 

Moabi legeni ku unë lahem, †

   në Edom do ta hedh këpucën time, *

   mbi filistenj do të brohoris fitoren!«

 

Kush do të më çojë deri në fortesë! *

   Kush do të me prijë deri në Idume?

Vallë, mos jo ti, o Hyj, që na flake tej, *

   vallë a s’do të dalësh, o Hyj, me forcat tona?

Deh, na ndihmo në ditë të ngushtimit, *

   sepse s’ka shpëtim prej ndihmës së njeriut!

Bashkë me Hyjin mrekulli do të bëjmë, *

   ai do t’i shqelmojë armiqtë tanë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Vap 2, 32. 36

 

   Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! Të gjithë ne e dëshmojmë këtë gjë! Le ta dijë, pra, pa farë dyshimi mbarë populli i Izraelit se mu këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesi.

 

   D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja

   C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Gal 3, 27-28

 

   Gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin ‑ me Krishtin jeni veshur. Nuk ka më: hebre ‑ grek! Nuk ka më: skllav ‑ i lirë! Nuk ka më: mashkull ‑ femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus!

 

   D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,

   C dhe u mbushen plot me gëzim, aleluja.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër 1 Kor 5, 7-8

 

   Pastrohuni prej tharmit të vjetër që të bëheni brumë i ri, sikurse edhe jeni të pabrumë, sepse Krishti ‑ Qengji ynë i Pashkëve ‑ tanimë është flijuar. Andaj, le të kremtojmë, jo me tharmin e vjetër, as me tharmin e zemrës së keqe e të ligësisë, por me bukë të pabrume të pastrisë e të vërtetës.

 

   D Rri me ne, o Zot, aleluja,

   C tashmë është mbrëmje, aleluja.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëdijshëm dhe i gjithëpushtetshëm, ti deshe që Biri yt t’i pësonte për ne mundimet e kryqit për të na çliruar nga pushteti i djallit: bëj, po të lutemi, ta fitojmë hirin e ngjalljes. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.