Ora e mesme
JAva e dytë e Pashkëve - E shtunë
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Himni
Ora e tretë
Ja po vjen ora e tretë,
kur Krishti i ngjitet kryqit;
për keq mos të shkojë mendja,
të shtojë dashurinë e lutjes.
Kush e merr në zemër Krishtin,
fiton ndjenja frytdhënëse,
me kushte të zellshme bëhet
i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.
Kjo është ora që i dha fundin
letargjisë së krimit t’egër,
nga kjo fill kohë të lume
nisën nga hiri i Krishtit.
Jezus, që ndër të gjithë shekujt
shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
Ora e gjashtë
Eni, o ju skllevër, që luteni,
me mendje e gojë madhëroni
emrin e lumë të Hyjit
me këngë e lavde të denja.
Sepse kjo është koha,
kur me vendim të padrejtë
ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
gjykatësin e të gjithë shekujve.
E shtyrë nga dashuria,
nga frika e drejtë të nënshtruar,
kundër të gjitha sulmeve
që na shtie armiku i egër.
Të vetmin Zot ta adhurojmë,
Hyjin Atë e Birin e tij
së bashku me Shpirtin e Shenjtë,
një Zot të vetëm në Trini. Amen.
Ora e nëntë
Kjo është ora, që shkëlqeu
edhe hoqi retë nga kryqi,
botës duke i zhveshur terrin,
i dha dritat e kthjellëta.
Kjo orë që duke i ngjallur
Jezusi prej varresh trupat,
me shpirt të gjerë u dha urdhër
të kthehen në jetë pas vdekjes.
Zgjidhur ligjet e vdekjes
besojmë shekuj të përtërirë,
ndjekin rrjedhë të përjetshme
dhuntitë e jetës së lume.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mposhtje të vdekjes,
bashkë me Atin dhe me Shpirtin
në gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Psalmi 119 /118/ XI (81-88)
Po më shkrihet shpirti në pritje të shëlbimit tënd, *
kam besim të plotë në premtimin tënd.
Sytë po më shteren prej dëshirës së fjalës sate *
e them: »Kur do të më japësh ngushëllimin?«
U bëra si rrësheku në tym, *
por nuk i harrova rregulloret e tua.
Po edhe sa ditë do të rrojë shërbëtori yt? *
Kur do t’i gjykosh përndjekësit e mi?
Më hapën gropa krenarët *
që s’jetojnë sipas Ligjit tënd.
Të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta; *
dijekeqas më kanë salvuar: deh, më eja në ndihmë!
Për pak sa s’më rrëzuan përdhe, *
megjithatë unë nuk u shmangem urdhërimeve të tua.
Më përtërij pashë dashurinë tënde *
e unë do t’i ruaj dëshmitë e gojës sate.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Psalmi 61 /60/ (2-9)
Urata e një të treturi
Nëse shtëpia jonë tokësore ‑ kjo tendë, shkatërrohet, kemi godinën prej Hyjit, banesë të përjetshme qiellore (2 Kor 5, 1).
Vështroje, o Hyj, britmën time, *
dëgjoje uratën time!
Nga skaji i dheut të thërras në ndihmë, †
se më ka lëshuar zemra: *
më ço te shkëmbi ku s’mund të afrohem.
Sepse ti je shpresa ime, *
kala e fortë përballë armikut.
Përjetë do të banoj në tendën tënde, *
do të gjej mbrojtje nën sqetullën tënde,
sepse ti, o Hyji im, i pranon kushtet e mia, *
u jep trashëgim atyre që e druajnë emrin tënd.
Ditë mbi ditë shtoji jetës së mbretit, *
vjetët e tij zgjati nga breznia në brezni!
Le të mbretërojë gjithmonë ndër sytë e Hyjit: *
rojë iu bëfshin hiri dhe e vërteta!
Kështu do t’i këndoj këngë Emrit tënd pa pushim, *
do t’i plotësoj kushtet e mia si një ditë për ditë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Psalmi 64 /63/ (2-11)
Urata kundër tmerrit të armikut
Morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti e ta mbysin (Mt 26, 4).
Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, *
ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,
më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, *
prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.
Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, †
që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, *
për ta shigjetuar në moh të pafajshmin;
e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. *
Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija,
shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta *
e thonë: »Kush mund t’i shohë?«
Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, *
humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!
Por Hyji i shigjetoi ata, *
papritmas i mbuluan plagët.
Gjuha e vet ata i sharroi, *
kush i sheh, i habitur, luan kokën.
Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, †
do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, *
mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.
I drejti do të gëzohet në Zotin, †
në Të do ta ketë shpresën, *
me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Rom 5, 10-11
Në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij ‑ kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij! Dhe, jo vetëm kaq! Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të cilit tani fituam pajtimin.
D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja
C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër 1 Kor 15, 20-22
Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një NJERI vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën.
D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
C dhe u mbushen plot me gëzim, aleluja.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër 2 Kor 5, 14-15
Dashuria e Krishtit na nxit kur mendojmë se: Njëri vdiq për të gjithë, prandaj, të gjithë vdiqën; e Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta.
D Rri me ne, o Zot, aleluja,
C tashmë është mbrëmje, aleluja.
Lutja
O Hyj, ti e dërgove Birin tënd për të na shëlbuar e për të na bërë bijtë e tu në shpirt, shikoi me mirësi bijtë e bijat e tua që besojnë në Krishtin: na e jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.