Ora e mesme
Java e katërt e Pashkëve – E Hënë
Ora e mesme
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Himni
Ora e tretë
Ja po vjen ora e tretë,
kur Krishti i ngjitet kryqit;
për keq mos të shkojë mendja,
të shtojë dashurinë e lutjes.
Kush e merr në zemër Krishtin,
fiton ndjenja frytdhënëse,
me kushte të zellshme bëhet
i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.
Kjo është ora që i dha fundin
letargjisë së krimit t’egër,
nga kjo fill kohë të lume
nisën nga hiri i Krishtit.
Jezus, që ndër të gjithë shekujt
shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
Ora e gjashtë
Eni, o ju skllevër, që luteni,
me mendje e gojë madhëroni
emrin e lumë të Hyjit
me këngë e lavde të denja.
Sepse kjo është koha,
kur me vendim të padrejtë
ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
gjykatësin e të gjithë shekujve.
E shtyrë nga dashuria,
nga frika e drejtë të nënshtruar,
kundër të gjitha sulmeve
që na shtie armiku i egër.
Të vetmin Zot ta adhurojmë,
Hyjin Atë e Birin e tij
së bashku me Shpirtin e Shenjtë,
një Zot të vetëm në Trini. Amen.
Ora e nëntë
Kjo është ora, që shkëlqeu
edhe hoqi retë nga kryqi,
botës duke i zhveshur terrin,
i dha dritat e kthjellëta.
Kjo orë që duke i ngjallur
Jezusi prej varresh trupat,
me shpirt të gjerë u dha urdhër
të kthehen në jetë pas vdekjes.
Zgjidhur ligjet e vdekjes
besojmë shekuj të përtërirë,
ndjekin rrjedhë të përjetshme
dhuntitë e jetës së lume.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mposhtje të vdekjes,
bashkë me Atin dhe me Shpirtin
në gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Psalmi 119 /118/ XII (89-96) Meditim i fjalës së Zotit në ligj
Po ju jap një urdhër të ri: Duani njëri‑tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, duani edhe ju njëri‑tjetrin! (Gjn 13, 34).
E amshueshme është, o Zot, fjala jote, *
e qëndrueshme porsi qielli.
Brez pas brezi e vërteta jote; *
e themelove Tokën dhe ajo qëndron.
Me urdhrin tënd gjithçka qëndron deri më sot, *
sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.
Po të mos ishte Ligji yt kënaqja ime, *
do të kisha mbaruar në mjerimin tim.
Kurrë e për këtë jetë s’do t’i harroj urdhërimet e tua, *
në saje të tyre ti më mban në jetë.
Yti jam: deh, ti më shpëto, *
sepse i kërkoj me zell urdhërimet e tua.
Të mbrapshtët mundohen të më humbasin; *
por unë i kujtoj porositë e tua.
Çdo përsosmërie unë i shoh kufirin: *
por Ligji yt kufi nuk ka.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Psalmi 71 /70/
Ti, o Zot, je shpresa ime që prej ditëve të rinisë
Në shpresë jini të gëzueshëm, në vështirësi të durueshëm, në uratë të qëndrueshëm! (Rom 12, 12).
I (1-13)
Në ndore tënde, o Zot, *
askurrë mos u turpërofsha.
Më shpëto e më dil zot pashë drejtësinë tënde, *
prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo!
Ji për mua shkëmb mbrojtjeje, †
kullë e pamposhtur për të më shpëtuar, *
sepse ti je kështjella ime e strehimi im.
Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit, *
prej dorës së derhuzdit e të dinakut.
Sepse ti, o Zot, je shpresa ime, *
shpresa ime, o Zot, qysh prej rinisë sime.
Në ty jam mbështetur qysh prej kraharorit të nënës, †
qysh prej prehrit të nënës ti je mbrojtësi im, *
mburrja ime është gjithmonë në ty.
Për shumë njerëz u bëra çështje habie: *
ti ishe mbrojtësi im i fuqishëm.
Goja ime të lavdëron pa pushim, *
gjithë ditën të madhëron.
Mos më lësho dore në pleqëri, *
kur të më lënë fuqitë, mos hiq dorë prej meje.
Sepse thonë armiqtë e mi për mua, *
e ata që më vërejnë zunë njëzëri të këshillohen:
»Hyji hoqi dorë prej tij, salvojeni, *
bini në të se s’ka kush i del zot.«
O Hyj, mos më rri larg, *
Hyji im, shpejto të më ndihmosh.
Le të turpërohen e le të shuhen
kundërshtarët e shpirtit tim, †
le të mbulohen me marre e me turp *
ata që ma dëshirojnë të keqen.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
II (14-24)
E unë gjithmonë do të shpresoj në ty *
e unë do t’i shumoj gjithnjë lavdet e tua.
Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde, †
gjithë ditën shpëtimin tënd: *
që s’di të ketë masë në madhëri.
Do ta shpall pushtetin e Zotit, *
o Zot, do të kujtoj vetëm drejtësinë tënde.
Ti më ke mësuar, o Hyj, qysh prej rinisë sime *
dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.
E tani në pleqëri ngarkuar me vjet, *
o Hyj, mos hiq dorë prej meje,
derisa t’ia shpall pushtetin tënd *
mbarë breznisë që do të vijë.
Pushteti yt e drejtësia jote, o Hyj, †
arrijnë deri në qiell, sepse bëre punë të mrekullueshme! *
O Hyj, e kush është i ngjashëm me ty?!
Sepse ti më çove prova shumë të mëdha, †
por përsëri më kërthndeze në jetë *
e përsëri më ktheve nga thellësia e tokës.
Rrite madhërinë time, *
sillu prej meje e më ngushëllo.
Kështu edhe vetë do të të lavdëroj, †
me harpë do të këndoj, o Hyj, të vërtetën tënde, *
me cetër do të të këndoj ty, o Shenjti i Izraelit!
Do të galdojnë buzët e mia duke të kënduar ty, *
edhe shpirti im që e ke shëlbuar.
Gjuha ime gjithë ditën do të flasë për drejtësinë tënde, †
le të turpërohen e të marrohen *
ata që kërkojnë të keqen për mua.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Krh. Zb 1, 17c-18
E pashë Birin e njeriut i cili më tha: “Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Sprasmi, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës!”
D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja
C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Kol 2, 9. 10a. 12
Dhe, pasi në Krishtin banon trupërisht e tërë plotësia hyjnore, kështu edhe ju jeni të mbushur me anë të Tij.
Të varrosur bashkë me Të në pagëzim, bashkë me Të edhe u ngjallët në saje të fesë, me të cilën besuat në fuqinë e Hyjit që e ngjalli nga të vdekurit.
D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
C dhe u mbushen plot me gëzim, aleluja.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër 2 Tim 2, 8. 11
Kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit dhe trungu i Davidit sipas Ungjillit që unë predikoj. E vërtetë është kjo fjalë: Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë.
D Rri me ne, o Zot, aleluja,
C tashmë është mbrëmje, aleluja.
Lutja
O Hyj, ti ua tregon dritën e së vërtetës atyre që e kanë humbur udhën që të mund ta marrin përsëri rrugën e drejtë, bëj që të krishterët të flakin çka i kundërshton këtij emri e të ndjekin çfarë i ka hije. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.