Ora e mesme

Java e tretë e Pashkëve – E Mërkurë

 

Ora e mesme

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Himni

 

Ora e tretë

 

   Ja po vjen ora e tretë,

   kur Krishti i ngjitet kryqit;

   për keq mos të shkojë mendja,

   të shtojë dashurinë e lutjes.

 

   Kush e merr në zemër Krishtin,

   fiton ndjenja frytdhënëse,

   me kushte të zellshme bëhet

   i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.

 

   Kjo është ora që i dha fundin

   letargjisë së krimit t’egër,

   nga kjo fill kohë të lume

   nisën nga hiri i Krishtit.

 

   Jezus, që ndër të gjithë shekujt

   shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Eni, o ju skllevër, që luteni,

   me mendje e gojë madhëroni

   emrin e lumë të Hyjit

   me këngë e lavde të denja.

 

   Sepse kjo është koha,

   kur me vendim të padrejtë

   ia dorëzoi vdekjes së njerëzve

   gjykatësin e të gjithë shekujve.

 

   E shtyrë nga dashuria,

   nga frika e drejtë të nënshtruar,

   kundër të gjitha sulmeve

   që na shtie armiku i egër.

 

   Të vetmin Zot ta adhurojmë,

   Hyjin Atë e Birin e tij

   së bashku me Shpirtin e Shenjtë,

   një Zot të vetëm në Trini. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Kjo është ora, që shkëlqeu

   edhe hoqi retë nga kryqi,

   botës duke i zhveshur terrin,

   i dha dritat e kthjellëta.

 

   Kjo orë që duke i ngjallur

   Jezusi prej varresh trupat,

   me shpirt të gjerë u dha urdhër

   të kthehen në jetë pas vdekjes.

 

   Zgjidhur ligjet e vdekjes

   besojmë shekuj të përtërirë,

   ndjekin rrjedhë të përjetshme

   dhuntitë e jetës së lume.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mposhtje të vdekjes,

   bashkë me Atin dhe me Shpirtin

   në gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

   Psalmi 119 /118/ XIV (105-112)

 

Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, *

   dritë për udhët e mia.

U përbetova dhe do ta mbaj fjalën: *

   do t’i ruaj gjyqet e drejtësisë sate.

 

Jam për së tepërmi i përvuajtur, o Zot, *

   ma përtërit jetën sipas premtimit tënd.

Pranoji, o Zot, dhuratat e gojës sime *

   dhe m’i mëso gjyqet e tua.

 

Jeta ime është gjithmonë në rrezik, *

   por nuk e harroj Ligjin tënd.

Të mbrapshtët vunë leqe kundër meje, *

   por nuk iu shmanga porosive të tua.

Dëshmitë e tua janë trashëgimi im i përhershëm, *

   janë kënaqësia e shpirtit tim.

E përul zemrën time që t’i kryej urdhërimet e tua *

   përherë e deri në fund.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

   Psalmi 70 /69/ (2-6) O Hyj, më eja në ndihmë

 

   Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm! (Mt 8, 25).

 

O Hyj, deh, më eja në ndihmë, *

   o Zot, nxito të më ndihmosh!

U marrofshin dhe u turpërofshin *

   të gjithë ata që kërkojnë të ma marrin jetën.

 

U zmbrapsshin dhe u turpërofshin ata *

   që ma dëshirojnë të keqen!

U zmbrapsshin të turpëruar *

   ata që më thonë: »Mirë, shumë mirë!«

 

Le të galdojnë e le të gëzojnë *

   të gjithë ata që të kërkojnë ty,

le të thonë përherë: »I madh është Hyji!«, *

   ata që e duan shëlbimin tënd.

 

E unë jam i vobektë e skamnor: *

   o Hyj, shpejto të më ndihmosh,

sepse ti je ndihmëtari e shpëtimtari im, *

   o Zot, deh, mos vono!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

   Psalmi 75 /74/ (2-11) Hyji, gjykatës i gjithmbarshëm

 

   I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvuajturit (Lk 1, 52).

 

Do të të këndojmë lavde, o Hyj, †

   do të lavdërojmë e do ta thërrasim Emrin tënd, *

   do t’i shpallim mrekullitë e tua.

 

»Kur unë të caktoj kohën *

   do të gjykoj me drejtësi.

Në dashtë, le të lëkundet toka

   me të gjithë banorët e vet, *

   unë jam ai që ia kam forcuar shtyllat.

 

U thashë krenarëve: »Mos u krenoni!« *

   edhe të paudhëve: »Mos çoni krye!

Mos e lartësoni ashtu kryet tuaj, *

   mos flisni kundër Hyjit poshtërsi!«

 

As prej lindjes, as prej perëndimit, *

   as prej shkretëtirës nuk vjen lartësimi,

sepse gjykatës është Hyji: *

   këtë e përul e lartëson atë.

 

Sepse në dorë të Zotit është gota *

   plot verë shkumuese me dra përzier.

 

Prej saj ai jep të pihet: †

   do ta pinë veç deri me fundërri mëkatarët, *

   krejtësisht do ta pinë deri edhe draun.«

 

E unë do ta shpall përgjithmonë, *

   do t’i këndoj Hyjit të Jakobit.

»Kryet do t’ua thyej të gjithë keqbërësve, *

   kurse kryet e të drejtit do të lartësohet.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Krh. Rom 4, 24-25

 

   Ne besojmë në Atë që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin, Zotin tonë, i cili u flijua për faje tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë.

 

   D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja

   C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër 1 Gjn 5, 5-6a

 

   Kush është ai që e mund botën në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyjit? Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak.

 

   D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,

   C dhe u mbushen plot me gëzim, aleluja.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Ef 4, 23-24

 

   Duhet të përtëriheni me shpirtin e mendjes tuaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Hyjit në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës.

 

   D Rri me ne, o Zot, aleluja,

   C tashmë është mbrëmje, aleluja.

 

   Lutja

 

   Ji pranë familjes sate, o Zot, dhe ndihmoje me bujari: ti që ia dhe hirin e fesë, bëje edhe pjesëtare në ngjalljen e Birit tënd, Jezu Krishtin. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.