Ora e mesme
23 prill, Shën Gjergji, martir
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Himni
Ora e tretë
Ja po vjen ora e tretë,
kur Krishti i ngjitet kryqit;
për keq mos të shkojë mendja,
të shtojë dashurinë e lutjes.
Kush e merr në zemër Krishtin,
fiton ndjenja frytdhënëse,
me kushte të zellshme bëhet
i përshtatshëm për Shpirtin Shenjtë.
Kjo është ora që i dha fundin
letargjisë së krimit t’egër,
nga kjo fill kohë të lume
nisën nga hiri i Krishtit.
Jezus, që ndër të gjithë shekujt
shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.
Ora e gjashtë
Eni, o ju skllevër, që luteni,
me mendje e gojë madhëroni
emrin e lumë të Hyjit
me këngë e lavde të denja.
Sepse kjo është koha,
kur me vendim të padrejtë
ia dorëzoi vdekjes së njerëzve
gjykatësin e të gjithë shekujve.
E shtyrë nga dashuria,
nga frika e drejtë të nënshtruar,
kundër të gjitha sulmeve
që na shtie armiku i egër.
Të vetmin Zot ta adhurojmë,
Hyjin Atë e Birin e tij
së bashku me Shpirtin e Shenjtë,
një Zot të vetëm në Trini. Amen.
Ora e nëntë
Kjo është ora, që shkëlqeu
edhe hoqi retë nga kryqi,
botës duke i zhveshur terrin,
i dha dritat e kthjellëta.
Kjo orë që duke i ngjallur
Jezusi prej varresh trupat,
me shpirt të gjerë u dha urdhër
të kthehen në jetë pas vdekjes.
Zgjidhur ligjet e vdekjes
besojmë shekuj të përtërirë,
ndjekin rrjedhë të përjetshme
dhuntitë e jetës së lume.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mposhtje të vdekjes,
bashkë me Atin dhe me Shpirtin
në gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Psalmi 119 /118/ XV (113-120)
I urrej ata që janë si mësalla me dy faqe *
dhe e dua Ligjin tënd.
Përkrenarja dhe shqyti im je ti, *
kam besim të plotë në fjalën tënde.
M’u hiqni sysh, o keqbërës, *
se dua t’i zbatoj urdhërimet e Hyjit tim!
Më përkrah si më premtove e do të jetoj *
dhe mos më tradhtoftë shpresa ime.
Më përkrah e do të shpëtoj, *
do të kënaqem vazhdimisht në rregulloret e tua.
Ti i urren ata që u shmangen urdhërimeve të tua, *
sepse mendimi i tyre është gënjeshtër.
Porsi ndryshkun ti i zhbin nga faqja e dheut keqbërësit, *
prandaj unë i dua dëshmitë e tua.
Trupi im më dridhet prej frikës sate, *
sepse i kam frikë gjyqet e tua.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Psalmi 79 /78/ (1-5. 8-11. 13) Vajtim për shkatërrimin e Jerusalemit
O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen!... S’kanë për të lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e bëre për send kohën kur Hyji erdhi të ndihmojë (Lk 19, 42. 44).
O Hyj, e pushtuan paganët pronën tënde, †
e dhunuan Tempullin tënd të shenjtë, *
Jerusalemin e bënë një grumbull rrënojash!
Ua dhanë kufomat e shërbëtorëve të tu †
për ushqim shpendëve të qiellit, *
mishin e shenjtërve të tu bishave të malit.
Gjakun e tyre e derdhën si ujë *
përreth Jerusalemit e s’kishte kush t’i varroste!
U bëmë çnderim ndër sy të fqinjëve tanë, *
përqeshje e lojë për ata që i kemi përreth.
Po deri kur, o Zot? A do të rrish përgjithmonë i hidhëruar? *
Do të digjet si zjarri zemërimi yt?
Mos i kujto fajet e etërve tanë, †
le të na vijë në ndihmë sa më parë mëshira jote, *
sepse jemi bërë tepër të mjerë.
Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë, †
për nder të Emrit tënd e na çliro: *
pashë nderin e Emrit tënd na i fal fajet!
Pse të thonë paganët: »Ku është Hyji i tyre?« †
Le ta pranojnë ndër sy tanë paganët *
hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të t’u.
Le të arrijë tek ti gjëma e të robëruarve, †
me fuqinë e krahut tënd *
shpëtoji të dënuarit me vdekje.
E ne, populli yt - delet e kullotës sate, †
do të të lavdërojmë për amshim, *
do ta shpallim nga brezi në brez lavdinë tënde.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Psalmi 80 /79/ (2-20) Vizito, o Zot, vreshtin tënd
Eja, o Zot, Jezus! (Zb 22, 20).
Dëgjo ti, o Bariu i Izraelit, *
ti që i prin Jozefit si grigjës,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe *
para Efraimit, Beniaminit e Manaseut:
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë *
për të na shpëtuar!
O Hyj, deh, na përtërij, *
kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
O Zot, Hyji i ushtrive, deri kur do të hidhërohesh *
në lutjen e popullit tënd?
Deri kur do të na ushqesh me bukë lotësh, *
e do të na japësh të pimë ujë lotësh me shumicë?
Na bëre shkak grindjeje për fqinjët tanë *
e armiqtë tanë po qeshen me ne.
O Hyj i ushtrive, deh, na përtërij, *
kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
Vreshtin nga Egjipti e nxore *
e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove.
Tokën ia përgatite, *
lëshoi rrënjë dhe e mbushi tokën.
U mbuluan malet me hijen e tij, *
me gema të hardhisë u mbushën cedrat e Hyjit,
pinjollët e tij arritën deri në det, *
shermendet i qiti deri në Lumë.
Gardhin pse ia theve *
që ta vjelë çdo kalimtar?
E dëmtoi derri i egër, *
e kulloti çdo egërsirë.
Kthehu, Hyji i ushtrive, †
shikoje nga qielli e shihe, *
eja, shihe këtë vresht,
deli zot se ti vetë e mbolle: *
djalit që për vete e rrite.
Ata që e dogjën dhe e prenë *
le të sharrojnë prej kërcënimit të fytyrës sate.
Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate, *
mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje: *
na përtërij e do ta thërrasim Emrin tënd.
O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij, *
kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër 1 Kor 12, 13
Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.
D Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja
C dhe iu shfaq Simonit, aleluja.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Tit 3, 5b-7
Hyji na shëlboi në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, që, të shfajësuar me anë të hirit të tij të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.
D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
C dhe u mbushen plot me gëzim, aleluja.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Krh. Kol 1, 12-14
Plot gëzim ta falënderojmë Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë. Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur, në të cilin kemi shpërblimin ‑ faljen e mëkateve.
D Rri me ne, o Zot, aleluja,
C tashmë është mbrëmje, aleluja.
Lutja
O Zot, ne po e madhërojmë fuqinë tënde dhe po të lutemi me përvujtëri që, sikurse Shën Gjergji martir iu bashkua mundimit të Krishtit, ashtu të jetë edhe ndihmës i gatshëm i ligështisë sonë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, si në Lavdet e mëngjesit.