Ora e mesme
Java e tetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E premte
Ora e mesme
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)..
Ora e tretë
Himni
Tash për ne, o Shpirt Shenjt,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 Paqe e madhe për ata që e duan Ligjin tënd, o Zot.
Psalmi 119 /118/ XXI (161-168)
Të mëdhenjtë më salvojnë pa arsye, *
zemra ime trembet vetëm prej fjalëve të tua.
Unë u gëzohem fjalëve të tua *
porsi ai që fiton pre të madhe.
E urrej rrenën dhe më velet, *
kurse Ligjin tënd e kam për zemër.
Shtatë herë në ditë ty të thur lavde *
për gjyqet e drejtësisë sate.
Dashamirësit e Ligjit tënd gëzojnë paqe të madhe, *
ata askurrë nuk marrin në thua.
Ndihmën tënde, o Zot, e pres *
dhe i mbaj urdhërimet e tua.
Shpirti im i ruan ligjet e tua *
dhe i desha ato me gjithë shpirt.
I mbaj ligjet e tua e dëshminë tënde, *
sepse të gjitha udhët e mia janë para syve të tu.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Paqe e madhe për ata që e duan Ligjin tënd, o Zot.
Ant. 2 Vëllezërit në fe, ishin të një zemre e të një shpirti.
Psalmi 133 /132/ (1-3) Gëzimi në dashurinë vëllazërore
Në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë (Vap 4, 32).
Oh, sa punë e mirë e gjë e bukur është *
kur vëllezërit jetojnë së bashku:
si vaji ai më i miri në krye, †
që zbret në mjekër, në mjekrën e Aronit, *
që zbret kindave të petkave të tij,
porsi vesa në Hermon, *
që bie në malet e Sionit.
Sepse atje Zoti e jep bekimin, *
jetën e amshueshme.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Vëllezërit në fe, ishin të një zemre e të një shpirti.
Ant. 3 O Zot, fuqia e shëlbimit tim, më shpëto prej duarve të bakeqit.
Psalmi 140 /139/ (2-9. 13-14) Ti je strehimi im
Biri i njeriut po u bie në dorë mëkatarëve (Mt 26, 45).
Më shpëto, o Zot, prej njeriut të keq, *
më mbro prej njeriut mujshar.
Prej atyre që mendojnë të këqija në zemër, *
që gjithë ditën sendërgjojnë luftëra.
Porsi gjarpri e mprehin gjuhën e vet: *
nën buzë e kanë vrerin e shlligës.
Më ruaj, o Zot, prej kthetrave të mëkatarit, †
më mbro prej njeriut të derhuzdtë, *
sepse mendojnë të ma vënë nënkëmbëzën.
Krenarët ma fshehën grackën †
me litar ma përgatitin rrjetën, *
gjatë udhës m’i ngrehin kurthet.
I thashë Zotit: »Ti je Hyji im, *
dëgjoje, o Zot, britmën e lutjes sime.
O Zot, o Zot, fuqia e shëlbimit tim, *
ma mbro kryet ditën e përleshjes.«
Mos lejo të shkojnë në vend dëshirat e bakeqit, *
mos i përkrah synimet e tija.
E di se Zoti e mbron çështjen e të mjerit *
dhe ia jep të drejtën të vobektit.
Po të drejtët do të lavdërojnë Emrin tënd, *
shenjtërit do të jetojnë në praninë tënde.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 O Zot, fuqia e shëlbimit tim, më shpëto prej duarve të bakeqit.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Rom 12, 17a. 19b-20a. 21
Askujt mos ia ktheni të keqen me të keqe! Është në Shkrim shenjt: 'Mua më përket hakmarrja, unë do të hakmerrem,' (Lp 32, 35) thotë Zoti. Ti përkundrazi: 'Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, nëse është i etur, jepi të pijë! (Fu 25, 21-22). Mos lejo të mundë e keqja, por ngadhënje mbi të keqen me vepra të mira!
D Hiri i Zotit është në shekuj të shekujve
C për popullin që e mban Besëlidhjen.
Lutja
O Zot Jezu Krisht, ty në orën e tretë të çuan në mundimet e kryqit për shëlbimin e mbarë botës, në mirësinë tënde fali mëkatet tona të kaluara dhe në të ardhmen na mbro prej së keqes. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër 1 Gjn 3, 16
Me këtë gjë e njohëm dashurinë: Jezusi e dhuroi jetën e vet për ne. Edhe ne e kemi detyrë të japim jetën tonë për vëllezër.
D Falënderojeni Zotin: Ai është i mirë,
C e amshuar është mëshira e tij.
Lutja
O Zot Jezu Krisht, ti në orën e gjashtë, kur terri po e mbulonte botën, qe gozhduar në kryq, fli e pafajshme për shëlbimin tonë, na e dhuro përherë atë dritë që i udhëheq njerëzit në udhën e jetës së pasosur. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër 1 Gjn 4, 9-11
Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji e dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje të tij. Dashuria përmbahet në këtë: Jo se ne e kemi dashur Hyjin, por - Ai na ka dashur ne, dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona.
Të dashur, në qoftë se Hyji na ka dashur ashtu, edhe neve na duhet ta duam njëri-tjetrin.
D Shiko, o Hyj, mburoja jonë,
C shikoje fytyrën e të Shuguruarit tënd.
Lutja
O Zot Jezu Krisht, ti që cubit të penduar i dhe hir të kalonte prej kryqit në lavdinë e mbretërisë sate, pranoje rrëfimin e përvuajtur të mëkateve tona dhe në çastin e vdekjes na e hap edhe neve derën e parajsës. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.