Ora e mesme
E kremtja e Trinisë së Shenjtë
E diela I pas Rrëshajëve
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.
Pason himni i përshtatshëm.
Ora e tretë
Himni
Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 Ty të qoftë lutja jonë, adhurimi dhe lavdia, o Trini e lavdishme.
Psalmi 118 /117/ I (1-9)
Kënga e gëzimit dhe e fitores
Jezusi është 'guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit' (Vap 4, 11).
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
e amshuar është dashuria e tij!
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
Zoti është me mua, *
s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
për asgjë i bëj armiqtë e mi.
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
se të kesh besim në princa.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ty të qoftë lutja jonë, adhurimi dhe lavdia, o Trini e lavdishme.
Ant. 2 Ti je shpresa jonë, ti je lavdia dhe shëlbimi ynë, o Trini e Shenjtë.
II (10-18)
Më rrethuan të gjithë paganët, *
i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më rrethuan porsi bletët, †
porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
ai është shpëtimtari im.
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
në tendat e të drejtëve:
»E djathta e Zotit u madhërua! †
E djathta e Zotit më lartësoi! *
E djathta e Zotit u madhërua!«
S’do të vdes, të jetoj dua, *
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti je shpresa jonë, ti je lavdia dhe shëlbimi ynë, o Trini e Shenjtë.
Ant. 3 Ne besojmë në ty, o Hyj, burim i pandryshueshëm i qenies, i jetës dhe i mençurisë.
III (19-29)
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
nëpër të do të hyjnë të drejtët.
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
të galdojmë e të gëzojmë në të!
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
deh, o Zot, jep të mbarën!
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
rendituni të gëzuar në rreshtin kremtor *
me rrema në dorë deri në ballë të altarit!
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ne besojmë në ty, o Hyj, burim i pandryshueshëm i qenies, i jetës dhe i mençurisë.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër 2 Kor 1, 21-22
Ai që na forcon në Krishtin, ne edhe ju, dhe na shuguron me vaj të shenjtë është Hyji. Ai gjithashtu na vulosi dhe na e dha në zemrat tona pengun ‑ Shpirtin Shenjt.
D Ejani në dyert e tija me lavde,
C jepni lavdi Atit, Birit dhe Shpirtit.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Gal 4, 4a. 5b-6
Hyji dërgoi Birin e vet që ne ta fitonim bijësinë në shpirt. E, prejse vërtet jeni bij: Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba - o Atë!
D O e lumtura dhe e lavdishmja Trini:
C Atë, Bir dhe Shpirti shenjt.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Zb 7, 12
Amen! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet dhe fuqi Hyjit tonë në shekuj! Amen!
D I bekuar je ti, o Zot, në lartësitë e qiellit!
C Ty të qoftë lavdi dhe nderi në shekuj!
Lutja
O Hyj Atë, ti e ke dërguar në botë Birin tënd, Fjalën e së Vërtetës dhe Shpirtin shenjtërues për t’u zbuluar njerëzve misterin e jetës sate, bëj, që me dëshmimin e besimit të vërtetë, ta njohim lavdinë tënde dhe ta adhurojmë Një të Vetmin Hyj në Tri Veta. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.