Ora e mesme

Java e dhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E mërkurë

 

Ora e mesme

 

E Tretë – e gjashtë – e nëntë

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Ora e tretë

 

   Himni

 

   Tash për ne, o Shpirt Shenjt,

   me Atin një e me Birin,

   denjohu të ndërhysh i gatshëm

   në kraharorin tonë i shkrirë.

 

   Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,

   ta rrëfejnë me të madhe

   me zjarr dashuria të ndizet

   flakërimi të ngrohë t’afërmit.

 

   Na bëj që ta kuptojmë Atin,

   të njohim edhe Birin,

   të dy edhe ty Shpirtin

   të besojmë në çdo kohë. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,

   që sundon të gjitha sendet,

   me ndriçim pajis mëngjesin

   dhe me zjarr shkëlqen mesditën.

 

   Shuaji flakët e shamatave,

   flake zjarrin e dëmprurësve,

   jepu trupave shërimin,

   dhe të vërtetën paqe zemrave.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe ti Bir baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,

   i patrandur në ty mbahesh,

   kohët e dritës së përditshme

   përcakton me shumë mbarësi.

 

   Dhe gjatë netëve lësho dritën,

   që të mos ndërpritet jeta,

   por çmimi i vdekjes shenjte

   lavdia e përjetshme të jetë.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,

   të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 E shqyrtova udhën time, o Zot: do të ec sipas ligjit tënd.

 

   Psalmi 119 /118/ VIII (57-64)

 

Zoti është pjesa e trashëgimit tim: *

   e dhashë fjalën t’i mbaj urdhërimet e tua.

T’u përluta me gjithë fuqi të zemrës: *

   ki dhembje për mua sipas fjalës që më dhe.

 

I shqyrtova hollë udhët e mia *

   dhe i ktheva hapat e mi në urdhërime të tua.

Nxitova e nuk vonova *

   për t’i zbatuar urdhërimet e tua.

Më rrethuan leqet e të patenzonëve, *

   nuk e harrova Ligjin tënd.

Në mesnatë ngrihem për të të thur lavdi *

   për shkak të vendimeve të tua të drejta.

 

Jam mik me të gjithë ata që të druajnë, *

   me ata që i zbatojnë urdhërimet e tua.

Plot është toka, o Zot, me dashurinë tënde, *

   m’i mëso rregulloret e tua.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 E shqyrtova udhën time, o Zot: do të ec sipas ligjit tënd.

 

Ant. 2 Tmerri më kaplon, o Zot, më dëgjo dhe m’u përgjigj!

 

   Psalmi 55 /54/ (2-15. 17-24) Miku që tradhton

 

   O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut? (Lk 22, 48).

 

   I (2-12)

 

Vështroje, O Hyj, lutjen time, †

   mos u fsheh para uratës sime, *

   më prano e më vështro,

 

se në mjerimin tim u shkriva në vaj, *

   prej britmës së armikut, prej ndrydhjes së mizorit.

 

Hedhin mbi mua paudhësi, *

   më sulmojnë me tërbim.

Dridhet zemra ime në mua, *

   më përshkoi tmerri i vdekjes.

 

Frikë e tmerr erdhën mbi mua, *

   më mbuloi një rrëqethje e rëndë.

Thashë: »Kush do të më japë krahë porsi pëllumbit *

   për të fluturuar e për të gjetur pushim?

 

Larg, larg do të fluturoja, *

   në shkretëtirë do të banoja.

Do ta prisja atë që më shpëton *

   nga furia e erës dhe e stuhisë.«

Shpërndaji, o Zot, pështjelloju gjuhët, *

   sepse shoh dhunë e grindje në qytet.

 

Ditën, natën qarkullojnë mbi mure, †

   në qytet paudhësi, vuajtje e prita, *

   nuk mungojnë në sheshe mujshi e tradhti.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Tmerri më kaplon, o Zot, më dëgjo dhe m’u përgjigj!

 

Ant. 3 Lëshoja kujdesin tënd Zotit: e Ai do të të japë fuqi.

 

   II (13-15. 17-24)

 

Sepse po të më shante armiku, *

   disi do të duroja,

të ishte ngritur kundër meje ai që më urren, *

   disi do të fshihesha para tij,

 

por qe ti, o njeri, shoku im, *

   miku im, i njohuri im,

me të cilin bëra shoqëri të ngushtë: *

   bashkë me turma shkonim në Shtëpinë e Hyjit!

 

Por unë do ta thërras në ndihmë Hyjin, *

   Zoti do të më japë shpëtim.

Në mbrëmje, në mëngjes, në mesditë

   do të dënes i trishtuar *

   e ai do të ma dëgjojë zërin.

 

Ai do të më shpëtojë, paqe do të më japë †

   prej atyre që më sulmojnë: *

   sepse të panumërt janë kundërshtarët e mi.

Hyji do të dëgjojë, do t’i përvujtërojë ata *

   Ai që është para të gjitha jetëve.

 

Për ata kthim nuk ka *

   e Hyjin s’e druan!

Secili ngre dorën kundër miqve të vet, *

   shkel e thyen besën e dhënë.

 

Më të butë se tëlyeni e kanë gojën, *

   zemrën e kanë të gatshme për luftim,

fjalët i kanë më të buta se vaji, *

   e ata - shpatë të nxjerra nga milli!

 

Lëshoja kujdesin tënd Zotit †

   e Ai do të të japë fuqi: *

   kurrë s’do të lejojë të bjerë poshtë i drejti.

 

Ata, o Hyj, që janë gjakpirës e shpirtkëqij *

   plandosi në gropën e varrit

që të mos jetojnë as gjysmën e ditëve të veta! *

   Por unë do të shpresoj në ty, o Zot!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lëshoja kujdesin tënd Zotit: e Ai do të të japë fuqi.

 

   Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Lp 1, 16-17a

 

   Asohere u urdhërova gjykatësve tuaj: ‘Më parë peshoni mirë çështjet e vëllezërve tuaj dhe gjykoni sipas së drejtës, qoftë ai Izraelit ose i ardhur. Në gjykim mos i mbani krahun asnjërit: njënjë dëgjojeni të voglin si të madhin dhe askënd mos druani, sepse gjykimi i përket Hyjit!

 

   D Zoti është i drejtë dhe e do drejtësinë:

   C të mirët do ta kundrojnë fytyrën e tij.

 

   Lutja

 

   O Zot, Atë i shenjtë, Hyj besnik, ti që e dërgove Shpirtin Shenjt të premtuar nga Biri yt, që ta bashkonte njerëzimin e shpërndarë për shkak të mëkatit, bëj që të jemi në botë ndërtues të vërtetë të njësisë dhe të paqes. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Is 55, 8-9

 

   Mendimet tuaja, nuk janë mendimet e mia, as udhët tuaja nuk janë udhët e mia ‑ thotë Zoti. Sepse, sikurse qielli që është i lartë në krahasim me tokën: po ashtu edhe udhët e mia janë të larta në krahasim me udhët tuaja dhe mendimet e mia në krahasim me mendimet tuaja!

 

   D Kush është si ti, o Hyj i gjithësisë?

   C Ti je i fortë, o Zot, dhe besnik ndaj fjalës sate.

 

   Lutja

 

   O Hyj i madh dhe i mëshirshëm, që na dhuron një pushim prej lodhjes së përditshme, na ndihmo në dobësinë tonë që të mund ta përfundojmë punën që e kemi filluar. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Krh. 1 Sam 16, 7

 

   Zoti tha: Mos e shikoni fytyrën dhe lartësinë e shtatit. Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën.

 

   D Më shqyrto, o Zot, dhe shikoje zemrën time;

   C më udhëzo në rrugën e jetës.

 

   Lutja

 

   O Zot Jezu Krisht, ti që për t’i shëlbuar të gjithë njerëzit i shtrive krahët e tu përmbi kryq, pranoje dhuratën e punës sonë dhe bëj që e gjithë jeta jonë të jetë e shenjtë dhe dëshmi e shëlbimit tënd. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.