Ora e mesme
Zemra e papërlyer e Virgjërës Mari
Të shtunën që vijon pas së dielës II pas Rrëshajëve
Java II e Psalterit
E shtunë
Ora e mesme
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Ora e tretë
Himni
Tash për ne, o Shpirt Shenjt,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë, thotë Zoti.
Psalmi 119 /118/ XI (81-88)
Po më shkrihet shpirti në pritje të shëlbimit tënd, *
kam besim të plotë në premtimin tënd.
Sytë po më shteren prej dëshirës së fjalës sate *
e them: »Kur do të më japësh ngushëllimin?«
U bëra si rrësheku në tym, *
por nuk i harrova rregulloret e tua.
Po edhe sa ditë do të rrojë shërbëtori yt? *
Kur do t’i gjykosh përndjekësit e mi?
Më hapën gropa krenarët *
që s’jetojnë sipas Ligjit tënd.
Të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta; *
dijekeqas më kanë salvuar: deh, më eja në ndihmë!
Për pak sa s’më rrëzuan përdhe, *
megjithatë unë nuk u shmangem urdhërimeve të tua.
Më përtërij pashë dashurinë tënde *
e unë do t’i ruaj dëshmitë e gojës sate.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë, thotë Zoti.
Ant. 2 Ti je strehimi im, o Zot, kalá e fortë përballë armikut.
Psalmi 61 /60/ (2-9) Urata e një të treturi
Nëse shtëpia jonë tokësore ‑ kjo tendë, shkatërrohet, kemi godinën prej Hyjit banesë të përjetshme, qiellore (2Kor 5, 1).
Vështroje, o Hyj, britmën time, *
dëgjoje uratën time!
Nga skaji i dheut të thërras në ndihmë, †
se më ka lëshuar zemra: *
më ço te shkëmbi ku s’mund të afrohem.
Sepse ti je shpresa ime, *
kala e fortë përballë armikut.
Përjetë do të banoj në tendën tënde, *
do të gjej mbrojtje nën sqetullën tënde,
sepse ti, o Hyji im, i pranon kushtet e mia, *
u jep trashëgim atyre që e druajnë emrin tënd.
Ditë mbi ditë shtoji jetës së mbretit, *
vjetët e tij zgjati nga breznia në brezni!
Le të mbretërojë gjithmonë ndër sytë e Hyjit: *
rojë iu bëfshin hiri dhe e vërteta!
Kështu do t’i këndoj këngë Emrit tënd pa pushim, *
do t’i plotësoj kushtet e mia si një ditë për ditë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti je strehimi im, o Zot, kalá e fortë përballë armikut.
Ant. 3 Nga tmerri i armikut, më ruaj, o Zot.
Psalmi 64 /63/ (2-11) Urata kundër tmerrit të armikut
Morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti e ta vrasin (Mt 26, 4).
Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, *
ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,
më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, *
prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.
Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, †
që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, *
për ta shigjetuar në moh të pafajshmin;
e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. *
Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija,
shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta *
e thonë: »Kush mund t’i shohë?«
Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, *
humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!
Por Hyji i shigjetoi ata, *
papritmas i mbuluan plagët.
Gjuha e vet ata i sharroi, *
kush i sheh, i habitur, luan kokën.
Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, †
do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, *
mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.
I drejti do të gëzohet në Zotin, †
në Të do ta ketë shpresën, *
me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Nga tmerri i armikut, më ruaj, o Zot.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Lp 8, 5b-6
Zoti, Hyji yt, të edukoi ashtu si edukon njeriu fëmijën e vet. Ai vepron kështu që t’i zbatosh urdhërimet e tija, të ecësh udhëve të tija e ta druash atë.
D Frika e Hyjit është e pastër, mbetet përgjithmonë;
C gjykimet e Zotit janë besnike dhe të drejta.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër 1 Mbr 2, 2b-3
Ji i fortë dhe bëhu burrë! Mbaji urdhërimet e Zotit, Hyjit tënd! Ec udhëve të tija! Mbaji ligjet e tija, urdhërimet e tija, porositë dhe dëshmitë ashtu siç shkruan në Ligjin e Moisiut që të të shkojë mbarë gjithçka të ndërmarrësh, kudo që të sillesh.
D Më udhëheq, o Hyj, rrugës sate:
C urdhërimet e tua ma gëzojnë zemrën.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Jer 6, 16a
Qëndroni në udhë e shikoni, pyetni për shtigjet e vjetra, cila udhë është e mirë, asaj ecni e paqe do të gjeni për shpirtrat tuaj.
D Fjalët e tua janë trashëgimi im përgjithmonë:
C janë gëzim për zemrën time.
Lutja
O Hyj, ti përgatite në Zemrën e shën Marisë Virgjër një banesë të denjë për Shpirtin Shenjt: bëj, që edhe ne, me ndërmjetësinë e saj, të meritojmë të bëhemi tempulli i lavdisë sate. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.