Ora e mesme

Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E diel

 

Ora e mesme

 

E Tretë – e gjashtë – e nëntë

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Ora e tretë

 

   Himni

 

   Tash për ne, o Shpirt Shenjt,

   me Atin një e me Birin,

   denjohu të ndërhysh i gatshëm

   në kraharorin tonë i shkrirë.

 

   Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,

   ta rrëfejnë me të madhe

   me zjarr dashuria të ndizet

   flakërimi të ngrohë t’afërmit.

 

   Na bëj që ta kuptojmë Atin,

   të njohim edhe Birin,

   të dy edhe ty Shpirtin

   të besojmë në çdo kohë. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,

   që sundon të gjitha sendet,

   me ndriçim pajis mëngjesin

   dhe me zjarr shkëlqen mesditën.

 

   Shuaji flakët e shamatave,

   flake zjarrin e dëmprurësve,

   jepu trupave shërimin,

   dhe të vërtetën paqe zemrave.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe ti Bir baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,

   i patrandur në ty mbahesh,

   kohët e dritës së përditshme

   përcakton me shumë mbarësi.

 

   Dhe gjatë netëve lësho dritën,

   që të mos ndërpritet jeta,

   por çmimi i vdekjes shenjte

   lavdia e përjetshme të jetë.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,

   të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin dhe ai më dëgjoi, aleluja.

 

   Psalmi 118 /117/ Kënga e gëzimit dhe e fitores

 

   Jezusi është 'guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit' (Vap 4, 11).

 

I (1-9)

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *

   Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.

 

Zoti është me mua, *

   s’druaj se ka ç’më bën njeriu.

Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *

   për asgjë i bëj armiqtë e mi.

 

Më mirë është të strehohesh te Zoti *

   se të kesh besim në njerëz.

Më mirë është të strehohesh te Zoti, *

   se të kesh besim në princa.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin dhe ai më dëgjoi, aleluja.

 

Ant. 2 E djathta e Zotit bëri mrekulli, aleluja.

 

   II (10-18)

 

Më rrethuan të gjithë paganët, *

   i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.

Rreth e përqark më rrethuan, *

   por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

 

Më rrethuan porsi bletët, †

   porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *

   por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

 

Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *

   Por Zoti qe ndihma ime.

Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *

   ai është shpëtimtari im.

 

Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *

   në tendat e të drejtëve:

 

»E djathta e Zotit u madhërua! †

   E djathta e Zotit më lartësoi! *

   E djathta e Zotit u madhërua!«

S’do të vdes, të jetoj dua, *

   do t’i kumtoj veprat e Zotit!

Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *

   por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 E djathta e Zotit bëri mrekulli, aleluja.

 

Ant. 3 Drita e Krishtit shkëlqen mbi mbarë botën, aleluja.

 

   III (19-29)

 

M’i hapni dyert e drejtësisë, *

   dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.

Ja, këtu është dera e Zotit; *

   nëpër të do të hyjnë të drejtët.

 

Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *

   dhe u bëre Shpëtimtari im.

 

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *

   erdhi e u bë guri i këndit;

Zoti e bëri këtë gjë: *

   sa mrekulli për sytë tanë!

 

Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *

   të galdojmë e të gëzojmë në të!

 

Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *

   deh, o Zot, jep të mbarën!

 

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *

   Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

 

Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †

   rendituni të gëzuar në reshtin kremtor *

   me rrema në dorë deri në ballë të lterit!

 

Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *

   Ti je Hyji im, unë të madhëroj!

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshuar është dashuria e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Drita e Krishtit shkëlqen mbi mbarë botën, aleluja.

 

   Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Rom 8, 15-16

 

   Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit.

 

   D Në ty, o Zot, është burimi i jetës,

   C në dritën tënde ne e shohim dritën.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Rom 8, 22-23

 

   E dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. Dhe jo vetëm ajo! por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin ‑ shpërblimin e trupit tonë.

 

   D Bekoje, shpirti im Zotin:

   C sepse ai të shpëton nga vdekja.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër 2 Tim 1, 9

 

   Hyji na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë - jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha qysh prej amshimit në Jezu Krishtin.

 

   D Zoti e udhëhiqte popullin e tij në shpresë:

   C bëri që të hyjë në tokën e tij të shenjtë.

 

   Lutja

 

   O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që në zbatim të urdhërimeve tua të të pëlqejmë ty me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.