Ora e mesme

Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E hënë

 

Ora e mesme

 

E Tretë – e gjashtë – e nëntë

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Ora e tretë

 

   Himni

 

   Tash për ne, o Shpirt Shenjt,

   me Atin një e me Birin,

   denjohu të ndërhysh i gatshëm

   në kraharorin tonë i shkrirë.

 

   Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,

   ta rrëfejnë me të madhe

   me zjarr dashuria të ndizet

   flakërimi të ngrohë t’afërmit.

 

   Na bëj që ta kuptojmë Atin,

   të njohim edhe Birin,

   të dy edhe ty Shpirtin

   të besojmë në çdo kohë. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,

   që sundon të gjitha sendet,

   me ndriçim pajis mëngjesin

   dhe me zjarr shkëlqen mesditën.

 

   Shuaji flakët e shamatave,

   flake zjarrin e dëmprurësve,

   jepu trupave shërimin,

   dhe të vërtetën paqe zemrave.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe ti Bir baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,

   i patrandur në ty mbahesh,

   kohët e dritës së përditshme

   përcakton me shumë mbarësi.

 

   Dhe gjatë netëve lësho dritën,

   që të mos ndërpritet jeta,

   por çmimi i vdekjes shenjte

   lavdia e përjetshme të jetë.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,

   të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 Ty, o Zot, të kërkoj, fjala jote është jeta ime.

 

   Psalmi 119 /118/ XII (89-96) Meditim i fjalës së Zotit në ligj

 

   Po ju jap një urdhër të ri: Doni njëri‑tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, doni edhe ju njëri‑tjetrin! (Gjn 13, 34).

 

E amshueshme është, o Zot, fjala jote, *

   e qëndrueshme porsi qielli.

Brez pas brezi e vërteta jote; *

   e themelove Tokën dhe ajo qëndron.

 

Me urdhrin tënd gjithçka qëndron deri më sot, *

   sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.

Po të mos ishte Ligji yt kënaqja ime, *

   do të kisha mbaruar në mjerimin tim.

 

Kurrë e për këtë jetë s’do t’i harroj urdhërimet e tua, *

   në saje të tyre ti më mban në jetë.

Yti jam: deh, ti më shpëto, *

   sepse i kërkoj me zell urdhërimet e tua.

 

Të mbrapshtët mundohen të më humbasin; *

   por unë i kujtoj porositë e tua.

Çdo përsosmërie unë i shoh kufirin: *

   por Ligji yt kufi nuk ka.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ty, o Zot, të kërkoj fjala jote është jeta ime.

 

Ant. 2 Ti je shpresa ime, o Zot, qysh prej rinisë sime!

 

   Psalmi 71 /70/ Ti, o Zot, je shpresa ime që prej ditëve të rinisë

 

   Në shpresë jini të gëzueshëm, në vështirësi të durueshëm, në uratë të qëndrueshëm! (Rom 12, 12).

 

   I (1-13)

 

Në ndore tënde, o Zot, *

   askurrë mos u turpërofsha.

Më shpëto e më dil zot pashë drejtësinë tënde, *

   prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo!

 

Ji për mua shkëmb mbrojtjeje, †

   kullë e pamposhtur për të më shpëtuar, *

   sepse ti je kështjella ime e strehimi im.

 

Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit, *

   prej dorës së derhuzdit e të dinakut.

 

Sepse ti, o Zot, je shpresa ime, *

   shpresa ime, o Zot, qysh prej rinisë sime.

 

Në ty jam mbështetur qysh prej kraharorit të nënës, †

   qysh prej prehrit të nënës ti je mbrojtësi im, *

   mburrja ime është gjithmonë në ty.

 

Për shumë njerëz u bëra çështje habie: *

   ti ishe mbrojtësi im i fuqishëm.

 

Goja ime të lavdëron pa pushim, *

   gjithë ditën të madhëron.

 

Mos më lësho dore në pleqëri, *

   kur të më lënë fuqitë, mos hiq dorë prej meje.

 

Sepse thonë armiqtë e mi për mua, *

   e ata që më vërejnë zunë njëzëri të këshillohen:

 

»Hyji hoqi dorë prej tij, salvojeni, *

   bini në të se s’ka kush i del zot.«

 

O Hyj, mos më rri larg, *

   Hyji im, shpejto të më ndihmosh.

 

Le të turpërohen e le të shuhen

   kundërshtarët e shpirtit tim, †

   le të mbulohen me marre e me turp *

   ata që ma dëshirojnë të keqen.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ti je shpresa ime, o Zot, qysh prej rinisë sime!

 

Ant. 3 Mos më braktis, o Zot, as në pleqëri!

 

   II (14-24)

 

E unë gjithmonë do të shpresoj në ty *

   e unë do t’i shumoj gjithnjë lavdet e tua.

 

Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde, †

   gjithë ditën shpëtimin tënd: *

   që s’di të ketë masë në madhëri.

 

Do ta shpall pushtetin e Zotit, *

   o Zot, do të kujtoj vetëm drejtësinë tënde.

Ti më ke mësuar, o Hyj, qysh prej rinisë sime *

   dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.

E tani në pleqëri ngarkuar me vjet, *

   o Hyj, mos hiq dorë prej meje,

derisa t’ia shpall pushtetin tënd *

   mbarë breznisë që do të vijë.

 

Pushteti yt e drejtësia jote, o Hyj, †

   arrijnë deri në qiell, sepse bëre punë të mrekullueshme! *

   O Hyj, e kush është i ngjashëm me ty?!

 

Sepse ti më çove prova shumë të mëdha, †

   por përsëri më kërthndeze në jetë *

   e përsëri më ktheve nga thellësia e tokës.

 

Rrite madhërinë time, *

   sillu prej meje e më ngushëllo.

 

Kështu edhe vetë do të të lavdëroj, †

   me harpë do të këndoj, o Hyj, të vërtetën tënde, *

   me cetër do të të këndoj ty, o Shenjti i Izraelit!

 

Do të galdojnë buzët e mia duke të kënduar ty, *

   edhe shpirti im që e ke shëlbuar.

 

Gjuha ime gjithë ditën do të flasë për drejtësinë tënde, †

   le të turpërohen e të marrohen *

   ata që kërkojnë të keqen për mua.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Mos më braktis, o Zot, as në pleqëri!

 

   Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër 2 Kor 13, 11

 

   Vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni të përmirësoheni! Ngushëllohuni dhe jini në përkim njëri me tjetrin! Jetoni në paqe e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju.

 

   D Syri i Zoti është mbi të drejtët,

   C veshi i tij drejt klithmës së tyre.

 

   Lutja

 

   O Hyj, Ati ynë, ti ia besove veprimtarisë njerëzore detyrën që t’i ndjekë arritje gjithmonë të reja, bëj që të marrim pjesë në veprën e krijimit me pranimin bijësor të vullnetit tënd, në shpirt të vëllazërisë së vërtetë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Rom 6, 22

 

   Tani, pasi jeni të liruar nga mëkati e u bëtë shërbëtorët e Hyjit, jepni fryte që ju çojnë në shenjtërim, e si rrjedhim është - jeta e pasosur.

 

   D Kthehu, o Hyj, dhe na e jep jetën:

   C dhe populli yt le të gëzohet në ty.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që je zotëruesi i vreshtit dhe i të korrave, dhe çdonjërit ia jep punën e tij dhe shpërblimin e drejtë, na ndihmo ta mbajmë peshën e ditës sonë duke e pranuar me gëzim vullnetin tënd. Nëpër Krishtin.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Kol 1, 21-22

 

   Ju që dikur ishit të përjashtuar dhe armiq për shkak të veprave tuaja të këqija, tani Hyji ju pajtoi me vete në saje të trupit të vdekshëm të Krishtit ‑ nëpër vdekje ‑ që t'ju qesë para Tij të shenjtë, të drejtë e të patëmetë.

 

   D Këndojini himne Zotit, o besimtarët e tij,

   C le t’ju bjerë ndër mend Emri i tij i shenjtë.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti na thërret ta kremtojmë lavdinë tënde në orën në të cilën apostujt po ngjiteshin në tempull, pranoje lutjen tonë në emër të Birit tënd, dhe jepua shëlbimin tënd të gjithë atyre që e thërrasin në ndihmë. Që jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.