Ora e mesme
Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
E martë
Ora e mesme
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Ora e tretë
Himni
Tash për ne, o Shpirt Shenjt,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 Dashuria është plotësimi e ligjit.
Psalmi 119 /118/ XIII (97-104)
Sa shumë e dua, o Zot, Ligjin tënd: *
gjithë ditën e bluaj me mend!
Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë e mi, *
sepse gjithmonë është me mua.
Jam më i dijshëm se të gjithë mësuesit e mi, *
sepse i kujtoj urdhërimet e tua.
Më i dijshëm jam edhe se pleqtë, *
sepse i mbaj urdhërimet e tua.
Larg i mbaj këmbët e mia nga çdo udhë e së keqes *
për t’i ruajtur urdhërimet e tua.
Nuk u shmangem gjyqeve të tua, *
sepse ti ma dhe Ligjin.
Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua, *
më të ëmbla se mjalti për gojën time.
Me anë të urdhërimeve të tua fitoj urtinë, *
prandaj urrej çdo udhë gënjeshtre.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Dashuria është plotësimi e ligjit.
Ant. 2 Le të të bjerë ndër mend Kisha jote, o Zot: është e jotja përgjithmonë.
Psalmi 74 /73/ Vajtim për shkatërrimin e Tempullit
Mos i droni ata që vrasin trupin (Mt 10, 28).
I (1-12)
Përse, o Hyj, të na përbuzësh deri në mbarim, *
të ndizet flakë felgrimi yt kundër deleve të kullotës sate?
Të të bjerë në mend bashkësia jote *
që e fitove qysh në fillim,
fisi që e bëre pronë për vete *
dhe mali Sion ku e vendose banesën tënde.
Drejtoji hapat e tu nga rrënoja e përhershme, *
- gjë s’la pa shkretuar armiku në Shenjtërore!
Armiqtë e tu ulërijnë midis kuvendit tënd, *
i vunë shenjat e veta për shenja!
Na u dukën si ata që në pyll të dendur sjellin sakicë, *
me sakica e sëpata i dërmuan dyert e tij.
Me zjarr e dogjën Shenjtëroren tënde, *
të rrafshuar përdhe e dhunuan banesën e Emrit tënd.
Thanë në zemrën e vet: »T’i shfarosim të gjithë së bashku!« *
I dogjën të gjitha vendet e shenjta në vend!
Nuk i shohim me shenjat tona, profet më nuk ka, *
dhe askush ndër ne s’di se deri kur kështu...
Deri kur, o Hyj, do të të poshtërojë armiku, *
përgjithmonë do ta përbuzë armiku Emrin tënd?
Përse e rrudh ti dorën tënde, *
të djathtën tënde pse po e mban në ijë?
E pra Hyji është mbreti ynë që nga fillimi, *
ai që çliron mbi tokë:
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Le të të bjerë ndër mend Kisha jote, o Zot: është e jotja përgjithmonë.
Ant. 3 Çohu, o Hyj, mbroje çështjen tënde.
II (13-23)
Ti me fuqinë tënde detin e ndave, *
u copëtove kokën përbindëshave të ujit.
Ia shtype kryet Leviatanit, *
ua dhe për ushqim përbindëshave të detit!
Ti bëre të rrjedhë burim e përrua, *
ti thave lumenjtë e pashtershëm.
Jotja është dita, jotja është nata, *
ti i krijove yjet edhe Diellin.
Ti i caktove kufijtë e Tokës, *
ti i përftove verën edhe dimrin.
Mos e harro këtë: armiku e vuri në lojë Zotin, *
një popull i marrë përbuzi Emrin tënd.
Mos ua jep bishave jetën e atyre që të lavdërojnë, *
mos e harro kurrë jetën e skamnorëve të tu!
Shiko me mirësi mbi Besëlidhjen tënde, *
sepse shpellat e vendit u bënë banesa dhune.
Mos lejo që i mjeri të kthehet i turpëruar: *
i vobekti dhe skamnori le ta lëvdojë Emrin tënd!
Çohu, o Hyj, mbroje çështjen tënde, *
mos i harro poshtërimet që i marri t’i bën gjithë ditën.
Mos e harro britmën e armiqve të tu: *
rropama e kundërshtarëve gjithnjë ngrihet tek ti.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Çohu, o Hyj, mbroje çështjen tënde.
Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Jer 22, 3
Kështu thotë Zoti: Zbatojeni të drejtën e drejtësinë; shpëtojeni të ndrydhurin nga dora e shfrytëzuesit; mos e merrni me të keq ardhacakun, bonjakun e të vejën. Mos ndrydhni me padrejtësi e mos derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend.
D Zoti e gjykon botën në drejtësi,
C dhe me të drejtë i gjykon popujt.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që në orën e tretë ua dhurove apostujve Shpirtin Ngushëllues, na jep edhe neve flakën e gjallë të dashurisë sate, që të mund të japim dëshmi të mirë para të gjithë njerëzve. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Lp 15, 7-8
Nëse ndonjë vëlla yti, që banon në ndonjë nga qytetet në tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë ty, bie në skamje, mos u bëj zemërgur dhe mos e rrudh dorën tënde, por hape atë për vëllain tënd skamnor e huazoji çka ka nevojë ai.
D Ti e dëgjon, o Zot, dëshirën e të përvuajturve:
C na e vër veshin dhe përforcoje zemrën tonë.
Lutja
O Hyj, ti që Pjetrit apostull ia zbulove dëshirën tënde për t’i bashkuar të gjithë popujt në një Kishë të vetme, bekoje punën tonë të përditshme dhe bëj që ajo t'i shërbejë planit tënd të shëlbimit të të gjithë njerëzve. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Fu 22, 22-23
Mos u dëfto i mujshëm me skamnorin pse është i varfër, as mos e ndrydh të papasurin në pleqëri, sepse vetë Zoti do ta marrë në dorë çështjen e tyre dhe do t'ua marrë shpirtin atyre që i plaçkitin.
D Hyji e liron atë që nuk gjen ndihmë,
C ai e shpëton jetën e të varfërve të tij.
Lutja
O Hyj, ti që e dërgove engjëllin tënd te Korneli centurion për t’ia treguar udhën e shëlbimit, bëj që të bashkëpunojmë në shëlbimin e të gjithë njerëzve, kështu që, të bashkuar në Kishën tënde, të mund t’ia arrijmë lavdisë sate. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.