Ora e mesme
Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
E enjte
Ora e mesme
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Ora e tretë
Himni
Tash për ne, o Shpirt Shenjt,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 Më përkrah si më premtove, o Zot, e do te jetoj.
Psalmi 119 /118/ XV (113-120)
I urrej ata që janë si mësalla me dy faqe *
dhe e dua Ligjin tënd.
Përkrenarja dhe shqyti im je ti, *
kam besim të plotë në fjalën tënde.
M’u hiqni sysh, o keqbërës, *
se dua t’i zbatoj urdhërimet e Hyjit tim!
Më përkrah si më premtove e do të jetoj *
dhe mos më tradhtoftë shpresa ime.
Më përkrah e do të shpëtoj, *
do të kënaqem vazhdimisht në rregulloret e tua.
Ti i urren ata që u shmangen urdhërimeve të tua, *
sepse mendimi i tyre është gënjeshtër.
Porsi ndryshkun ti i zhbin nga faqja e dheut keqbërësit, *
prandaj unë i dua dëshmitë e tua.
Trupi im më dridhet prej frikës sate, *
sepse i kam frikë gjyqet e tua.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Më përkrah si më premtove, o Zot, e do te jetoj.
Ant. 2 Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë, dhe na i fal fajet tona.
Psalmi 79 /78/ (1-5. 8-11. 13) Vajtim për shkatërrimin e Jerusalemit
O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen!... S’kanë për të lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e bëre për send kohën kur Hyji erdhi të ndihmojë (Lk 19, 42. 44).
O Hyj, e pushtuan paganët pronën tënde, †
e dhunuan Tempullin tënd të shenjtë, *
Jerusalemin e bënë një grumbull rrënojash!
Ua dhanë kufomat e shërbëtorëve të tu †
për ushqim shpendëve të qiellit, *
mishin e shenjtërve të tu bishave të malit.
Gjakun e tyre e derdhën si ujë *
përreth Jerusalemit e s’kishte kush t’i varroste!
U bëmë çnderim ndër sy të fqinjëve tanë, *
përqeshje e lojë për ata që i kemi përreth.
Po deri kur, o Zot? A do të rrish përgjithmonë i hidhëruar? *
Do të digjet si zjarri zemërimi yt?
Mos i kujto fajet e etërve tanë, †
le të na vijë në ndihmë sa më parë mëshira jote, *
sepse jemi bërë tepër të mjerë.
Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë, †
për nder të Emrit tënd e na çliro: *
pashë nderin e Emrit tënd na i fal fajet!
Pse të thonë paganët: »Ku është Hyji i tyre?« †
Le ta pranojnë ndër sy tanë paganët *
hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të t’u.
Le të arrijë tek ti gjëma e të robëruarve, †
me fuqinë e krahut tënd *
shpëtoji të dënuarit me vdekje.
E ne, populli yt - delet e kullotës sate, †
do të të lavdërojmë për amshim, *
do ta shpallim nga brezi në brez lavdinë tënde.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë, dhe na i fal fajet tona.
Ant. 3 Shiko nga qielli, o Hyj i gjithësisë, eja dhe shihe vreshtin që vetë e mbolle.
Psalmi 80 /79/ (2-20) Shikoje, o Zot, vreshtin tënd
Eja, o Zot, Jezus! (Zb 22, 20).
Dëgjo ti, o Bariu i Izraelit, *
ti që i prin Jozefit si grigjës,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe *
para Efraimit, Beniaminit e Manaseut:
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë *
për të na shpëtuar!
O Hyj, deh, na përtërij, *
kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
O Zot, Hyji i ushtrive, deri kur do të hidhërohesh *
në lutjen e popullit tënd?
Deri kur do të na ushqesh me bukë lotësh, *
e do të na japësh të pimë ujë lotësh me shumicë?
Na bëre shkak grindjeje për fqinjët tanë *
e armiqtë tanë po qeshen me ne.
O Hyj i ushtrive, deh, na përtërij, *
kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!
Vreshtin nga Egjipti e nxore *
e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove.
Tokën ia përgatite, *
lëshoi rrënjë dhe e mbushi tokën.
U mbuluan malet me hijen e tij, *
me gema të hardhisë u mbushën cedrat e Hyjit,
pinjollët e tij arritën deri në det, *
shermendet i qiti deri në Lumë.
Gardhin pse ia theve *
që ta vjelë çdo kalimtar?
E dëmtoi derri i egër, *
e kulloti çdo egërsirë.
Kthehu, Hyji i ushtrive, †
shikoje nga qielli e shihe, *
eja, shihe këtë vresht,
deli zot se ti vetë e mbolle: *
djalit që për vete e rrite.
Ata që e dogjën dhe e prenë *
le të sharrojnë prej kërcënimit të fytyrës sate.
Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate, *
mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje: *
na përtërij e do ta thërrasim Emrin tënd.
O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij, *
kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Shiko nga qielli, o Hyj i gjithësisë, eja dhe shihe vreshtin që vetë e mbolle.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Urt 19, 22
Në të gjitha mënyrat, o Zot, e madhërove, e nderove e nuk e përbuze popullin tënd, por iu gjete në ndihmë në çdo kohë e në çdo vend.
D Përtëriji, o Hyj, veprat e tua,
C shfaqe fuqinë tënde ndër paganë.
Lutja
O Hyj, ti që në orën e tretë e ndikove Shpirtin Shenjt përmbi apostujt e bashkuar në lutje, bëj që edhe ne të bëhemi pjesëtarë të këtij hiri. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Krh. Lp 4, 7
E njëmend, ku gjendet një popull tjetër aq i madhërueshëm, që t’i ketë hyjnitë e veta kaq afër vetes, sikurse është pranë nesh në të gjitha kërkesat tona Zoti, Hyji ynë?!
D Zoti është afër atyre që e thërrasin;
C ai e dëgjon britmën e tyre.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, në të cilin nuk ka errësirë as terr, le të shkëlqejë përmbi ne drita jote, që, të shndritur prej fjalës sate, të ecim drejt teje me zemër bujare dhe besnike. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Es 10, 3f.
Populli im Izraeli, janë ata që e thirrën në ndihmë Zotin. Dhe Zoti e shpëtoi popullin e vet dhe na shpëtoi ne nga të gjitha të këqijat dhe bëri shenja të mëdha e mrekulli, që nuk janë bërë kurrë ndër paganë.
D Të lavdëroj, o Zot: ti e dëgjove lutjen time,
C ti je shëlbimi im.
Lutja
Dëgjoji, o Zot, lutjet tona dhe bëj që të bashkohemi me mundimet e Birit tënd që me qëndrueshmëri ta bartim kryqin tonë të përditshëm. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.