Ora e mesme
Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
Ora e mesme
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Ora e tretë
Himni
Tash për ne, o Shpirt Shenjt,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 E pamë të përbuzur: njeri mundimesh, i regjur me vuajtje.
Psalmi 22 /21/ Vështrimi i të drejtit, të provuar me vuajtje
Jezusi klithi me zë të madh: Eli, Eli! Lema sabakthani? (Mt 27, 46).
I (2-12)
O Hyj, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje? *
Larg nga Shëlbimi im fjalët e dënesës sime!
Hyji im, kërkoj ndihmë ditën e ti nuk më përgjigjesh, *
qes kushtrimin natën e nuk gjej pushim.
E, pra, ti je Shenjti *
që banon në lavditë e Izraelit.
Në ty shpresuan etërit tanë, *
shpresuan e ti i shpëtove!
Ty të thirrën në ndihmë e gjetën shpëtim, *
në ty e vunë shpresën e nuk u turpëruan!
Vërtet unë jam krimb e jo njeri, *
turpëri e njerëzve, përbuzje e popullit.
Gjithkush më shikon, më përqesh, *
shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:
»Shpresoi në Zotin: le ta lirojë, *
le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!«
E, pra, ti më nxore nga kraharori i nënës, *
ti më bëje të sigurt në prehrin e nënës sime.
Në ndoren tënde jam që nga kraharori i nënës, *
qysh se më mbante nëna , ti je Hyji im.
Mos qëndro larg meje †
sepse rreziku është afër *
e s’kam tjetërkënd që të më ndihmojë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E pamë të përbuzur: njeri mundimesh, i regjur me vuajtje.
Ant. 2 Petkat e mia ndër vete i ndajnë, e mbi petkun tim hedhin short.
II (13-23)
Më rrethuan dema të shumtë, *
mëzetërit e Basanit më qarkuan,
përmnershëm e hapin gojën e vet në mua *
si luani që shqyen e ulërin.
Si uji u derdha, *
m’u zbërthyen eshtrat,
m’u bë zemra porsi dylli, *
shkrihet brenda kraharorit tim;
porsi tjegull m’u tha qiellza, †
gjuha më ngjitet për gurmaz: *
e ti më hodhe në pluhurin e vdekjes.
Më rrethuan qen me shumicë, *
turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah.
M’i shporuan duart e këmbët *
mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi,
e këta më këqyrin e nuk m’i ndajnë sytë. †
Petkat e mia ndër vete i ndajnë *
e mbi petkun tim qesin short.
Por ti, o Zot, mos rri larg meje, *
fuqia ime shpejto të më ndihmosh!
Ma shpëto jetën prej shpatës, *
prej thonjve të qenit të vetmen të mirë që kam!
Më shpëto prej gojës së luanit, *
prej brirëve të buajve të egër mua të gjorin.
E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd, *
do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Petkat e mia ndër vete i ndajnë, e mbi petkun tim hedhin short.
Ant. 3 Mbarë popujt e botës do të përkulen para tij.
III (24-32)
»Ju që e droni Zotin, lëvdojeni atë, †
mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë! *
Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë,
sepse nuk e përbuzi as s’e qiti në harresë *
mjerimin e skamnorit,
nuk e fshehu fytyrën e vet prej tij, *
por, kur i kërkoi ndihmë, e dëgjoi.«
Prandaj do të të lëvdoj në kuvendin e dheut, *
ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej kushtet.
Do të hanë skamnorët e do të ngihen, †
do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë: *
‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’
Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti
mbarë skajet e tokës, *
do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve.
Sepse Zoti është mbret! *
Ai i sundon kombet!
Atë, vetëm atë do ta adhurojnë *
të gjithë ata që pushojnë nën dhe,
para tij do të përmbysen *
të gjithë ata që kthehen në pluhur.
Kurse shpirti im për të do të jetojë, *
në shërbim të tij do të jetë fara ime,
breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin, †
për drejtësinë e tij do t’i tregohet popullit që vjen: *
»Kështu bëri Zoti!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Mbarë popujt e botës do të përkulen para tij.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Rom 1, 16-17
Ungjilli është fuqia e Hyjit për shëlbimin e atij që beson: më së pari për judeun e mandej për grekun. E njëmend në të zbulohet drejtësia e Hyjit me anë të fesë e për fenë, sikurse është në Shkrim shenjt: 'I drejti do të jetojë prej fesë.'
D Zemra jonë gëzohet në Hyjin,
C shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.
Lutja
O Zot Jezu Krisht, ty në orën e tretë të çuan në mundimet e kryqit për shëlbimin e mbarë botës, në mirësinë tënde fali mëkatet tona të kaluara dhe në të ardhmen na mbro prej së keqes. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Rom 3, 21-22a
Tani, pavarësisht nga Ligji, u dëftua vepra shëlbimtare e Hyjit, e dëshmuar prej Ligjit e prej Profetëve, vepra shëlbimtare e Hyjit me anë të fesë në Jezu Krishtin për të gjithë ata që besojnë.
D Vendimet e Zotit janë të drejta, e gëzojnë zemrën;
C urdhërimi i Zotit është i qartë, i ndriçon sytë.
Lutja
O Zot Jezu Krisht, ti në orën e gjashtë, kur terri e mbulonte botën, qe gozhduar në kryq, fli e pafajshme për shëlbimin tonë, na e dhuro përherë atë dritë, që i udhëheq njerëzit në udhën e jetës së pasosur. Ti që jeton.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Ef 2, 8-9
Me hir, në saje të fesë, jeni shëlbuar! Dhe kjo s'vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit! E jo me anë të veprave që ndokush të mos lavdërohet.
D Përmbi tokë le të njihet udha jote,
C shëlbimi yt, në mbarë kombet.
Lutja
O Zot Jezu Krisht, ti që cubit të penduar i dhe hir të kalonte prej kryqit në lavdinë e mbretërisë sate, pranoje rrëfimin e përvuajtur të mëkateve tona dhe në çastin e vdekjes na e hap edhe neve derën e jetës së pasosur. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.