Ora e mesme

Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E shtunë

 

Ora e mesme

 

E Tretë – e gjashtë – e nëntë

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Ora e tretë

 

   Himni

 

   Tash për ne, o Shpirt Shenjt,

   me Atin një e me Birin,

   denjohu të ndërhysh i gatshëm

   në kraharorin tonë i shkrirë.

 

   Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,

   ta rrëfejnë me të madhe

   me zjarr dashuria të ndizet

   flakërimi të ngrohë t’afërmit.

 

   Na bëj që ta kuptojmë Atin,

   të njohim edhe Birin,

   të dy edhe ty Shpirtin

   të besojmë në çdo kohë. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,

   që sundon të gjitha sendet,

   me ndriçim pajis mëngjesin

   dhe me zjarr shkëlqen mesditën.

 

   Shuaji flakët e shamatave,

   flake zjarrin e dëmprurësve,

   jepu trupave shërimin,

   dhe të vërtetën paqe zemrave.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe ti Bir baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,

   i patrandur në ty mbahesh,

   kohët e dritës së përditshme

   përcakton me shumë mbarësi.

 

   Dhe gjatë netëve lësho dritën,

   që të mos ndërpritet jeta,

   por çmimi i vdekjes shenjte

   lavdia e përjetshme të jetë.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,

   të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 Pranoje, o Zot, shërbëtorin tënd sipas dashurisë sate.

 

   Psalmi 119 /118/ XVI (121-128)

 

Veprova me drejtësi e me të drejtë, *

   mos më dorëzo te shpifësit e mi.

Hyr dorëzanë për të mirën e shërbëtorit tënd, *

   që të mos më shpifen krenarët.

 

Sytë po më shteren prej dëshirës së shëlbimit tënd *

   dhe të fjalës së drejtësisë sate.

Bëj me shërbëtorin tënd sipas dashurisë sate *

   dhe m’i mëso rregulloret e tua.

 

Unë jam shërbëtori yt, *

   më jep kuptim t’i njoh dëshmitë e tua.

Koha është të dëftohesh, o Zot, *

   se e prishën Ligjin tënd.

 

Oh, sa i dua urdhërimet e tua: *

   më tepër se arin, se gurin e çmueshëm.

Ndërgut i mbaj urdhërimet e tua të gjitha, *

   e urrej çdo udhë gënjeshtre.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Pranoje, o Zot, shërbëtorin tënd sipas dashurisë sate.

 

Ant. 2 Shikojeni Zotin e do të ndriçoheni.

 

   Psalmi 34 /33/ Zoti është shpëtimi i të drejtëve

 

   E keni sprovuar se Zoti është i mirë (1 Pjt 2, 3).

 

   I (2-11)

 

Përherë do ta bekoj Zotin, *

   në gojën time përherë lavdi i tij.

Shpirti im mburret në Zotin: *

   le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.

 

Bashkë me mua jepni lavdi Zotit, *

   le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.

E kërkova Zotin e ai më dëgjoi *

   edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.

 

Shikojeni atë e do të ndriçoheni *

   fytyra juaj nuk do të turpërohet.

 

Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi *

   dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tij.

Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre *

   që e kanë frikë dhe i shpëton.

 

Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti! *

   I lumi ai që shpreson në të!

Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij, *

   s’u mungon gjë atyre që e druajnë.

 

Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, *

   ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Shikojeni Zotin e do të ndriçoheni.

 

Ant. 3 Zoti është afër atyre që janë me zemër të copëtuar.

 

   II (12-23)

 

Ejani, o bij, e më dëgjoni: *

   do t’jua mësoj frikën e Zotit.

A e dëshiron jetën, o njeri? *

   A dëshiron ditë të shumta për të gëzuar të mirat?

 

Rrudhe gjuhën tënde prej së keqes, *

   gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare.

Ik prej së keqes e bëj të mirën, *

   kërkoje paqen e ndiqe atë!

 

Sytë e Zotit këqyrin të drejtët, *

   veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.

Fytyra e Zotit është kundër keqbërësve *

   për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.

 

Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon, *

   i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.

Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër, *

   i shpëton shpirtpërgrirët.

 

Sado të vështira të ketë i drejti, *

   prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.

Zoti i ruan eshtrat e tyre: *

   asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.

 

E keqja e vet do ta vrasë bakeqin, *

   e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin.

Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet, *

   nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti është afër atyre që janë me zemër të copëtuar.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër 1 Sam 15, 22

 

   A ndoshta Zoti i parapëlqen flitë e shkrumbimit e theroret më fort se të dëgjohet fjala e tij? Më e mirë është dëgjesa se therorja, më mirë të dëgjosh se dhjami i deshve.

 

   D Kushtimi i lavdit i pëlqen Hyjit;

   C ai që ecën udhës së drejtë do ta ketë shëlbimin.

 

   Lutja

 

   O Hyj, Atë i gjithëpushtetshëm, jepi dritën e Shpirtit Shenjt kësaj familjeje të bashkuar në emrin tënd, që, e mbrojtur prej sulmeve të armikut, të gëzohet gjithmonë në lavdinë tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Gal 5, 26; 6, 2

 

   Mos të jepemi mbas lavdisë së kotë! Mos ta ngacmojmë njëri‑tjetrin! Mos t'ia kemi smirë njëri‑tjetrit! Mbartni njëri‑tjetrit barrën e kështu do ta plotësoni Ligjin e Krishtit.

 

   D Është bukur kur vëllezërit jetojnë së bashku:

   C Zoti i mbush me bekimet e veta.

 

   Lutja

 

   O Zot, zjarr dashurie, na e dhuro flakën e Shpirtit tënd që të të duam ty mbi çdo gjë dhe vëllezërit tanë me dashurinë tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Mik 6, 8

 

   T'është dëftuar ç'është e mirë, o njeri, e çka Zoti kërkon prej teje: s'kërkon tjetër pos të zbatosh drejtësinë, të duash mirësinë, të jetosh kujdesshëm me Hyjin tënd!

 

   D Në urdhërimet e tua, o Zot, është gëzimi im;

   C nuk e harroj fjalën tënde.

 

   Lutja

 

   Dëgjoje, o Hyj, lutjen tonë me ndërmjetësinë e së lumturës Virgjërës Mari dhe na e jep paqen tënde, që në çdo ditë të jetës sonë të mund të kushtohemi me gëzim në shërbimin tënd dhe t’ia arrijmë lumturisë së mbretërisë sate. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.