Ora e mesme
Java e dymbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E hënë
Ora e mesme
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Ora e tretë
Himni
Tash për ne, o Shpirt Shenjt,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 Drejtoji, o Zot, hapat e mi me premtimin tënd.
Psalmi 119 /118/ XVII (129-136) Meditim i fjalës së Zotit në ligj
Dashuria është zbatimi i përsosur i Ligjit (Rom 13, 10).
Të mrekullueshme janë dëshmitë e tua, *
prandaj i mban shpirti im.
Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon: *
të miturit i bën të urtë.
Hap gojën e marr frymë *
i mallëngjyer për porositë e tua.
Kthehu prej meje e ki mëshirë për mua *
ti që je i drejtë për ata që e duan Emrin tënd.
Drejtoji hapat e mi sipas fjalës sate, *
të mos më sundojë asnjë e keqe.
Më shpëto prej shpifjeve të njerëzve, *
që t’i ruaj urdhërimet e tua.
Ndrite fytyrën tënde mbi shërbëtorin tënd *
dhe m’i mëso urdhërimet e tua.
Sytë e mi derdhën rrëke lotësh, *
sepse nuk mbahet Ligji yt.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Drejtoji, o Zot, hapat e mi me premtimin tënd.
Ant. 2 Vetëm një është ligjvënës e gjykatës, e ti kush je, që ta gjykosh të afërmin tënd?
Psalmi 82 /81/ (1-8) Kundër gjyqtarëve të padrejtë
Gjykatësi im është Zoti: prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti (1 Kor 4, 5).
Hyji u ngrit në kuvendin hyjnor, *
po gjykon midis hyjnorëve.
»Deri kur do të gjykoni padrejtësisht *
e krah do t’u mbani të paudhëve?
Dilni zot të ligshtit e të mjerit, *
jepjani të drejtën të përvujtit e skamnorit!
Lironi të ndrydhurin e të vobektin, *
shpëtojeni prej thonjve të paudhit!«
Por ata s’kuptojnë, vesh nuk marrin, †
ecin nëpër errësirë; *
po lëkunden të gjitha themelet e tokës!
E pra, unë thashë: »Ju jeni zota, *
bij të Tejetlartit të gjithë!«
Por të gjithë do të vdisni si njerëzit, *
poshtë do të bini si një, ju, o princa!
Ngrihu, o Hyj, gjykoje tokën, *
sepse me të drejtë je Pronari i të gjitha kombeve!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Vetëm një është ligjvënës e gjykatës, e ti kush je, që ta gjykosh të afërmin tënd?
Ant. 3 E thirra Zotin, dhe ai e dëgjoi zërin tim.
Psalmi 120 /119/ (1-7) Dëshira për paqen e rrezikuar prej të paudhëve
Ai është Paqja jonë, erdhi t'ju kumtojë paqen juve që ishit larg edhe atyre që ishin ngjat (Krh. Ef 2, 14. 17. 16).
Në ngushticë e thirra në ndihmë Zotin *
dhe ai më dëgjoi.
Më shpëto, o Zot, prej buzëve gënjeshtare, *
prej gjuhës qëllimisht gënjyese.
Vallë, ç’duhet të jepet *
ose si të shpaguhesh, o gjuhë qëllimisht gënjyese?
Shigjeta luftëtari të mprehta, *
të skuqura me gaca pishash!
I mjeri unë që rri në Mosok *
dhe banoj në tendat e Cedarit!
Tepër gjatë jetoi shpirti im me këta *
që e urrejnë paqen!
Unë jam për paqe, por kur flas, *
ata kërkojnë luftë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 E thirra Zotin, dhe ai e dëgjoi zërin tim.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Lev 20, 26
T’ju kem shenjtër, sepse i shenjtë jam unë Zoti dhe ju ndava veçmas prej popujve të tjerë që të jeni të mitë.
D Lum kombi që e ka Hyjin Zot,
C populli, që ai e zgjodhi trashëgimtar të vetin.
Lutja
O Hyj, Ati ynë, ti ia besove veprimtarisë njerëzore detyrën që t’i ndjekë arritje gjithmonë të reja, bëj që të marrim pjesë në veprën e krijimit me pranimin bijësor të vullnetit tënd, në shpirt vëllazërie të vërtetë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Urt 15, 1. 3
Ti, Hyji ynë, je i butë e besnik, i durueshëm dhe gjithçka drejton me mëshirë. Njohja jote, njëmend, është drejtësi e përsosur, të pranuarit e pushtetit tënd është rrënjë e pavdekësisë.
D Hyj i mëshirës dhe i hirit,
C i ngadalshëm në hidhërim e i madh në dashuri.
Lutja
O Hyj, ti që je zotëruesi i vreshtit dhe i të korrave, dhe çdonjërit i dorëzon punën e tij dhe shpërblimin e drejtë, na ndihmo ta mbajmë peshën e ditës sonë duke e pranuar me gëzim vullnetin tënd. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Bar 4, 21-22
Zemër, o bij, në ndihmë thirreni Hyjin, Ai do t'ju shpëtojë nga dhuna, nga duart e armiqve tuaj! Sepse shpresën e kam në të Amshueshmin, Ai do t'jua sjellë shpëtimin, prej Shenjtit e pres gëzimin: për së shpejti do t'ju mëshirojë, i Amshueshmi, Shëlbuesi juaj!
D Le të të bjerë në mend, o Hyj, dashuria jote,
C besnikëria jote që është përgjithmonë.
Lutja
O Hyj, ti që na thërret ta kremtojmë lavdinë tënde në orën kur apostujt po ngjiteshin në tempull, pranoje lutjen tonë në emër të Birit tënd dhe jepua shëlbimin tënd të gjithë atyre që e thërrasin në ndihmë. Ti që jeton
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.