Ora e mesme
24 qershor Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit
Ora e mesme
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Pason himni i përshtatshëm.
Ora e tretë
Himni
Tani neve, o Shpirti i Shenjt,
një me Atin e Birin,
denjohu i gatshëm t’futesh
i reshur n’parzëm tonë.
Gojë, gjuhë, mendje, forcë, shqise
të ushtojnë duke rrëfyer,
me zjarr t’flakrojë dashtënia,
nxehtësia t’i ngrohë shokët.
Nëpër ty t’kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
ty Shpirtin e të dyve
t’besojmë në gjitha kohët. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe t’vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që jeta të mos ndërpritet,
por çmimi i vdekjes shenjte
të jetë lavdia e përjetshme.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e tretë
Ant. Do të jetë i madh para Zotit, dhe plot me Shpirtin Shenjt që në kraharorin e s’ëmës.
Psalmi 119 /118/ VI (41-48)
Ma jep, o Zot, mëshirën tënde, *
shëlbimin tënd sikurse m’u zotove.
Do t’u përgjigjem atyre që më poshtërojnë *
se shpresoj në fjalën tënde.
Kurrë mos e hiq prej gojës sime fjalën e së vërtetës, *
sepse kam besim në gjyqet e tua.
E unë do ta mbaj Ligjin tënd përherë, *
në shekuj e në jetë të jetës.
Do të eci udhës së gjerë, *
sepse i kërkoj urdhërimet e tua.
Para mbretërve do të flas për dëshmitë e tua *
e nuk do të më vijë turp.
Do të kënaqem në urdhërimet e tua, *
që aq shumë i kam për zemër.
I lartësoj duart e mia drejt urdhërimeve të tua që i dua, *
e do t’i bluaj në mendje rregulloret e tua.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Do të jetë i madh para Zotit, dhe plot me Shpirtin Shenjt që në kraharorin e s’ëmës.
Ant. Elizabeta i tha Marisë: Posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim, aleluja.
Psalmi 40 /39/ (2-14. 17-18)
Falënderim dhe lutje për ndihmë
Për këtë arsye Krishti duke hyrë në botë, thotë: Fli e kusht ti nuk deshe, por ma ke bërë gati trupin (Heb 10, 5).
I (2-9)
Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin †
dhe ai u prir drejt meje, *
e vështroi britmën time.
Ai më nxori nga gropa e mjerimit, *
nga gropa plot baltë,
këmbët m’i qiti mbi shkëmb *
dhe m’i bëri të fortë hapat.
Në gojë më vuri një këngë të re, *
himnin e Zotit, Hyjit tonë.
Shumë do të shohin e do të druajnë *
dhe do të shpresojnë në Zotin.
I lumi ai që shpresën e vet e vë në Zotin *
që nuk i nderon krenarët e ata që i mbështeten rrenës.
Shumë mrekulli bëre, o Zot, Hyji ynë, †
të mrekullueshme janë qëllimet e tua me ne: *
nuk gjendet një tjetër i ngjashëm me ty!
Nëse dua t’i shpall e t’i tregoj, *
janë aq shumë, saqë s’mund t’i numëroj.
Fli e dhurata ti nuk do, *
vetë ma zbulove vullnetin tënd:
fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon, *
atëherë thashë: »Ja, po vij unë.
Në Librin e Ligjit shkruan për mua: †
Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj, *
Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Elizabeta i tha Marisë: Posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim, aleluja.
Ant. Ky fëmijë do të jetë i madh para Hyjit: dhe dora e Zotit do të jetë me të.
II (10-14. 17-18)
Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut, *
shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di.
Nuk e fsheha drejtësinë tënde në zemrën time, *
do ta kumtoj të vërtetën tënde dhe shpëtimin tënd,
kurrë s’e mohova mirësinë tënde *
e të vërtetën tënde në kuvendin e dheut.
E ti, o Zot, mos m’i moho përdëllimet e tua, *
dashuria jote dhe e vërteta jote më ruajtshin vazhdimisht,
sepse më rrethuan të këqija të panumërta, *
më pushtuan fajet e mia e nuk më lënë të shoh:
më shumë janë se fijet e flokëve të kresë, *
kështu që edhe zemra po më lëshon.
Denjo, o Zot, të më shpëtosh, *
o Zot, nxito të më ndihmosh!
Kurse le të gëzohen e le të galdojnë me ty, *
të gjithë ata që të kërkojnë ty
e të thonë vazhdimisht: »I madhërishëm është Zoti!«, *
të gjithë ata që e duan shëlbimin tënd.
Njëmend jam skamnor e i vobektë *
porse Zoti kujdeset për mua.
Ti je ndihma ime dhe shpëtimi im: *
Hyji im, deh, mos vono.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ky fëmijë do të jetë i madh para Hyjit: dhe dora e Zotit do të jetë me të.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Is 49, 1
Më dëgjoni, o ishuj, vështroni me kujdes, popuj të largët: Zoti më thirri prej prehrit të nënës, prej barkut të nënës sime iu kujtua emri im.
D E pashë Shpirtin se si zbriste mbi Krishtin:
C Ai do të pagëzojë në Shpirtin Shenjt.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Krh. Is 49, 5-6
Thotë Zoti që më trajtoi shërbëtor për vete që nga kraharori i nënës: “Të caktoj të jesh drita e popujve që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës!”.
D Prej barkut të nënës Zoti më thirri:
C që nga kraharori i nënës sime
e shqipëroi emrin tim.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Is 49, 7b
Mbretërit do të shohin e do të ngrihen në këmbë, gjithashtu princat, e do të bien përmbys, për shkak të Zotit që është besnik, të Shenjtit të Izraelit që ty të zgjodhi!
D Ja, unë i vë fjalët e mia në gojën tënde:
C do të të mbroj në mes të popujve dhe mbretërive.
Lutja
O Hyj, ti e dërgove shën Gjonin Pagëzues që ta përgatiste popullin për ardhjen e Mesisë Zot; dhuroja Kishës sate gëzimin shpirtëror dhe drejtoje shpirtin e të gjithë besimtarëve udhës së shëlbimit e të paqes. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.