Ora e mesme

Java e katërmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E enjte

 

Ora e mesme

 

E Tretë – e gjashtë – e nëntë

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Ora e tretë

 

   Himni

 

   Tash për ne, o Shpirt Shenjt,

   me Atin një e me Birin,

   denjohu të ndërhysh i gatshëm

   në kraharorin tonë i shkrirë.

 

   Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,

   ta rrëfejnë me të madhe

   me zjarr dashuria të ndizet

   flakërimi të ngrohë t’afërmit.

 

   Na bëj që ta kuptojmë Atin,

   të njohim edhe Birin,

   të dy edhe ty Shpirtin

   të besojmë në çdo kohë. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,

   që sundon të gjitha sendet,

   me ndriçim pajis mëngjesin

   dhe me zjarr shkëlqen mesditën.

 

   Shuaji flakët e shamatave,

   flake zjarrin e dëmprurësve,

   jepu trupave shërimin,

   dhe të vërtetën paqe zemrave.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe ti Bir baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,

   i patrandur në ty mbahesh,

   kohët e dritës së përditshme

   përcakton me shumë mbarësi.

 

   Dhe gjatë netëve lësho dritën,

   që të mos ndërpritet jeta,

   por çmimi i vdekjes shenjte

   lavdia e përjetshme të jetë.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,

   të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 Fjala jote është për mua më e mirë se mijëra monedha ari e argjendi.

 

   Psalmi 119 /118/ IX (65-72)

 

I bëre mirë, o Zot, shërbëtorit tënd *

   ashtu si ia dhe fjalën.

Ma mëso mirësinë, urtinë e dijen, *

   sepse u besoj urdhërimeve të tua.

 

Para se sprovova vuajtjen u enda larg teje, *

   por tani unë e mbaj fjalën tënde.

Ti je i mirë e bën mirë, *

   ma mëso vullnesën tënde.

 

Krenarët përbluajnë kundër meje tradhti, *

   por unë me gjithë zemër do t’i mbaj urdhërimet e tua.

U trash zemra e tyre si dhjami, *

   ndërsa unë kënaqem në Ligjin tënd.

 

Është mirë për mua që vuajta, *

   kështu do ta mësoj vullnesën tënde.

Më i mirë është për mua Ligji yt *

   se me mijëra ar e argjend.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Fjala jote është për mua më e mirë se mijëra monedha ari e argjendi.

 

Ant. 2 Lavdi fjalës sate, o Zot: në ty e vura shpresën, nuk do të trembem.

 

   Psalmi 56 /55/ (2-7b. 9-14) Shpresa në fjalën e Zotit

 

   Përshkruhet Krishti në mundim (Shën Jeronimi).

 

Ki mëshirë për mua, o Hyj, se po më shkel armiku, *

   sulmuesi im po më ngushton gjithë ditën.

Armiqtë e mi po më shqelmojnë çdo ditë *

   e sulmuesit e mi janë tepër shumë, o i Tejetlartë!

 

Atë ditë që do të më kapë frika, *

   në Ty do ta vë shpresën!

Në Hyjin, të cilit ia lavdëroj fjalën, †

   në Hyjin e kam vënë shpresën, nuk trembem: *

   çka mund të më bëjë njeriu?

 

Çdo ditë m’i shpjegojnë mbrapsht fjalët, *

   s’mendojnë tjetër pos për të ma bërë shpellën:

 

kallin grindje, më vënë pusi, m’i ruajnë hapat, *

   mendojnë kryet të ma hanë!

 

Ti i ke numëruar ditët e mërgimit tim, †

   lotët e mi mblidhi në rrëshiqin tënd! *

   A thua s’janë të shkruar në librin tënd?

 

Atëherë armiqtë e mi do të zmbrapsen †

   kur ta kërkoj ndihmën tënde, *

   sepse e di mirë se Hyji është me mua.

 

I jap lavdi premtimit të Hyjit, *

   e madhëroj premtimin e Zotit.

Në Hyjin kam vënë shpresën, nuk do të trembem: *

   çka mund të më bëjë njeriu?

 

Me ty, o Hyj, më lidhin kushtet e mia, †

   do të të kushtoj fli falënderjeje, *

   sepse ma ke shpëtuar jetën prej vdekjes,

 

këmbët e mia prej rrëzimit †

   që të mund të eci në praninë e Hyjit, *

   në dritën e të gjallëve.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Lavdi fjalës sate, o Zot: në ty e vura shpresën, nuk do të trembem.

 

Ant. 3 E madhe deri në qiell është dashuria jote, o Zot!

 

   Psalmi 57 /56/ (2-12) Lutja e mëngjesit në vuajtje

 

   Ky psalm bën fjalë për mundimin e Zotit (Shën Augustini).

 

Ki mëshirë për mua, o Hyj, ki mëshirë për mua, *

   sepse shpirti im mbështetet në Ty,

po strehohem nën hijen e krahëve të tu *

   derisa të më kalojë rreziku i pritës.

 

Do ta thërras në ndihmë Hyjin e Tejetlartë, *

   Hyjin që më bën mirë.

 

Do të ma dërgojë ndihmën prej qiellit e do të më shpëtojë, †

   do t’i turpërojë ata që më shtypin, *

   Hyji do ta dërgojë mëshirën e të vërtetën e vet.

 

Shpirti im banon midis luanëve *

   që i përpijnë bijtë e njerëzve.

Dhëmbët e tyre heshta e shigjeta, *

   gjuha e tyre shpatë e mprehtë.

 

Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, *

   përmbi mbarë tokën lavdia jote!

 

Këmbëve të mia u vunë leqe, *

   e ngushtuan shpirtin tim,

para meje e hapën gropën: *

   ata vetë ranë brenda!

 

Zemra ime është gati, o Hyj, *

   gati është zemra ime:

 

do të këndoj, këngës do t’ia them! *

   Zgjohu, lavdia ime,

Zgjohu, o harpë e cetër, *

   dua ta zgjoj agimin!

 

Do të të lavdëroj ndër popuj, o Zot, *

   ty do të të këndoj ndër kombe.

Sepse u madhërua deri në qiell dashuria jote, *

   e deri në re e vërteta jote!

 

Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, *

   përmbi mbarë tokën lavdia jote!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 E madhe deri në qiell, është dashuria jote, o Zot!

 

   Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Gal 5, 13-14

 

   Vërtet, vëllezër, ju jeni të grishur në liri! Por, kini kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si do trupi, por ‑ me dashuri shërbeni njëri‑tjetrit! Sepse i tërë Ligji përmblidhet në këtë urdhër: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!

 

   D O Zot, unë ec udhës së urdhërimeve të tua,

   C sepse ti e zgjeron zemrën time.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që në orën e tretë e zbraze Shpirtin Shenjt përmbi apostuj të bashkuar në lutje, bëj që edhe ne të marrim pjesë në dhuratën e hirit të tij. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Gal 5, 16-17

 

   Jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t'i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. Sepse mishi e gjaku me dëshirat e veta i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti i kundërshton mishit e gjakut: këta të dy janë në kundërshtim njëri me tjetrin që të mos bëni çka dëshironi.

 

   D Ti je i mirë, o Zot, dhe burim i çdo të mire:

   C ma trego vullnetin tënd.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, në ty nuk ka errësirë as terr, le të shkëlqejë përmbi ne drita jote, që, të shndritur prej fjalës sate, të ecim drejt teje me zemër bujare dhe besnike. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Gal 5, 22. 25

 

   Fryti i shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria. Nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëheqemi edhe nën drejtimin e Shpirtit Shenjt.

 

   D Ma mëso udhën nëpër të cilën duhet të ec, o Zot:

   C shpirti yt i mirë le të më udhëheqë

   nëpër një tokë të rrafshtë.

 

   Lutja

 

   Dëgjoji, o Zot, lutjet tona dhe bëj që të bashkohemi me vuajtjet e Birit tënd që me qëndrueshmëri ta bartim kryqin tonë të përditshëm. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.