Ora e mesme
Java e katërmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E premte
Ora e mesme
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Ora e tretë
Himni
Tash për ne, o Shpirt Shenjt,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 Le të më ngushëllojë mëshira jote, o Zot sipas premtimit tënd.
Psalmi 119 /118/ X (73-80)
Duart e tua më bënë e më dhanë trajtë, *
më jep kuptim t’i mësoj urdhërimet e tua.
Kur më shohin ata që ty të druajnë, gëzohen, *
sepse shpresova në fjalën tënde.
E di, o Zot, se gjyqet e tua janë të drejta, *
me plot të drejtë më përule.
Le të më ngushëllojë, pra, mëshira jote *
sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.
Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj, *
sepse Ligjit yt është kënaqja ime.
Le të turpërohen krenarët pse dijekeqas më poshtërojnë, *
e unë do t’i kujtoj urdhërimet e tua.
Le të sillen drejt meje ata që ty të druajnë, *
ata që i njohin dëshmitë e tua.
U përsostë zemra ime në rregulloret e tua, *
që kurrë të mos trupërohem.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Le të më ngushëllojë mëshira jote, o Zot sipas premtimit tënd.
Ant. 2 Më shpëto prej armiqve të mi, o Hyj, kur sulen kundër meje.
Psalmi 59 /58/ (2-5. 10-11. 17-18) Urata për mbrojtje prej të paudhëve
Psalmi sjell jehonën e lutjes plot dashuri që Jezusi ia drejtoi Atit (Krh. Eusebi i Cesaresë).
Hyji im, më shpëto prej armiqve të mi, *
më mbro prej sulmuesve të mi!
Më shpëto prej atyre që bëjnë të keqen, *
më shpëto prej atyre që derdhin gjak!
Ja, ia vunë pritën jetës sime, *
u sulën kundër meje të fortët!
E pra, unë s’kam faj as mëkat, o Zot, †
pa pasur në mua paudhësi bëhen gati të më sulmojnë! *
Çohu, eja e shiko,
Fuqia ime, ty të pres, *
sepse ti, o Hyj, je kështjella ime.
Hyji im, mëshira jote do të më mbërrijë me kohë, *
Hyji do të bëjë nga lart t’i shikoj armiqtë e mi.
Kurse unë do ta këndoj fuqinë tënde, *
në mëngjes do ta lartësoj dashurinë tënde,
sepse ti qe kështjella ime, *
strehimi im në ditën e rrezikut tim.
Fuqia ime, ty dëshiroj të të këndoj, †
sepse, ti o Hyj, je kështjella ime: *
Hyji im, mëshira ime!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Më shpëto prej armiqve të mi, o Hyj, kur sulen kundër meje.
Ant. 3 Lum njeriu që Hyji e sprovon: sepse Zoti godet dhe shëron.
Psalmi 60 /59/ (3-13) Uratë pas fatkeqësisë
Në botë keni vuajtje, por mos u trembni ‑ unë e munda botën! (Gjn 16, 33).
O Hyj, ti na flake tej, na theve: *
ishe zemëruar! Kthehu prapë te ne!
E tunde dheun, copë e ndave, *
shëroja plasat se po fundoset!
Bëre që populli yt të shohë të vështira të mëdha, *
na dhe të pimë verë që të merr mendtë!
Por ti u dhe shenjë të dashurve të tu *
të tërhiqen nga goditja e harkut,
por që të shpëtojnë të dashurit e tu *
ndihmo me të djathtën tënde e na dëgjo!
Hyji foli në Shenjtëroren e vet: †
»Do të gëzohem, do ta ndaj Sikemin, *
do ta mas Luginën Sukot!
Imi është Galaadi, imi Manaseu, †
Efraimi është përkrenarja ime, *
Juda skeptri im,
Moabi legeni ku unë lahem, †
në Edom do ta hedh këpucën time, *
mbi filistenj do të brohoras fitoren!«
Kush do të më çojë deri në fortesë! *
Kush do të me prijë deri në Idume?
Vallë, mos jo ti, o Hyj, që na flake tej, *
vallë a s’do të dalësh, o Hyj, me forcat tona?
Deh, na ndihmo në ditë të ngushtimit, *
sepse s’ka shpëtim prej ndihmës së njeriut!
Bashkë me Hyjin mrekulli do të bëjmë, *
ai do t’i shqelmojë armiqtë tanë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lum njeriu që Hyji e sprovon: sepse Zoti godet dhe shëron.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Lp 1, 31b
Zoti, Hyji yt, të ka mbartur ngrykë, ashtu siç e mbart njeriu fëmijën e vet, në çdo udhë nëpër të cilën ratë deri që erdhët në këtë vend.
D Me fjalën tënde më mbaj dhe do të kem jetë:
C mos më zhgënje në shpresën time.
Lutja
O Zot Jezu Krisht, ty në orën e tretë të çuan në mundimet e kryqit për shëlbimin e mbarë botës, në mirësinë tënde fali mëkatet tona të kaluara dhe në të ardhmen na mbro prej së keqes. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Bar 4, 28-29
Siç menduat të largoheni prej Hyjit tani të kthyer, shumëfishoni ta lypni kujdesin: sepse Ai që mbi ju i çoi provat do t'ju çojë gëzim të përhershëm së bashku me shëlbimin tuaj.
D Te Zotit është dashuria,
C i madh është shëlbimi i tij.
Lutja
O Zot Jezu Krisht, ti në orën e gjashtë, kur terri po e mbulonte botën qe gozhduar në kryq, fli e pafajshme për shëlbimin tonë, na e dhuro përherë atë dritë, që i udhëheq njerëzit në udhën e jetës së pasosur. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Urt 1, 13-15
Hyji nuk e krijoi vdekjen dhe nuk i gëzohet bjerrjes së të gjallëve. Sepse ai gjithçka krijoi që të jetojë; dhe, në botë, breznitë janë shpëtimprurëse e në to nuk ka vrer shkatërrues dhe Nëntoka nuk e sundon tokën: sepse drejtësia është e pavdekshme.
D O Zot, ti më lirove nga vdekja:
C do të ec në praninë tënde në tokën e të gjallëve.
Lutja
O Zot Jezu Krisht, ti që cubit të penduar i dhe hir të kalonte prej kryqit në lavdinë e mbretërisë sate, pranoje rrëfimin e përvuajtur të mëkateve tona dhe në çastin e vdekjes na e hap edhe neve derën e parajsës. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.