Ora e mesme
11 korrik, Shën Benedikti, abat
Ora e mesme
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Pason himni i përshtatshëm.
Himni
Tani neve, o Shpirti Shenjt,
një me Atin e Birin,
denjohu i gatshëm t’futesh
i reshur n’parzëm tonë.
Gojë, gjuhë, mendje, forcë, shqise
të ushtojnë duke rrëfyer,
me zjarr t’flakrojë dashtënia,
nxehtësia t’i ngrohë shokët.
Nëpër ty t’kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
ty Shpirtin e të dyve
t’besojmë në gjitha kohët. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe t’vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që jeta të mos ndërpritet,
por çmimi i vdekjes shenjte
të jetë lavdia e përjetshme.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e tretë
Ant. 1. E përsosur është dashuria në atë që mban fjalën e Krishtit.
Psalmi 118 /117/ I (1-9)
Kënga e gëzimit dhe e fitores
Jezusi është 'guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit' (Vap 4, 11).
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
e amshuar është dashuria e tij!
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
Zoti është me mua, *
s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
për asgjë i bëj armiqtë e mi.
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
se të kesh besim në princa.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1. E përsosur është dashuria në atë që mban fjalën e Krishtit.
Ant. 2. Ai që e bën vullnetin e Atit tim që është në qiell do të hyjë në Mbretërinë e tij.
II (10-18)
Më rrethuan të gjithë paganët, *
i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më rrethuan porsi bletët, †
porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
ai është shpëtimtari im.
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
në tendat e të drejtëve:
»E djathta e Zotit u madhërua! †
E djathta e Zotit më lartësoi! *
E djathta e Zotit u madhërua!«
S’do të vdes, të jetoj dua, *
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 2. Ai që e bën vullnetin e Atit tim që është në qiell do të hyjë në Mbretërinë e tij.
Ant. 3. Askurrë askush nuk i pa, o Hyj, ato gjëra që ti i përgatite për ata që shpresojnë në ty.
III (19-29)
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
nëpër të do të hyjnë të drejtët.
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
të galdojmë e të gëzojmë në të!
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
deh, o Zot, jep të mbarën!
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
rendituni të gëzuar në rreshtin kremtor *
me rrema në dorë deri në ballë të lterit!
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3. Askurrë askush nuk i pa, o Hyj, ato gjëra që ti i përgatite për ata që shpresojnë në ty.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Krh. Gal 6, 7b-8
Çka kush mbjell, atë edhe do të korrë! Kush mbjell në trup të vet, nga trupi do të korrë shkatërrimin, e kush mbjell në Shpirt, nga Shpirti do të korrë jetën e pasosur.
D Zoti i udhëheq të varfrit në drejtësi,
C të përvuajturve ua mëson udhën e vet.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Krh. 1 Kor 9, 26-27
Unë ashtu vrapoj ‑ jo si pa qëllim, ashtu grushtoj ‑ jo si të gjuaja ajrin, por e marr me të keq trupin tim dhe e mbaj nën sundim që, duke u pas predikuar të tjerëve, të mos jem i përjashtuar vetë.
D Lum njeriu që ti e mëson, o Zot,
C dhe e drejton në ligjet e tua.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Krh. Fil 4, 8. 9
O vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. Dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.
D Le të gëzohen ata që shpresojnë në ty,
C do të banosh me ta e ata do të jenë të lumtur përgjithmonë.
Lutja
O Hyj, ti e bëre shën Benediktin abat mësues të shquar për ata që i kushtohen shërbimit tënd, bëj, të të duam ty mbi gjithçka e të vrapojmë me zemër të çiltër udhës së urdhërimeve të tua. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.