Ora e mesme
22 korrik, Shën Maria Magdalenë
Ora e mesme
Zgjidhni njërën nga tre orët sipas kohës në të cilën luteni.
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)
Ora e tretë
Himni
Tash për ne, o Shpirti i Shenjt,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ant. E thirra Zotin, dhe ai e dëgjoi zërin tim.
Psalmi 120 /119/ (1-7)
Dëshira për paqe të rrezikuar prej të mbrapshtëve
Ai është Paqja jonë, erdhi t'ju kumtojë paqen juve që ishit larg edhe atyre që ishin afër (Krh. Ef 2, 14. 17. 16).
Në ngushticë e thirra në ndihmë Zotin *
dhe ai më dëgjoi.
Më shpëto, o Zot, prej buzëve gënjeshtare, *
prej gjuhës qëllimisht gënjyese.
Vallë, ç’duhet të të jepet *
ose si të shpaguhesh, o gjuhë qëllimisht gënjyese?
Shigjeta luftëtari të mprehta, *
të skuqura me gaca pishash!
I mjeri unë që rri në Mosok *
dhe banoj në tendat e Cedarit!
Tepër gjatë jetoi shpirti im me këta *
që e urrejnë paqen!
Unë jam për paqe, por kur flas, *
ata kërkojnë luftë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E thirra Zotin, dhe ai e dëgjoi zërin tim.
Ant. 2 Ki kujdes për ne, o Zot, kur të dalim dhe kur të hyjmë, tani e përgjithmonë.
Psalmi 121 /120/ (1-7)
Rojtari i Izraelit
Më kurrë s'do të kenë uri, më kurrë s'do të kenë etje, më s'do t'i djegë dielli as rrezet e tija (Zb 7, 16).
Sytë e mi i çoj drejt maleve: *
prej nga do të më vijë mua ndihma?
Ndihma ime vjen prej Zotit, *
i cili krijoi qiellin e tokën.
S’do te lejojë të të merren këmbët, *
nuk do të kotet ai që të ruan.
Ja, s’do të kotet as s’do të flejë, *
ai që e ruan Izraelin.
Zoti është rojtari yt, †
Zoti është hija jote, *
Zoti është në të djathtën tënde!
Dielli nuk do të të bëjë keq ditën, *
as hëna natën.
Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe, *
Zoti do ta ruajë jetën tënde.
Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua *
që tani e përgjithmonë e jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ki kujdes për ne, o Zot, kur të dalim dhe kur të hyjmë, tani e përgjithmonë.
Ant. 3 Seç u gëzova kur më thanë: »Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!«
Psalmi 122 /121/ (1-9)
Përshëndetje Jerusalemit
I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë (Heb 12, 22).
Seç u gëzova kur më thanë: *
† »Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!«
Ja, tashmë këmbët tona shkelën *
në dyert e tua, o Jerusalem!
O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri, *
thuaj se i tëri një cope të vetme je!
Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, †
sipas rregullores në Izrael *
për të kremtuar Emrin e Zotit.
Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, *
selitë e shtëpisë së Davidit!
Lutuni për paqen e Izraelit: *
»U priftë e mbara atyre që të duan ty!
Mbretëroftë paqja në muret e tua *
dhe qetësia në pirgjet e tua!«
Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi *
do të them: »Paqja me ty!«
Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë, *
do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Seç u gëzova kur më thanë: »Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!«
Leximi i shkurtër Krh. Gal 6, 7b-8
Çka kush mbjell, atë edhe do të korrë! Kush mbjell në trup të vet, nga trupi do të korrë shkatërrimin, e kush mbjell në Shpirt, nga Shpirti do të korrë jetën e pasosur.
D Lum ai që e ndjek udhën e tij,
C dhe ecë në ligjin e Zotit.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, dhe i amshuar, Jezu Krishti, Biri yt, ia besoi Marisë Magdalenë ta kumtojë e para gëzimin e Pashkëve: bëj, që edhe ne, me ndihmën e shembullin e saj, ta shpallim Krishtin e ngjallur e një ditë ta kundrojmë në lavdinë tënde. Nëpër Zotin.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 Ki mëshirë për ne, o Zot, banues i gjithëpushtetshëm i qiejve.
Psalmi 123 /122/ (1-4)
Shpresa e popullit është në Zotin
Dy të verbër... ia filluan të bërtasin: Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne! (Mt 20, 30).
Drejt teje po i lartësoj sytë e mi, *
drejt teje që banon në qiell.
Qe, porsi sytë e shërbëtorëve
drejt dorës së zotërinjve të vet, †
porsi sytë e shërbëtores *
drejt duarve të zonjës së vet,
ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë, *
derisa të ketë mëshirë për ne.
Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, *
sepse për së tepërmi na kanë mbuluar me përbuzje.
Sepse u ngi tepër më shpirti ynë
me përqeshje të të ngopurve, *
me përbuzje të krenarëve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ki mëshirë për ne, o Zot, banues i gjithëpushtetshëm i qiejve.
Ant. 2 Ndihma jonë është në Emër të Zotit.
Psalmi 124 /123/ (1-8)
Ndihma jonë është në Emër të Zotit
Një natë Zoti i tha Palit në vegim: Mos u tremb... sepse unë jam me ty! (Vap 18, 9-10).
Po të mos kishte qenë Zoti me ne *
- le ta pohojë ballafaqe Izraeli -
po të mos kishte qenë Zoti me ne, *
kur njerëzit u ngritën kundër nesh:
atëherë do të na kishin përpirë gjallë, *
kur u mori flakë zemërimi kundër nesh.
Atëherë ujët do të na kishte marrë, *
rrjedha e përroit do të na kishte marrë,
do të na kishin mbytur *
valët e ujërave të tërbuara!
Qoftë bekuar Zoti
që s’na dha kafshatë *
për dhëmbët e tyre!
Shpirti ynë shpëtoi si trumcaku †
prej gracke të gjuetarëve: *
laku u këput e ne shpëtuam!
Ndihma jonë është në Emër të Zotit, *
që krijoi qiellin e Tokën.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ndihma jonë është në Emër të Zotit.
Ant. 3 Rrethoje popullin tënd, o Zot, tani e përgjithmonë.
Psalmi 125 /124/ (1-5)
Hyji e mbron popullin e vet
Mbarë Izraeli i Hyjit, pastë paqe e mëshirë prej Hyjit! (Gal 6, 16).
Kush shpreson në Zotin është si mali Sion: *
s’ka gjë që e tund, mbetet për amshim!
Malet e rrethojnë Jerusalemin: †
edhe Zoti rreth e rreth i rri popullit të vet *
qysh tash e për amshim.
Askurrë s’do të sundojë skeptri i të pafeve †
mbi trashëgimin e të drejtëve *
që të drejtët të mos i shtrijnë duart në paudhësi.
Bëju mirë, o Zot, njerëzve të mirë *
edhe atyre që e kanë zemrën të drejtë.
Kurse ata që shkojnë udhëve të ligësisë †
le t’i zhbijë Zoti bashkë me keqbërësit. *
Paqja qoftë mbi Izraelin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Rrethoje popullin tënd, o Zot, tani e përgjithmonë.
Leximi i shkurtër Krh. 1 Kor 9, 26-27
Unë, ashtu vrapoj ‑ jo si pa qëllim, ashtu grushtoj ‑ jo si të gjuaja ajrin, por e marr me të keq trupin tim dhe e mbaj nën sundim që, duke u pas predikuar të tjerëve, të mos jem i përjashtuar vetë.
D E gjeta atë që aq fort e dua:
C ngushtë e shtrëngoj e nuk e lëshoj.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, dhe i amshuar, Jezu Krishti, Biri yt, ia besoi Marisë Magdalenë ta kumtojë e para gëzimin e Pashkëve: bëj, që edhe ne, me ndihmën e shembullin e saj, ta shpallim Krishtin e ngjallur e një ditë ta kundrojmë në lavdinë tënde. Nëpër Zotin.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli
e zemrat na u mbushën me gëzim!
Psalmi 126 /125/ (1-6)
Prej Zotit gëzimi ynë, në të mbështetet shpresa jonë
Mbasi jeni pjesëtarë në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim (2 Kor 1, 7).
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
Asohere thuhej ndër paganë: *
»Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
e zemrat na u mbushën me gëzim!
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
deh, le të korrin me gëzim!
Në të shkuar ecnin e qanin *
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
duke mbartur dorëzat e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli e zemrat na u mbushën me gëzim!
Ant. 2 Ndërtoje, o Zot, shtëpinë tonë ruaje qytetin tënd.
Psalmi 127 /126/ (1-5)
Çdo përpjekje është e kotë pa ndihmën e Zotit
Nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. Ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit (1 Kor 3, 7. 9).
Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, *
kot mundohen ata që e ndërtojnë.
Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, *
kot rri zgjuar ai që e ruan.
Kot e keni të çoheni para drite *
dhe vonë të shkoni në pushim,
ju që e hani bukën e mundit: *
të dashurve të vet u jep edhe në gjumë.
Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, *
fryti i barkut është shpërblimi i tij.
Porsi shigjetat në dorën e trimit *
të tillë janë djemtë e rinisë.
Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: *
s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ndërtoje, o Zot, shtëpinë tonë ruaje qytetin tënd.
Ant. 3 Lum njeriu që e druan Zotin. †
Psalmi 128 /127/ (1-6)
Paqja e Zotit në familjen që i është besnike
“Zoti të bekoftë prej Sionit” domethënë prej Kishës së tij (Arnobi).
Lum njeriu që e druan Zotin, *
† që ecën udhëve të tij!
Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua, *
i lumi ti, mirë do të kalosh!
Gruaja jote: vresht plot fruta *
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri *
përreth tryezës sate!
Ja, se si bekohet njeriu që e druan Zotin! *
Të bekoftë Zoti prej Sionit
e pafsh lumturinë e Jerusalemit *
në të gjitha ditët e jetës sate
dhe i pafsh djemtë e djemve të tu! *
Paqja qoftë mbi Izraelin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lum njeriu që e druan Zotin.
Leximi i shkurtërKrh. Fil 4, 8. 9
O vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. Dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.
D Dua të të këndoj himne ty, o Zot:
C do të veproj me urtësi në udhën e pafajësisë.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, dhe i amshuar, Jezu Krishti, Biri yt, ia besoi Marisë Magdalenë ta kumtojë e para gëzimin e Pashkëve: bëj, që edhe ne, me ndihmën e shembullin e saj, ta shpallim Krishtin e ngjallur e një ditë ta kundrojmë në lavdinë tënde. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.