Ora e mesme
1 nëntor, Të gjithë shenjtërit
ORA E MESME
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Ora e tretë
Himni
Tani neve, o Shpirti Shenjt,
një me Atin e Birin,
denjohu i gatshëm t’futesh
i reshur n’parzëm tonë.
Gojë, gjuhë, mendje, forcë, shqise
të ushtojnë duke rrëfyer,
me zjarr t’flakrojë dashtënia,
nxehtësia t’i ngrohë shokët.
Nëpër ty t’kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
ty Shpirtin e të dyve
t’besojmë në gjitha kohët. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe t’vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që jeta të mos ndërpritet,
por çmimi i vdekjes shenjte
të jetë lavdia e përjetshme.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. Zoti e ngushëllon popullin e vet: hare dhe gëzim në qytetin e Hyjit, klithje falënderimi dhe himne lavdie!
Psalmi 118 /117/ I (1-9)
Kënga e gëzimit dhe e fitores
Jezusi është 'guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit' (Vap 4, 11).
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
e amshuar është dashuria e tij!
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
Zoti është me mua, *
s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
për asgjë i bëj armiqtë e mi.
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
se të kesh besim në princa.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti e ngushëllon popullin e vet: hare dhe gëzim në qytetin e Hyjit, klithje falënderimi dhe himne lavdie!
Ant. Kisha jote e këndon urtinë e shenjtërve, dhe kuvendi i shpall lavdet e tyre.
II (10-18)
Më rrethuan të gjithë paganët, *
i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më rrethuan porsi bletët, †
porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
ai është shpëtimtari im.
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
në tendat e të drejtëve:
»E djathta e Zotit u madhërua! †
E djathta e Zotit më lartësoi! *
E djathta e Zotit u madhërua!«
S’do të vdes, të jetoj dua, *
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Kisha jote e këndon urtinë e shenjtërve, dhe kuvendi i shpall lavdet e tyre.
Ant. Të drejtët me anë të fesë ia arritën fitores, ecën në dritën e Hyjit, dhe e fituan shpërblimin e premtuar.
III (19-29)
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
nëpër të do të hyjnë të drejtët.
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
të galdojmë e të gëzojmë në të!
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
deh, o Zot, jep të mbarën!
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
rendituni të gëzuar në rreshtin kremtor *
me rrema në dorë deri në ballë të lterit!
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Të drejtët me anë të fesë ia arritën fitores, ecën në dritën e Hyjit, dhe e fituan shpërblimin e premtuar.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Is 65, 18-19
Do të gëzohet e do të galdohet përgjithmonë në ato që unë po krijoj: Jerusalemin do ta bëj gëzim, popullin e tij do ta bëj hare. Do të galdoj mbi Jerusalem, do të kënaqem me popullin tim. Në të më nuk do të dëgjohet zë vajtimi as zë dënesje.
D Gëzohuni dhe galdoni, ju o shenjtër:
C i madh është shpërblimi juaj në qiell.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër 1 Pjt 1, 15-16
Sikurse është Shenjt Ai që ju ka thirrur, ashtu edhe ju jini të shenjtë në tërë jetën tuaj. Sepse shkruan: “Të jeni të shenjtë sikurse edhe vetë jam i shenjtë.”
D Këndoni himne Zotit, o besimtarët e tij,
C falënderojeni emrin e tij të shenjtë.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtërZb 21, 10-11; 22, 3b-4
Engjëlli më kaloi në shpirt në majë të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit! Shkëlqente nga Lavdia e Hyjit: i shndritshëm porsi guri i paçmueshëm, porsi guri jaspis, kristalor.
Në të do të jetë froni i Hyjit dhe i Qengjit dhe shërbëtorët e Hyjit do ta adhurojnë Hyjin dhe do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre.
D Të drejtët e lavdërojnë emrin tënd, o Zot,
C para fytyrës sate jetojnë shenjtërit.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti na dhe hirin t’i nderojmë meritat e të gjithë Shenjtërve në një festë të vetme: me ndërmjetësinë e përbashkët të të gjithëve, na dhuro mëshirën tënde të pakufi. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.