Ora e mesme

2 Nëntor, Shërbesa e të ndjerëve

 

ORA E MESME

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Himni

 

   Ti duke qarë për Lazrin,

   e duke dënesë me t’ motrat,

   i plotfuqishëm bëre

   t’u ngjallet prapë dëshira.

 

   Ti dashamirë kërkove

   falje e ndjesë për fajtorët,

   dhe fjalët mëshiruese

   ia the shokut të dënimit.

 

   Duke vdekë ia le nxënësit

   amanet nënën Virgjër,

   që pranë n’ luftën e fundit

   me besnikë tu të gjendej.

 

   Na jep, o Zoti Krisht,

   shpërblyer me gjakun tënd,

   trishtimi i vdekjes s’ ashpër

   t’ na kthehet n’ gëzim të jetës.

 

   Dhe thirr shërbëtorët tu,

   të ndarë prej këtij shekulli,

   që atje ku s’ka më vdekje

   t’ këndojnë ty princit të jetës. Amen.

 

Ant. 1. Kthehu drejt meje, o Zot, eja e më ndihmo.

 

Psalmi 70 /69/ (2-6)

 

O Hyj, deh, më eja në ndihmë, *

   o Zot, nxito të më ndihmosh!

U marrofshin dhe u turpërofshin *

   të gjithë ata që kërkojnë të ma marrin jetën.

 

U zmbrapsshin dhe u turpërofshin ata *

   që ma dëshirojnë të keqen!

U zmbrapsshin të turpëruar *

   ata që më thonë: »Mirë, shumë mirë!«

 

Le të galdojnë e le të gëzojnë *

   të gjithë ata që të kërkojnë ty,

le të thonë përherë: »I madh është Hyji!«, *

   ata që e duan shëlbimin tënd.

 

E unë jam i vobektë e skamnor: *

   o Hyj, shpejto të më ndihmosh,

sepse ti je ndihmëtari e shpëtimtari im, *

   o Zot, deh, mos vono!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1. Kthehu drejt meje, o Zot, eja e më ndihmo.

 

Ant. 2. Më shëro, o Zot: sepse mëkatova kundër teje.

 

Psalmi 85 /84/ (2-14)

 

Përsëri e pëlqeve, o Zot, tokën tënde, *

   i riatdhesove të treturit e Jakobit.

Ia fale fajet popullit tënd, *

   mbulove të gjitha mëkatet e tyre.

 

I vure cak felgrimit tënd të madh, *

   zure vend nga shfrimi i zemërimit tënd.

 

Na përtërij, o Hyj, Shëlbuesi ynë, *

   largoje zemërimin tënd prej nesh.

A thua gjithmonë do të jesh i hidhëruar me ne *

   e do ta shtrish hidhërimin tënd nga breznia në brezni?

 

Pse a s’do të kthehesh për të na përtërirë në jetë *

   që populli yt të gëzohet në ty?

Na e trego, o Zot, mëshirën tënde *

   e na jep shëlbimin tënd!

 

Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj, †

   ai premton paqe për popullin e vet, *

   për të dashurit e vet

   e për ata që me gjithë zemër kthehen.

 

Shpëtimi i tij është ngjat atyre që e druajnë, *

   lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

 

Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen, *

   drejtësia e paqja do të merren ngrykë.

E vërteta do të mbijë nga toka *

   e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

 

Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë *

   edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.

Drejtësia do t’i shkojë përpara *

   dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2. Më shëro, o Zot: sepse mëkatova kundër teje.

 

Ant. 3. Më shpëto, o Hyj, në emrin tënd: me fuqinë tënde eja e më liro.

 

Psalmi 86 /85/ (1-10)

 

Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo, *

   sepse jam i mjerë e skamnor.

Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt, *

   Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, *

   se gjithë ditën të thërras në ndihmë.

Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, *

   sepse tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.

 

Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, *

   plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.

Dëgjoje, o Zot, uratën time, *

   vështroje zërin e lutjes sime.

 

Në ditë të vështirë klitha tek ti *

   pse e di se ti më dëgjon.

 

Nuk ka hyjni që të përngjet ty, o Zot, *

   asgjë s’mund të matet me veprat e tua.

 

Të gjithë paganët prej teje të krijuar, †

   do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot, *

   dhe do të madhërojnë Emrin tënd,

 

sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli, *

   ti je i vetmi Hyj.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Më shpëto, o Hyj, në emrin tënd: me fuqinë tënde eja e më liro.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Krh. Jb 19, 25-26

 

   Unë e di se gjallë e kam Shpaguesin, Ai i sprasmi përmbi dhe do të ngrihet, e pas kësaj lëkure që ma ropën në mishin tim Hyjin do ta shoh.

   D Përse je i trishtuar, o shpirti im,

   dhe shqetësohesh në mua?

 

   C Shpreso në Hyjin:

   dhe një ditë do të mund ta lavdërosh.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Krh. Urt 1, 13-14a. 15

 

   Hyji nuk e krijoi vdekjen dhe nuk i gëzohet bjerrjes së të gjallëve. Sepse ai gjithçka krijoi që të jetojë; dhe, në botë, breznitë janë shpëtimprurëse sepse drejtësia është e pavdekshme.

 

   D Nën hijen e vdekjes nuk do të kem frikë,

   C sepse ti je me mua, o Zot.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Krh. Is 25, 8

 

   Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, Zoti Hyj nga çdo fytyrë do të fshijë lotin, nga çdo vend Ai do ta zhdukë turpin e popullit të vet, sepse Zoti kështu ka thënë.

 

   D Dëgjoje, o Zot, lutjen time:

   C te ti kthehet çdo njeri i vdekshëm.

 

   Lutja

 

   Dëgjoje, o Hyj, lutjen që bashkësia e besimtarëve të tu ta lartëson në fenë e Zotit të ringjallur, dhe përforcoje në ne shpresën e lumtur se së bashku me vëllezërit e motrat tona të vdekura do të ringjallemi në Krishtin në një jetë të re. Nëpër të njëjtin Krisht.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.