Ora e mesme

9 nëntor, Kushtimi i Bazilikës së Lateranit

 

Ora e mesme

 

   Ora e tretë

 

   Himni

 

   Tani neve, o Shpirti i Shenjt,

   një me Atin e Birin,

   denjohu i gatshëm t’futesh

   i reshur n’parzëm tonë.

 

   Gojë, gjuhë, mendje, forcë, shqise

   të ushtojnë duke rrëfyer,

   me zjarr t’flakrojë dashtënia,

   nxehtësia t’i ngrohë shokët.

 

   Nëpër ty t’kuptojmë Atin,

   të njohim edhe Birin,

   ty Shpirtin e të dyve

   t’besojmë në gjitha kohët. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,

   që sundon të gjitha sendet,

   me ndriçim pajis mëngjesin

   dhe me zjarr shkëlqen mesditën.

 

   Shuaji flakët e shamatave,

   flake zjarrin e dëmprurësve,

   jepu trupave shërimin,

   dhe t’vërtetën paqe zemrave.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe ti Bir baras si Ati,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,

   i patrandur në ty mbahesh,

   kohët e dritës së përditshme

   përcakton me shumë mbarësi.

 

   Dhe gjatë netëve lësho dritën,

   që jeta të mos ndërpritet,

   por çmimi i vdekjes shenjte

   të jetë lavdia e përjetshme.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe, o Bir, baras si Ati,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,

   të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1. Kisha e Zotit është e shenjtë: Hyji kujdeset për të, Hyji e ndërton atë.

 

Psalmi 118 /117/ I (1-9)

 

Kënga e gëzimit dhe e fitores

 

   Jezusi është 'guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit' (Vap 4, 11).

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshuar është dashuria e tij!

Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *

   Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.

 

Zoti është me mua, *

   s’druaj se ka ç’më bën njeriu.

Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *

   për asgjë i bëj armiqtë e mi.

 

Më mirë është të strehohesh te Zoti *

   se të kesh besim në njerëz.

Më mirë është të strehohesh te Zoti, *

   se të kesh besim në princa.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 1. Kisha e Zotit është e shenjtë: Hyji kujdeset për të, Hyji e ndërton atë.

 

Ant. 2 Në shtëpinë tënde, o Zot, shenjtëria shkëlqen derisa zgjasin ditët.

 

   II (10-18)

 

Më rrethuan të gjithë paganët, *

   i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.

Rreth e përqark më rrethuan, *

   por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

 

Më rrethuan porsi bletët, †

   porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *

   por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

 

Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *

   Por Zoti qe ndihma ime.

Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *

   ai është shpëtimtari im.

 

Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *

   në tendat e të drejtëve:

 

»E djathta e Zotit u madhërua! †

   E djathta e Zotit më lartësoi! *

   E djathta e Zotit u madhërua!«

 

S’do të vdes, të jetoj dua, *

   do t’i kumtoj veprat e Zotit!

Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *

   por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 2 Në shtëpinë tënde, o Zot, shenjtëria shkëlqen derisa zgjasin ditët.

 

Ant. 3 Kjo është shtëpia e Zotit, e ndërtuar në mënyrë të qëndrueshme, e murosur përmbi shkëmb.

 

   III (19-29)

 

M’i hapni dyert e drejtësisë, *

   dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.

Ja, këtu është dera e Zotit; *

   nëpër të do të hyjnë të drejtët.

 

Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *

   dhe u bëre Shpëtimtari im.

 

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *

   erdhi e u bë guri i këndit;

Zoti e bëri këtë gjë: *

   sa mrekulli për sytë tanë!

 

Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *

   të galdojmë e të gëzojmë në të!

 

Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *

   deh, o Zot, jep të mbarën!

 

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *

   Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

 

Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †

   rendituni të gëzuar në rreshtin kremtor *

   me rrema në dorë deri në ballë të lterit!

 

Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *

   Ti je Hyji im, unë të madhëroj!

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshuar është dashuria e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 3 Kjo është shtëpia e Zotit, e ndërtuar në mënyrë të qëndrueshme, e murosur përmbi shkëmb.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Krh. 1 Kor 3, 16-17

 

   Po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju? Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë ‑ e ky Tempull jeni ju!

 

   D E dua, o Zot, shtëpinë ku ti banon,

   C vendin ku banon lavdia jote.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Krh. 2 Kor 6, 16b

 

   Ne jemi Tempulli i Hyjit të gjallë, siç tha vetë Hyji: ‘Do të banoj në ta e ndër ta do të eci, do të jem Hyji i tyre dhe ata populli im’.

 

   D Kërkoni paqe për Jerusalemin,

   C siguri për ata që e duan qytetin e Hyjit.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Krh. Jer 7, 2b. 4-5a. 7a.

 

   Dëgjojeni fjalën e Zotit, të gjithë ju, që hyni nëpër këtë derë, për ta adhuruar Zotin. Mos shpresoni në fjalët e rreme: ‘Tempulli i Zotit! Tempulli i Zotit! Tempulli i Zotit!' Por, në qoftë se ju përnjëmend e përmirësoni sjelljen tuaj dhe veprat tuaja, unë do të bëj që të banoni në këtë vend.

 

   D Hyni në shtëpinë e Zotit,

   C me himne lavdie kaloni nëpër dyert e saja.

 

Lutja

 

   Në kishën e kushtuar:

 

   Dëgjoje, o Zot, lutjen e popullit tënd, që me gëzim e kremton ditën e kushtimit të këtij tempulli; bëj që këtu gjithherë të kryhet denjësisht shërbesa liturgjike në nder e lavd të emrit tënd, që ta ndikojë në ne hirin e shëlbimit. Nëpër Zotin.

 

   Jashtë kishës së kushtuar:

 

   O Hyj, ti zgjedh gurë të gjallë për të ndërtuar banesën e amshueshme të lavdisë sate, jepi me begati Kishës sate frytet e Shpirtit Shenjt, që populli yt besimtar vazhdimisht të dëftohet në Jerusalemin qiellor. Nëpër Zotin.

 

   Ose:

 

   O Hyj, ti deshe që bashkësia e besimtarëve të quhet Kisha jote: bëj që populli yt i bashkuar në emrin tënd të të adhurojë, të të duajë, të të ndjekë ty dhe, nën udhëheqjen tënde, t’u arrijë premtimeve të tua qiellore. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.