Ora e mesme
JAVA E PARË E ARDHJES
E DIEL
ORA E MESME
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ora e tretë
Himni
Tani ne, o Shpirti Shenjt,
një me Atin e me Birin,
denjohu i gatshëm të futesh
i reshur në parzmën tonë.
Gojë, gjuhë, mendje, forcë shqise
t’ushtojnë duke rrëfyer,
me zjarr të flakërojë dashuria,
nxehtësia t’i ngrohë shokët.
Nëpër ty të kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
ty Shpirtin e të dyve
të besojmë në të gjitha kohët. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqe mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
të jetë lavdia e përjetshme.
Bëj, o Atë tërë drejtësi
dhe ti, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllues,
që n’jetë të jetës je sundues. Amen.
Ant. Profetët paralajmëruan: Shëlbuesi do të lindë prej Virgjërës Mari.
Psalmi 118 /117/ I (1-9) Kënga e gëzimit dhe e fitores
Jezusi është 'guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit' (Vap 4, 11).
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
e amshuar është dashuria e tij!
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
Zoti është me mua, *
s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
për asgjë i bëj armiqtë e mi.
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
se të kesh besim në princa.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Profetët paralajmëruan: Shëlbuesi do të lindë prej Virgjërës Mari.
Ant. Engjëlli Gabriel i tha Marisë: Të falem, o Hirplote! Zoti me ty.
II (10-18)
Më rrethuan të gjithë paganët, *
i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më rrethuan porsi bletët, †
porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
ai është shpëtimtari im.
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
në tendat e të drejtëve:
»E djathta e Zotit u madhërua! †
E djathta e Zotit më lartësoi! *
E djathta e Zotit u madhërua!«
S’do të vdes, të jetoj dua, *
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Engjëlli Gabriel i tha Marisë: Të falem, o Hirplote! Zoti me ty.
Ant. Maria u përgjigj: Ç’do të thotë kjo përshëndetje? Shpirti im është shqetësuar. Unë do të bëhem nëna e Mbretit, dhe do të mbetem e paprekur dhe virgjër.
III (19-29)
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
nëpër të do të hyjnë të drejtët.
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
të galdojmë e të gëzojmë në të!
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
deh, o Zot, na e jep të mbarën!
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
rendituni të gëzuar në rreshtin kremtor *
me rrema në dorë deri në ballë të lterit!
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Maria u përgjigj: Ç’do të thotë kjo përshëndetje? Shpirti im është shqetësuar. Unë do të bëhem nëna e Mbretit, dhe do të mbetem e paprekur dhe virgjër.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Rom 13, 13-14a
Të ecim me nder, porsi ditën, jo në gosti e zdërhallje, jo në fëlligështi e në shfreni, jo në grindje e në smirë. Por, vishuni me Jezu Krishtin Zot.
D Kombet do ta druajnë emrin tënd, o Zot;
C dhe lavdinë tënde, të gjithë mbretërit e tokës.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër 1 Sel 3, 12-13
Bëftë Zoti që të rritet e të shtohet përherë e më tepër dashuria juaj ndaj njëri‑tjetrit dhe ndaj të gjithë njerëzve siç është dashuria jonë ndaj jush! I forcoftë zemrat tuaja në shenjtëri të patëmetë para Hyjit dhe Atit tonë për Ardhjen e Zotit tonë Jezusit me të gjithë shenjtërit e tij.
D Pashë mirësinë tënde, o Zot, le të të bjerë ndër mend për ne,
C eja e na vizito me shëlbimin tënd.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Krh. 2 Sel 1, 6. 7. 10
Është e drejtë që Hyji juve, të salvuarve, t'iu dhurojë bashkë me ne pushimin në Ditën e Zbulesës së Zotit Jezus, kur të vijë prej qiellit bashkë me engjëjt e pushtetit të vet atëherë, kur të vijë ‑ atë Ditë ‑ për të qenë lavdëruar në shenjtërit e vet dhe për t'u dëftuar i mrekullueshëm në të gjithë ata që të kenë besuar.
D Eja, o Zot, e mos vono:
C liroje popullin tënd nga mëkati.
Jepu po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, besimtarëve të tu vullnet t’i dalin para Krishtit tënd që po vjen, kështu që, të vënë në të djathtën e tij, të meritojnë ta fitojnë Mbretërinë qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.