Paqja me ju!

09 Prill 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Paqja me ju

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS LUKES - Lk 24, 35-48

 

 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.  Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në mes të tyre dhe tha: “Paqja me ju!” Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt.  Jezusi u tha: “Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja?  Shikojini duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë! Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”  Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët.  Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha: “A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?”  Ata i sollën një kurm peshku të pjekur.  Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.

  Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme. ’“  Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet  dhe u tha: “Kështu është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë.  Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve.  Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.

 

Ungjill që sapo dëgjuam nuk është thjesht një tregim i shfaqjes së Jezusit pas ringjalljes; por është një “katekizëm i vërtetë” mbi mënyrën se si Krishti i ngjallur hyn në jetën e besimtarëve, shëron zemrat e frikësuara dhe i shndërron ata në dëshmitarë.

Dëgjuam se Dishepujt janë në mes të një bisede të trazuar. Janë ende duke u përpjekur të kuptojnë atë që ka ndodhur, kur papritur midis tyre shfaqet Jezusi.

Fjala e parë e Jezusit të ngjallur nuk është një shpjegim, por një dhuratë. “Paqja me ju!”.

Papa Françesku thotë: “Paqja me ju!” nuk është vetëm përshëndetje. Është, një përqafim i frikës njerëzore. Një shërim i plagëve të brendshme. Një dhuratë që nuk vjen nga merita, por nga mëshira. Kjo paqe fillon kur njeriu ndjen se Zoti nuk e braktis as në momentet e hutimit dhe fajit.

Ngjallja e Jezusit është fillimi i një krijimi të ri. Krishti nuk sjell vetëm lajmin se vdekja është mposhtur; Ai sjell realitetin e një bote ku Zoti dhe njeriu janë përsëri në miqësi.

Ata, Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. Frika, këtu nuk është thjesht emocion; ajo është një bllokim i kuptimit. Frika e deformon perceptimin shpirtëror. Njeriu i mbyllur në frikë nuk arrin ta njohë Zotin edhe kur Ai është pranë tij.

Ringjallja nuk është menjëherë e “pranueshme” për mendjen njerëzore. Ajo tejkalon logjikën e zakonshme. Prandaj Jezusi nuk i qorton menjëherë, por i fton në një proces shërimi: “Pse po dyshoni në zemrat tuaja?” Dyshimi, në këtë këndvështrim, nuk është mungesë informacioni, por një tension midis asaj që zemra dëshiron të besojë dhe asaj që mendja nuk guxon ta pranojë.

Prandaj Jezusi nuk i qorton. Ai ju afrohet dhe ju thotë: “ Shikojini duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë! Më prekni e vërtetojeni! Kjo është mënyra e Zotit: jo frikësim, por afrim me butësi. Në fakt, ky moment është thelbësor për kuptimin e krishterimit. Jezusi nuk kërkon vetëm një besim abstrakt. Jezusi ju thotë: më shikoni, më prekni, shikoni plagët e Mia, kjo  d.m.th. se është i njëjti Jezus që u kryqëzua. Ringjallja nuk shfuqizon trupin; e shndërron atë në një trup të lavdishëm. Plagët e Jezusit nuk zhduken. Ato bëhen shenjë dashurisë  së përjetshme.

Ka përvoja të Zotit që janë aq të mëdha sa mendja njerëzore nuk i përballon dot dhe gëzimi bëhet “i pabesueshëm”. E tillë është edhe kjo e dishepujve në takimin me Jezusin e gjallë.

Ungjilli thotë se Jezusi: ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet. Po, të dashur dëgjues Krishti i ringjallur është çelësi i Shkrimeve të Shenjta. Pa Krishtin, Shkrimet mbeten tekst; me Krishtin, ato bëhen fjalë të gjalla që tregojnë një histori shpëtimi.

Ligji, Profetët dhe Psalmet nuk janë më të ndara, ato janë një histori e vetme që na çojnë drejt Kryqit dhe Ringjalljes. Jezusi ju thotë edhe: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. Kjo d.m.th. se vuajtja e Mesisë nuk ishte rastësi, por pjesë e planit hyjnor për shpëtimin e njerëzimit. Ringjallja e shndërron kryqin në fitore.

Kështu Rruga drejt lavdisë kalon përmes dashurisë  vetëflijuese.

Në fund, gjithçka përmbyllet me një thirrje të qartë: “Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.” Dishepujt nuk bëhen thjesht besimtarë, por dëshmitarë të një ngjarjeje reale.

Predikimi i kthimit dhe faljes së mëkateve është shpallje e lajmit: Zoti e ka hapur derën e mëshirës për të gjithë popujt.

 Kuptohet, pra të dashur dëgjues se Ungjilli sot është një udhëtim i brendshëm: nga frika në paqe, nga dyshimi në siguri, nga konfuzioni në kuptim, nga përjetimi në mision.

 

O Jezus i Ngjallur, më afro te plagët e tua dhe jepi paqe zemrës sime. Ma shndrit mendjen me Fjalën Tënde, që të njoh, të dua dhe të jetoj në dritën tënde. Amen.