Paqja me ju!
12 Prill 2026
UNGJILLI I DITËS
“Paqja me ju!”
MEDITIM PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT- Gjn 20,19–31
Ungjilli i sotëm fillon duke treguar se: Në mbrëmjen e po asaj dite ‑ të parën ditë të javës ‑ ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Pastaj u tha prapë: “Paqja me ju!
Nxënësit janë të mbyllur, të frikësuar dhe të zhgënjyer. Dyert janë të mbyllura, jo vetëm ato të shtëpisë ku qëndrojnë, por janë të mbyllura edhe dyert e zemrës së tyre. Ndonjëherë ky është edhe realiteti ynë shpirtëror. Pasi kemi kaluar përvoja të dhimbshme, jemi të zhgënjyer, kemi frikë të besojmë, frikë të duam përsëri, frikë të vazhdojmë përpara… Kështu përfundojmë të mbyllur në vetvete, të mbyllur në dhimbjen, frikën dhe zhgënjimin tonë. Por Ungjilli na siguron se Jezusi hyn pa u penguar nga dyert e mbyllura. Asnjë mëkat, asnjë dobësi, frikë apo krizë nuk mund ta pengojë Jezusin që të vijë në zemrën tonë. Jezusi u thotë nxënësve të Vet: “Paqja me ju!” Paqja është dhuratë e Krishtit të Ngjallur. Nuk është thjesht qetësi psikologjike, por është falje, është pajtim me Hyjin dhe fillim i ri. Pastaj Jezusi i tregon plagët për të vërtetuar se është i njëjti që u kryqëzua. Plagët e Jezusit të Ngjallur janë shenja e dashurisë së Tij ndaj nesh. Shën Çirili i Aleksandrisë thotë: Plagët e Krishtit janë si një “libër i hapur” ku lexojmë dashurinë e Hyjit dhe çmimin e shpëtimit tonë. Edhe Shën Bernardi thotë: Në plagët e Krishtit gjej sigurinë time. Përmes plagëve të Tij, hyj në zemrën e Tij. Po, Plagët e Krishtit janë burim shërimi edhe për plagët e shpirtit tonë. Shenjat e dhimbjes bëhen për ne shenja shprese. Kur Krishti tregon kraharorin, Ai po tregon burimin e jetës së re për besimtarët. Kështu, plagët që mund të shkaktonin trishtim bëhen burim gëzimi, sepse tregojnë se vdekja është mundur. Prandaj nxënësit mbushen me gëzim. Në nxënësit shihet qartë një transformim i brendshëm. Ata kalojnë: nga frika në paqe, nga dyshimi në besim. Po, të dashur dëgjues, nëse edhe ne dëshirojmë, Krishti i Ngjallur vazhdon të vijë në “dhomat e mbyllura” të zemrës sonë, në momentet e dhimbjes, të frikës dhe dyshimit.
Atëherë Jezusi ju tha: Siç më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Ati dërgon Birin dhe Biri dërgon apostujt. Apostujt bëhen vazhdim i veprës së Krishtit në botë. Misioni është fryt i një përvoje personale me Krishtin. Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Ky gjest lidhet me Zanafillën 2,7. Pra, Krishti bën këtu një akt të krijimit të ri. Shpirti Shenjt është burimi i jetës së re dhe i fuqisë shpirtërore. Ai u tha edhe: Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen. “Ky është një nga tekstet më të rëndësishme për Sakramentin e pajtimit. Hyji është ai që fal mëkatet, por Ai e ushtron këtë përmes shërbëtorëve të Tij në Kishë.
Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Binjak ‑ nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit e tjerë: “E pamë Zotërinë!” Toma u përgjigj: “Pa e parë në duart e tij vritiën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa e shtirë vënë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.” Pra Toma nuk u beson fjalëve të apostujve. Ai vetë dëshiron ta shohë Jezusit, dhe ti prekë Plagët e Tij. Toma të dashur dëgjues e donte Jezusin deri në atë pikë sa ishte i gatshëm të vdiste me Të. Në kap. 11 ai thotë: “Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me Të!” Ndërsa tek kap. 14, e shohim Tomën që i thotë Jezusit: “Zotëri ‑ i tha Toma ‑ Ne s’dimë kah po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?” Jezusi u përgjigj: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.
Tani rruga është zhdukur, e vërteta është errësuar dhe jeta ka vdekur në kryq. Toma është në krizë feje. Ai vetë dëshiron të bëjë përvojën me Jezusin e Ngjallur. Prandaj qëndron me bashkësinë dhe pret në bashkësi. Kjo është një thirrje edhe për ty i dashur dëgjues: mos u largo prej bashkësisë, mos u largo prej famullisë, as mos u ik prej Kishës.
Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!”
Jezusi nuk thotë nëse të tjerët kanë besuar pse nuk beson ti? Ai me përvujtëri vendoset në dispozicion të Tomës i thotë atij: “Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”. Toma mund të prek plagët Jezusi që në mënyrë të mistershme janë të hapura. Ato Plagët të cilat janë shenja e Dashurisë që është ma e fortë edhe se vdekja. Kështu bën Toma me këtë Dashuri. Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!” “Fjalët e Tomes janë një shpallje e drejtpërdrejtë e hyjnisë së Krishtit. Toma jo vetëm prek me gisht mishin e Jezusit, por ai me zemër depërton edhe në natyrën hyjnore të Jezusit. Ai nuk tha vetëm ‘Hyji’, por ‘Hyji im’: sepse dashuria e bën besimin personal. Prandaj përgjigja e Tomës mbahet si shpallja më e thellë e besimit personal në gjithë Ungjillin. Toma është apostulli i fundit që ka parë Jezusin dhe besimtari i parë që shpall: “Zoti im dhe Hyji im.”
Atëherë Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”. Kjo të dashur dëgjues nuk është një “korrigjim” për Tomën, por një bekim për ne. Ne jemi të lumë sepse na është dhënë Shpirti Shenjt, na është dhënë edhe mundësia të dëgjojmë Fjalën e Zotit, prandaj edhe ne, mund ta bëjmë të njëjtën shpallje si Toma: “Zoti im dhe Hyji im!”
Përfundoj duke thënë se ky fragment i Ungjillit të Gjonit është një nga tekstet më të dashura të kohës së Pashkëve dhe një ndër tekstet më të thella për jetën shpirtërore. Të gjithë mund ta lexojmë jo vetëm si një ngjarje historike, por si një përvojë që ndodh edhe sot në jetën tonë.
“O Jezus i Ngjallur, Ti që na tregove plagët si dëshmi dashurie, largo frikën time dhe mbushe shpirtin tim me dritën Tënde. Bëj që plagët e tua të jenë shpresa ime dhe Prania jote, të jetë paqja ime. Amen.