Pasmbrëmësorja
kreshmët – e premte pas të mërkurës përhime
Pasmbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas dëshirës
Himni
Para fundit të dritës,
ty duam, krijuesi i sendeve,
me mirësinë e zakontë,
të na kryesosh në roje.
Ty ëndërrofshin zemrat tona,
në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
dhe gjithmonë lavdinë tënde
këndofshin në ag të dritës.
Na jep jetë të shëndetshme,
ngrohtësinë tonë përtërije,
mjegullën e zezë të natës
ta sqarojë drita jote.
Na jep, Atë fuqiplotë,
me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
që me ty në amshim
mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
Ose:
O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
zbulon errësitë e natës,
e ndriçim drite quhesh
kur dritë u flet të lumëve.
O Hy i Shenjtë të lutemi
Ti në këtë natë na ruaj;
në ty të gjejmë pushimin,
na i bëj të qeta orët.
Nëse sytë i zë gjumi,
për ty zemra t’rrijë zgjuar;
të mbrosh me dorën tënde
besnikët që të duan.
Shiko, o mbrojtësi ynë,
na ruaj ndër prita e kurthe,
sundo shërbëtorët tu
që me gjak tënd shpërbleve.
O Krisht, mbret shumë i drejtë,
Ty e Atit iu qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ant. 1 O Zot, ditë e natë hedh kushtrim para teje.
Psalmi 88 /87/ (2-19)
Lutja e një njeriu të sëmurë rëndë
Porse kjo është ora juaj dhe pushteti i territ (Lk 22, 53).
O Zot, Hyji i shpëtimit tim, *
ditë e natë hedh kushtrim para teje.
Le të mbërrijë tek ti urata ime, *
vëru vesh dënesave të mia.
Sepse shpirti im është plot me vuajtje, *
jeta ime është në grykën e varrit;
po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, *
jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë:
i lirë si ata që vdiqën, *
porsi të vrarët që pushojnë në varre,
të cilët ti më nuk i kujton, *
që janë shkëputur nga dora jote.
Më plandose në shpellë pa fund, *
në errësirë e në hijen e vdekjes.
Felgrimi yt rëndon mbi mua, *
valët e tua i hodhe mbi mua.
Prej meje i largove të njohurit e mi, *
për ta më bëre të jem i neveritshëm,
jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal, *
prej mjerimit sytë e mi po shteren.
Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot, *
duart e mia drejt teje i shtrij.
Vallë për të vdekur bën ti mrekulli? *
A thua hijet ngrihen për të lëvduar?
Flet ndokush për mirësinë tënde në varr, *
për besën tënde në vendin e shkatërrimit?
Në errësirë njihen mrekullitë e tua, *
në vend të harresës drejtësia jote?
E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë, *
urata ime në mëngjes mbërrin para teje.
Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim? *
Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?
I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime, *
më këputi barra e tmerrimeve të tua.
Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua, *
përdhe më shtruan provat e tua!
Më kanë rrethuar pa pushim si uji, *
grumbullohen mbi mua njëherësh. –
M’i largove mik e të afërm, *
bëj shoqëri veç me errësirën.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 O Zot, ditë e natë hedh kushtrim para teje.
Leximi i shkurtër Jer 14, 9
Mes nesh je ti je, o Zot, emri yt u thirr mbi ne, deh, ti dore mos na lësho.
Përgjigjja e shkurtër
C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.
Kënga e Simonit Lk 2, 29-32
Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.
Lutja
Ki mëshirë, o Zot, për popullin tënd dhe falja të gjitha mëkatet, që, çka merituam me anën e mëkateve tona, të na largojë ndjesa jote. Nëpër Zotin tonë...
Edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi:
Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë dhe një mbarim të mirë.
C Amen.
Antifona drejtuar Virgjrës Mari
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallëzo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.