Pasmbrëmësorja

JAva e dytë e Pashkëve - E HËNË

 

Pasmbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

      Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.

 

      O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.

 

Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas dëshirës

 

      Himni

 

      Para fundit të dritës,

      ty duam, krijuesi i sendeve,

      me mirësinë e zakontë,

      të na kryesosh në roje.

 

      Ty ëndërrofshin zemrat tona,

      në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,

      dhe gjithmonë lavdinë tënde

      këndofshin në ag të dritës.

 

      Na jep jetë të shëndetshme,

      ngrohtësinë tonë përtërije,

      mjegullën e zezë të natës

      ta sqarojë drita jote.

 

      Na jep, Atë fuqiplotë,

      me anë t’Hyjit Jezu Krisht,

      që me ty në amshim

      mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.

 

Ose:

 

      O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë

      zbulon errësitë e natës,

      e ndriçim drite quhesh

      kur dritë u flet të lumëve.

 

      O Hy i Shenjtë të lutemi

      Ti në këtë natë na ruaj;

      në ty të gjejmë pushimin,

      na i bëj të qeta orët.

 

      Nëse sytë i zë gjumi,

      për ty zemra t’rrijë zgjuar;

      të mbrosh me dorën tënde

      besnikët që të duan.

 

      Shiko, o mbrojtësi ynë,

      na ruaj ndër prita e kurthe,

      sundo shërbëtorët tu

      që me gjak tënd shpërbleve.

 

      O Krisht, mbret shumë i drejtë,

      Ty e Atit iu qoftë lavdia,

      me Shpirtin Ngushëllimtar

      ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

Ant. 1 Ti, o Zot, je i mirë dhe i mëshirshëm, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në dashuri.

 

Psalmi 86 /85/ (1-17)

 

      Urata në vështirësi

 

      Qoftë bekuar Hyj që jep çdo ngushëllim (2 Kor 1, 3. 4).

 

Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo, *

      sepse jam i mjerë e skamnor.

Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt, *

      Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, *

      se gjithë ditën të thërras në ndihmë.

Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, *

      sepse tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.

 

Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, *

      plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.

Dëgjoje, o Zot, uratën time, *

      vështroje zërin e lutjes sime.

 

Në ditë të vështirë klitha tek ti *

      pse e di se ti më dëgjon.

 

Nuk ka hyjni që të përngjet ty, o Zot, *

      asgjë s’mund të matet me veprat e tua.

 

Të gjithë paganët prej teje të krijuar, †

      do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot, *

      dhe do të madhërojnë Emrin tënd,

 

sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli, *

      ti je i vetmi Hyj.

Ma mëso, o Zot, udhën tënde, †

      që të eci sipas drejtësisë sate, *

      mësoje zemrën time ta nderojë Emrin tënd.

 

Do të të falënderoj, o Zot, Hyji im,

      me gjithë zemrën time, *

      për amshim do ta madhëroj Emrin tënd.

Sepse e madhe është mëshira jote mbi mua, *

      ti e nxore shpirtin tim nga thellësia e Nëntokës.

 

O Hyj, krenarët u çuan peshë kundër meje, †

      një grumbull të marrësh ma helmuan jetën *

      e për ty nuk kanë kujdes.

 

Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm, *

      i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë,

 

shiko mbi mua e ki mëshirë për mua, †

      jepi fuqi shërbëtorit tënd *

      dhe shpëtoje birin e shërbëtores sate.

 

Bëj për mua një shenjë mirësie, †

      që të shohin urryesit e mi e të turpërohen *

      se ti, o Zot, më ndihmon e më ngushëllon.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ti, o Zot, je i mirë dhe i mëshirshëm, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në dashuri.

 

      Leximi i shkurtër 1 Sel 5, 9b-10

 

      Hyji na ka caktuar që ta fitojmë shpërblimin nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, i cili vdiq për ne që - ende të gjallë ose të vdekur - të jetojmë bashkë me Të.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

      O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

      D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:

      në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

 

Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.

 

      Kënga e Simonit Lk 2, 29-32

 

      Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.

 

Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *

      shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,

 

sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *

      që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:

 

Dritën që bën të njohin Ty paganët *

      e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.

 

      Lutja

 

      O Zot, ndërsa do të flemë në paqe, bëj të mbijë dhe të rritet deri në korrje fara e Mbretërisë së qiejve, të cilën e kemi hedhur në tokë me punën e kësaj dite. Nëpër Zotin...

 

      Edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi:

 

      Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë dhe një mbarim të mirë.

 

      C Amen.

 

      Antifona drejtuar Virgjrës Mari

 

      Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallëzo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.

 

      Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.