Pasmbrëmësorja

E kremtja e Trinisë Shenjtë

 

E diela I pas Rrëshajëve

 

Pas lutjes mbrëmësores II dielës dhe kremteve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.

 

   Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.

 

O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.

 

   Himni

 

   Para fundit të dritës,

   ty duam, krijuesi i sendeve,

   me mirësinë e zakontë,

   të na kryesosh në roje.

 

   Ty ëndërrofshin zemrat tona,

   në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,

   dhe gjithmonë lavdinë tënde

   këndofshin në ag të dritës.

 

   Na jep jetë të shëndetshme,

   ngrohtësinë tonë përtërije,

   mjegullën e zezë të natës

   ta sqarojë drita jote.

 

   Na jep, Atë fuqiplotë,

   me anë t’Hyjit Jezu Krisht,

   që me ty në amshim

   mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.

 

   Ose:

 

   O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë

   zbulon errësitë e natës,

   e ndriçim drite quhesh

   kur dritë u flet të lumëve.

 

   O Hy i Shenjtë të lutemi

   Ti në këtë natë na ruaj;

   në ty të gjejmë pushimin,

   na i bëj të qeta orët.

 

   Nëse sytë i zë gjumi,

   për ty zemra t’rrijë zgjuar;

   të mbrosh me dorën tënde

   besnikët që të duan.

 

   Shiko, o mbrojtësi ynë,

   na ruaj ndër prita e kurthe,

   sundo shërbëtorët tu

   që me gjak tënd shpërbleve.

 

   O Krisht, mbret shumë i drejtë,

   Ty e Atit iu qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit

   dhe do të gjesh strehim prej grackave të së keqes.

 

Psalmi 91 /90/ (1-16)

 

   Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit

 

   Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepa (Lk 10, 19).

 

Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *

   do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.

Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *

   kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«

 

Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *

   dhe nga fjala dijekeqe.

Do të të bëjë hije me krahët e vet *

   do të strehohesh nën fletët e tij,

 

shqyt e pancir e vërteta e tij. *

   Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,

 

as prej shigjete që fluturon ditën, †

   as prej murtaje që shëtit në errësirë, *

   as prej shfarosjes që shkreton në mesditë.

 

Le të bien me mijëra rreth teje, †

   dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *

   ty nuk do të të ndodhë asgjë!

 

Porsa ti me sy të vetëtish, *

   shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!

Pasi Zoti është mburoja jote *

   dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,

 

e keqe nuk do të të gjejë, *

   dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:

sepse engjëjve të vet urdhër u dha *

   të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.

 

Do të të mbartin para duarsh *

   që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.

Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *

   do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.

 

»Do ta shpëtoj sepse më do, *

   do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.

 

Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †

   në vështirësi do të jem me të, *

   do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.

 

Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *

   do t’ia tregoj shëlbimin tim.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit: do të gjesh strehim prej grackave të së keqes.

 

Leximi i shkurtër Zb 22, 4-5

 

   Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

   O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

   D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:

   në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

 

Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.

 

   Kënga e Simonit Lk 2, 29-32

 

   Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.

 

Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *

   shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,

 

sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *

   që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:

 

Dritën që bën të njohin Ty paganët *

   e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.

 

   Lutja

 

   Le të ngrihet para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, në të cilën e kujtojmë ngjalljen e Zotit: bëj dhe një mbarim të mirë, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar làvdin tënd. Ti, që jeton

 

   Në të kremte që qëllojnë jo në ditën e diel:

 

   Lutja

 

   Vizitoje, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin

 

   Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht

 

   Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë dhe një mbarim të mirë.

 

   C Amen.

 

   Antifona drejtuar Virgjërës Mari

 

Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.

 

Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.