Pasmbrëmësorja
Java e tetëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Pas Mbrëmësores I të së dielës dhe të kremteve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Në këtë moment është mirë të mbahet një kohë qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të të fyej më kurrë. Amen!
Himni
Para fundit të dritës,
ty duam, krijuesi i sendeve,
me mirësinë e zakontë,
të na kryesosh në roje.
Ty ëndërrofshin zemrat tona,
në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
dhe gjithmonë lavdinë tënde
këndofshin në ag të dritës.
Na jep jetë të shëndetshme,
ngrohtësinë tonë përtërije,
mjegullën e zezë të natës
ta sqarojë drita jote.
Na jep, Atë fuqiplotë,
me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
që me ty në amshim
mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
Ose:
O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
zbulon errësitë e natës,
e ndriçim drite quhesh
kur dritë u flet të lumëve.
O Hy i Shenjtë të lutemi
Ti në këtë natë na ruaj;
në ty të gjejmë pushimin,
na i bëj të qeta orët.
Nëse sytë i zë gjumi,
për ty zemra t’rrijë zgjuar;
të mbrosh me dorën tënde
besnikët që të duan.
Shiko, o mbrojtësi ynë,
na ruaj ndër prita e kurthe,
sundo shërbëtorët tu
që me gjak tënd shpërbleve.
O Krisht, mbret shumë i drejtë,
Ty e Atit iu qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ant. 1 Ki mëshirë për mua, o Zot: dëgjoje lutjen time.
Ose:
Në ty shpresoj, o Zot, dhe në paqe bie në gjumë.
Psalmi 4 (2-9)
Uratë falënderimi
Hyji tha: “Prej errësirës le të shndrisë drita!”, ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit (2 Kor 4, 6).
Kur të të thërras në ndihmë, më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime! †
Ti që më shpëtove në vështirësi: *
ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!
Deri kur, o njerëz, do të jeni zemërgurë? *
Përse e doni kotësinë e ndiqni rrenën?
Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet, *
Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.
Zemërohuni e mos mëkatoni, †
përsiatni në zemrat tuaja, *
në shtrojat tuaja e qetësohuni.
Flijoni fli drejtësie *
e shpresën kijeni në Zotin!
Shumë thonë: »Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?« *
Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!
Ti ndikove në zemrën time më shumë gëzim *
sesa kur të tjerëve u bëhet grurë e verë me shumicë!
Posa bie në shtrojë
gjumi menjëherë më merr në qetësi, *
sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ki mëshirë për mua, o Zot: dëgjoje lutjen time.
Ose:
Në ty shpresoj, o Zot, dhe në paqe bie në gjumë.
Ant. 2 Bekojeni Zotin gjatë natës.
Psalmi 134 /133/ (1-3)
Lutje nate në tempull
Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Tani bekojeni Zotin †
të gjithë ju, shërbëtorët e Zotit, *
që qëndroni natën në Shtëpinë e Zotit.
Ngritni duart tuaja drejt Shenjtërores *
e bekojeni Zotin!
Prej Sionit të bekoftë Zoti *
që krijoi qiellin e tokën!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bekojeni Zotin gjatë natës.
Leximi i shkurtër Lp 6, 4-7
Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde! Ua përsërit fëmijëve të tu! Fol për to kur të jesh në shtëpi e kur të jesh duke udhëtuar, kur të biesh në shtrojë e kur të ngrihesh nga shtroja.
Përgjigjja e shkurtër
C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.
Kënga e Simonit Lk 2, 29-32
Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.
Lutja
O Hyj, i gjithëpushtetshëm, kujdesohu për ne këtë natë: dora jote le të na zgjojë në ditën e re që të mund ta kremtojmë me gëzim ngjalljen e Birit tënd. Ai që është Zot...
Në të kremte që qëllojnë jo në ditën e diel:
Lutja
Vizitoje, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin...
Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë dhe një mbarim të mirë.
C Amen.
Antifona drejtuar Virgjrës Mari
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallëzo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.