Pasmbrëmësorja

Java e Katërt e Kohës së rëndomtë

 

Pasmbrëmësorja

 

E martë

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Në këtë moment është mirë të mbahet një kohë qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.

 

Puna e pendimit

 

O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të të fyej më kurrë. Amen!

 

   Himni

 

   Para fundit të dritës,

   ty duam, krijuesi i sendeve,

   me mirësinë e zakontë,

   të na kryesosh në roje.

 

   Ty ëndërrofshin zemrat tona,

   në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,

   dhe gjithmonë lavdinë tënde

   këndofshin në ag të dritës.

 

   Na jep jetë të shëndetshme,

   ngrohtësinë tonë përtërije,

   mjegullën e zezë të natës

   ta sqarojë drita jote.

 

   Na jep, Atë fuqiplotë,

   me anë t’Hyjit Jezu Krisht,

   që me ty në amshim

   mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.

 

   Ose:

 

   O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë

   zbulon errësitë e natës,

   e ndriçim drite quhesh

   kur dritë u flet të lumëve.

 

   O Hy i Shenjtë të lutemi

   Ti në këtë natë na ruaj;

   në ty të gjejmë pushimin,

   na i bëj të qeta orët.

 

   Nëse sytë i zë gjumi,

   për ty zemra t’rrijë zgjuar;

   të mbrosh me dorën tënde

   besnikët që të duan.

 

   Shiko, o mbrojtësi ynë,

   na ruaj ndër prita e kurthe,

   sundo shërbëtorët tu

   që me gjak tënd shpërbleve.

 

   O Krisht, mbret shumë i drejtë,

   Ty e Atit iu qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

Ant. 1 Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje, sepse shpresën e kam vënë në ty, o Zot.

 

   Psalmi 143 /142/ (1-11) Lutja në vuajtje

 

   Nuk jemi shfajësuar në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin (Gal 2, 16).

 

O Zot, dëgjoje lutjen time, †

   vëri vesh sipas besnikërisë sate lutjes sime, *

   më dëgjo në saje të drejtësisë sate.

 

Mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, *

   se asnjë i gjallë nuk mund të dalë i drejtë përpara teje.

 

Armiku e salvon shpirtin tim, *

   përdhe e shtroi jetën time,

më ka lidhur në errësirë *

   porsi të vdekurit e kahershëm,

 

shpirti im po rënkon në mua, *

   të mpitë e kam zemrën në kraharor.

 

Më kujtohen ditët e shkuara, †

   i kujtoj të gjitha veprat e tua, *

   i peshoj veprat që ti i kreve.

 

I ngre drejt teje duart e mia, *

   shpirti im si toka pa ujë ka etje për ty.

Mu përgjigj pa vonesë, o Zot, *

   se mbeta pa frymë,

 

mos e fsheh fytyrën tënde prej meje *

   të mos bëhem si ata që zbresin në varr.

Bëj ta dëgjoj mëshirën tënde në mëngjes, *

   sepse shpresën e kam vënë në ty.

 

Ma mëso udhën së cilës duhet të eci, *

   sepse te ti e kam lartësuar shpirtin.

Më shpëto prej armiqve të mi, *

   o Zot, jam ndore tënde!

 

Më mëso ta kryej vullnesën tënde, †

   sepse ti je Hyji im. *

   Shpirti yt i mirë le të më prijë në vend të drejtë,

më përtërij në jetë, o Zot, pashë Emrin tënd. *

   Pashë drejtësinë tënde nxirre shpirtin tim nga shtrëngimi.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje, sepse shpresën e kam vënë në ty, o Zot.

 

   Leximi i shkurtër 1 Pjt 5, 8-9

 

   Jini të përkormë dhe rrini zgjuar! Armiku juaj, djalli, porsi luan ulëritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar (kë) të përpijë. Kundërshtoni të fortë në fe.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

   O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

   D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:

   në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

 

Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.

 

   Kënga e Simonit Lk 2, 29-32 Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.

 

Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *

   shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,

 

sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *

   që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:

 

Dritën që bën të njohin Ty paganët *

   e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.

 

   Lutja

 

   Ndriçoje këtë natë, o Zot, që, pas një pushimi të qetë, të zgjohemi në dritën e ditës së re dhe të ecim me gëzim në emrin tënd. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht

 

   Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë dhe një mbarim të mirë.

 

   C Amen.

 

   Antifona drejtuar Virgjrës Mari

 

   Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallëzo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.

 

   Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.