Pasmbrëmësorja
Java e Katërt e Kohës së rëndomtë
E mërkurë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Në këtë moment është mirë të mbahet një kohë qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
Puna e pendimit
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të të fyej më kurrë. Amen!
Himni
Para fundit të dritës,
ty duam, krijuesi i sendeve,
me mirësinë e zakontë,
të na kryesosh në roje.
Ty ëndrofshin zemrat tona,
në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
dhe gjithmonë lavdinë tënde
këndofshin në ag të dritës.
Na jep jetë të shëndetshme,
ngrohtësinë tonë përtërije,
mjegullën e zezë të natës
ta sqarojë drita jote.
Na jep, Atë fuqiplotë,
me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
që me ty në amshim
mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
Ose:
O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
zbulon errësitë e natës,
e ndriçim drite quhesh
kur dritë u flet të lumëve.
O Hy i Shenjtë të lutemi
Ti në këtë natë na ruaj;
në ty të gjejmë pushimin,
na i bëj të qeta orët.
Nëse sytë i zë gjumi,
për ty zemra t’rrijë zgjuar;
të mbrosh me dorën tënde
besnikët që të duan.
Shiko, o mbrojtësi ynë,
na ruaj ndër prita e kurthe,
sundo shërbëtorët tu
që me gjak tënd shpërbleve.
O Krisht, mbret shumë i drejtë,
Ty e Atit iu qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ant. 1 Ti je mburoja ime, o Zot,
ti je kështjella e mbrojtjes sime.
Psalmi 31 /30/ (2-6) Thirrja e Zotit në vështirësi
O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).
Në ty, o Zot, shpresoj: †
mos lejo të turpërohem për amshim, *
më liro me drejtësinë tënde.
Prire drejt meje veshin tënd, *
nxito të më shpëtosh!
Ji për mua qetë shpëtimi, *
kështjellë mbrojtjeje!
Sepse forca ime e strehimi im ti je: *
pashë Emrin tënd më pri e më sundo.
Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *
sepse ti je fuqia ime.
Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *
më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ti je mburoja ime, o Zot,
ti je kështjella e mbrojtjes sime.
Ant. 2 Prej humnerës klitha te ti, o Zot. †
Psalmi 130 /129/ (1-8) Nga humnera ty të thërras
Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija (Mt 1, 21).
Prej humnerës klitha te ti, o Zot, *
† o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu, *
zërin e lutjes sime.
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, *
O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por tek ti gjendet falja *
që të dimë të të druajmë.
Shpresoj në ty, o Zot, *
shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin *
më tepër se rojtarët agimin.
Më tepër se rojtarët agimin *
le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira *
dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
Ai do ta nxjerrë Izraelin *
prej të gjitha paudhësive të tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Prej humnerës klitha te ti, o Zot.
Leximi i shkurtër Ef 4, 26-27. 31-32
Mos mëkatoni! Dielli të mos perëndojë mbi hidhërimin tuaj! Mos i lini asnjë anë kah t’ju kapë djalli. Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, sharje me çdo lloj ligësie. Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin.
Përgjigjja e shkurtër
C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.
Kënga e Simonit Lk 2, 29-32 Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shikoje me mirësi ligështinë tonë, shtrije të djathtën tënde dhe na eja në ndihmë. Nëpër Zotin tonë
Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë dhe një mbarim të mirë.
C Amen.
Antifona drejtuar Virgjrës Mari
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallëzo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.