Pasmbrëmësorja
5 shkurt, Shën Agata, virgjër dhe martire
E enjte
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Në këtë moment është mirë të mbahet një kohë qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
Puna e pendimit
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të të fyej më kurrë. Amen!
Himni
Para fundit të dritës,
ty duam, krijuesi i sendeve,
me mirësinë e zakontë,
të na kryesosh në roje.
Ty ëndërrofshin zemrat tona,
në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
dhe gjithmonë lavdinë tënde
këndofshin në ag të dritës.
Na jep jetë të shëndetshme,
ngrohtësinë tonë përtërije,
mjegullën e zezë të natës
ta sqarojë drita jote.
Na jep, Atë fuqiplotë,
me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
që me ty në amshim
mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
Ose:
O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
zbulon errësitë e natës,
e ndriçim drite quhesh
kur dritë u flet të lumëve.
O Hy i Shenjtë të lutemi
Ti në këtë natë na ruaj;
në ty të gjejmë pushimin,
na i bëj të qeta orët.
Nëse sytë i zë gjumi,
për ty zemra t’rrijë zgjuar;
të mbrosh me dorën tënde
besnikët që të duan.
Shiko, o mbrojtësi ynë,
na ruaj ndër prita e kurthe,
sundo shërbëtorët tu
që me gjak tënd shpërbleve.
O Krisht, mbret shumë i drejtë,
Ty e Atit iu qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ant. 1 Në duart e tua është jeta ime, o Zot: mbarë trupi im pushon në qetësi.
Psalmi 16 /15/ (1-11) Zoti pjesa e trashëgimit tim
Hyji e ngjalli Jezusin, duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes (Vap 2, 24).
Më ruaj, o Hyj, *
sepse të kam rënë ndore!
I thashë Zotit: »Ti je Zoti im, *
tjetër të mirë nuk kam veç teje!«
Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë, *
po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!
I shumojnë të zezat e veta *
ata që shkojnë pas zotave të huaj.
Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash, *
buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.
Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, *
në dorën tënde është fati im!
Shorti më ra në më të mirën tokë: *
pjesa e trashëgimit tim tesve më pëlqen!
E bekoj Zotin që më dha kuptim, *
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh, *
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, *
mbarë trupi im pushon në qetësi.
S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, *
as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhé.
Ti do të ma tregosh udhën e jetës, †
gëzimin e plotë para fytyrës sate, *
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në duart e tua është jeta ime, o Zot: mbarë trupi im pushon në qetësi.
Leximi i shkurtër 1 Sel 5, 23
Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj - shpirti, jeta dhe trupi - u ruajttë e patëmetë dhe e përsosur për Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit!
Përgjigjja e shkurtër
C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.
Kënga e Simonit Lk 2, 29-32 Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar; na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin dhe të gjejmë prehje në paqe.
Lutja
Mos na lëntë kurrë, o Zot, hiri yt, ai na forcoftë më fort në shërbimin tënd dhe përherë na dhashtë ndihmën tënde. Nëpër Zotin tonë...
Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë dhe një mbarim të mirë.
C Amen.
Antifona drejtuar Virgjrës Mari
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallëzo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.