Pastroje së pari brendësinë tënde!
13 TETOR 2026
UNGJILLI I DITES
“Pastroje së pari brendësinë tënde!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS LUKES- Lk 11, 37-41
Në atë kohë, ndërsa Jezusi ende po fliste, një farise iu lut të shkonte tek ai për drekë. Ai hyri dhe u ul në tryezë. Fariseu, kur pa se Jezusi nuk u la para buke, u çudit. Zotëria i tha: »Po! Ju farisenjtë lani përjashta gotën dhe kupëzën, ndërsa brendinë tuaj e keni plot rrëmbime e prapësi. Të marrë! A thua se ai që përftoi përjashtësinë, nuk e përftoi edhe brendësinë? Jepni, pra, për lëmoshë ç'është brenda gotës e kupës e do të jetë gjithçka e pastër për ju.
Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na vendos përballë një fjale të fortë të Jezusit. Një farise e fton në shtëpinë e vet për të ngrënë dhe Jezusi hyn e ulet në tryezë. Fariseu habitet sepse Jezusi nuk i lan duart para ushqimit sipas zakonit ritual të kohës. Por Jezusi nuk merret thjesht me larjen e jashtme të duarve. Ai shkon shumë më thellë: “Ju farisenjtë lani përjashta gotën dhe kupëzën, ndërsa brendinë tuaj e keni plot rrëmbime e prapësi. Të marrë! A thua se ai që përftoi përjashtësinë, nuk e përftoi edhe brendësinë?” (Lk 11,39-40). Kjo është një thirrje për secilin prej nesh: Hyji nuk shikon vetëm pamjen e jashtme; Ai shikon zemrën. Ne mund të dukemi të mirë përpara njerëzve, mund të kemi një pamje të rregullt fetare, mund të dimë të lutemi, të shkojmë në Meshë dhe të flasim bukur për Hyjin. Por pyetja e Ungjillit është: Si është zemra ime përpara Hyjit?
Jezusi nuk dëshiron vetëm pastërti të jashtme - Fariseu ishte i shqetësuar për një pastrim të jashtëm. Jezusi e drejton vëmendjen tek pastrimi i brendshëm. Kjo nuk do të thotë se gjërat e jashtme nuk kanë rëndësi. Por ato nuk kanë vlerë nëse nuk shoqërohen nga një zemër e pastër dhe e sinqertë. Mund të kemi fjalë të bukura, por në zemër të mbajmë urrejtje. Mund të buzëqeshim, por të kemi zili. Mund të lutemi me buzë, por të mos kemi falur dikë. Mund të dukemi të devotshëm, por të jemi të mbyllur ndaj nevojave të të tjerëve. Jezusi na thotë: Mos u kujdes vetëm për atë që duket; kujdesu për atë që je në të vërtetë. Shën Augustini na mëson se Hyji e njeh zemrën e njeriut dhe se njeriu duhet të hyjë në brendësinë e vet për të kërkuar të vërtetën. Para Hyjit nuk mund të fshihemi pas pamjes, sepse Ai njeh atë që njerëzit nuk e shohin. Prandaj, një nga pyetjet më të rëndësishme të jetës shpirtërore është: A është zemra ime në përputhje me atë që tregoj jashtë?
Ky Ungjill na paralajmëron për një rrezik që mund të prekë çdo të krishterë: të jetojmë një fe vetëm në dukje. Mund të jemi të rregullt në praktikat fetare, por të mos kemi dashuri. Mund të dimë shumë lutje, por të mos dimë të falim. Mund të flasim për mëshirën e Hyjit, por të jemi të pamëshirshëm me të tjerët. Jezusi nuk kërkon prej nesh një fe që vetëm duket bukur. Ai kërkon një zemër të kthyer tek Hyji. Zemra e pastër nuk është zemra që nuk ka pasur kurrë plagë; është zemra që ia lejon Krishtit t'i shërojë plagët e saj.
Në fund Jezusi jep një rrugë konkrete: “Jepni, pra, për lëmoshë ç'është brenda gotës e kupës e do të jetë gjithçka e pastër për ju.” (Lk 11,41). Këtu Jezusi na tregon se pastrimi i zemrës lidhet me dashurinë dhe dhurimin. Zemra pastrohet kur nuk jeton vetëm për veten. Kur ndajmë me të varfrin. Kur ndihmojmë atë që ka nevojë. Kur i japim kohë një të vetmuari. Kur vizitojmë një të sëmurë. Kur falim atë që na ka lënduar. Kur bëjmë një të mirë pa kërkuar të na falënderojnë.
Kjo është një pikë shumë e rëndësishme për jetën tonë: dashuria është ilaçi kundër egoizmit. Nëse zemra ime është plot me veten time, nuk ka vend për tjetrin. Por kur filloj të jap, të ndaj dhe të shërbej, zemra ime fillon të çlirohet.
Të dashur dëgjues, ndoshta ne pastrojmë shtëpinë tonë çdo ditë. Kujdesemi për rrobat, për pamjen, për shëndetin dhe për shumë gjëra të jashtme. Por sa kohë i kushtojmë pastrimit të zemrës? Zemra ka nevojë për një pastrim shpirtëror. Ndoshta brenda nesh ka një inat që e mbajmë prej vitesh. Ndoshta një plagë që nuk duam ta falim. Ndoshta zili. Ndoshta krenari. Ndoshta dëshirë për t'u dukur më të mirë se të tjerët. Ndoshta një mëkat që vazhdojmë ta justifikojmë. Jezusi nuk na thotë këto gjëra për të na dënuar, por për të na shëruar. Jezusi na thotë: “Pastroje së pari brendësinë.” Dhe kjo fillon me përvujtërinë e zemrës duke thënë: “O Zot, më trego çfarë duhet të ndryshoj në mua.” Rrëfimi, lutja, Eukaristia, Fjala e Hyjit dhe veprat e dashurisë janë mjete përmes të cilave Zoti e pastron dhe e ripërtërin zemrën tonë. Prandaj, të dashur dëgjues, le të mos shqetësohemi vetëm për atë që njerëzit shohin tek ne. Le të shqetësohemi për atë që Hyji sheh në zemrën tonë.
Cila është ajo gjë në zemrën time që Jezusi po më kërkon sot ta pastroj: inati, krenaria, zilia, egoizmi apo një mëkat tjetër?
Jezus, Ti që njeh thellësinë e zemrës sime, pastroje brendësinë time nga çdo e keqe. Hiq prej meje krenarinë, zilinë, mëritë dhe egoizmin. Më jep një zemër të përvujtë, të pastër dhe të mëshirshme, që të mos kërkoj vetëm të dukem mirë përpara njerëzve, por të jem i mirë dhe i sinqertë përpara Teje. Më mëso të dua, të fal, të ndaj dhe të shërbej, që jeta ime të bëhet dëshmi e dashurisë sate. O Jezus, pastroje zemrën time dhe bano gjithmonë në të. Amen.