Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!
01 PRILL 2026
UNGJILLI I DITËS
“Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!”
MEDITIM PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT - Mt 26, 14-25
Ungjilli i sotëm na mbush me heshtje. Jo sepse nuk kemi çfarë të themi, por sepse ndiejmë se po hyjmë në një mister shumë të thellë: në misterin e zemrës njerëzore dhe të zemrës së Zotit. Në pamje të parë, gjithçka duket se zhvillohet në një atmosferë shumë të qetë dhe të zakonshme: përgatitet darka e Pashkëve, nxënësit pyesin, Jezusi jep udhëzime dhe tryeza shtrohet. Megjithatë, nën këtë qetësi, Ungjilli na zbulon një dramë të madhe të zemrës njerëzore. Nga njëra anë është Jezusi. Ai e di se “koha e tij është afër”. Ai e di se çfarë do të ndodhë. Megjithatë nuk largohet, nuk ikën nga miqtë e tij. Përkundrazi, ai dëshiron të kremtojë Pashkët me ta. Në këtë dëshirë të Jezusit shohim zemrën e Zotit: që edhe kur e di se do të refuzohet, Ai vazhdon të kërkojë bashkim me njeriun. Nga ana tjetër është zemra e Judës që tradhton. Këto dy zemra janë ulur në të njëjtën tryezë.
Ungjilli fillon: “Njëri prej të Dymbëdhjetëve, ai që quhej Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë dhe u tha: ‘Çka po më jepni që unë t’jua dorëzoj?’ Ata i caktuan tridhjetë sikla argjendi.” Fakti se Juda ishte një nga të Dymbëdhjetët e bën tradhtinë edhe më të dhimbshme. Juda kishte jetuar me Jezusin. Ai kishte parë mrekulli: të verbërit që shihnin, të sëmurët që shëroheshin, mëkatarët që merrnin falje. Juda kishte dëgjuar fjalët e jetës dhe kishte marrë të njëjtën dashuri si apostujt e tjerë. Megjithatë, Juda shkon ta tradhtojë Zotin.
“Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Kjo është një nga pyetjet më të dhimbshme të historisë së shpëtimit. Përgjigjja është: tridhjetë sikla argjendi. Ky ishte çmimi i një skllavi. Ja sa vlejti Jezusi për Judën! Ja sa vlejti dashuria dhe miqësia e Jezusit për Juden!
Në një farë mënyre, ky Ungjill na fton edhe ne ta pyesim veten: po unë, sa herë e kam shitur Krishtin? Ndoshta jo për para. Por për një interes, për një mëkat të vogël që nuk dua ta lë, për një krenari, për një kompromis, për pak prestigj apo kënaqësi… Dhe kështu, gati si pa e kuptuar, Jezusi nuk është më i rëndësishmi për zemrën tonë. Biem kështu në një marrëdhënie tregtie, e jo më në një marrëdhënie dashurie!
Vazhdon Ungjilli duke treguar: nxënësit përgatitën darkën e Pashkëve. Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. Ndërsa po hanin, ai u tha: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë.” Kur Jezusi thotë këto fjalë, nxënësit fillojnë ta pyesin njëri pas tjetrit: “A mos jam unë, Zotëri?” Kjo është një pyetje shume e rëndësishme për jetën shpirtërore. Nxënësit nuk fillojnë të akuzojnë njëri-tjetrin. Ata nuk thonë: “A mos është ai?” Ata thonë: “A mos jam unë, Zotëri?” Nxënësit nuk kanë një besim të tepruar në vetveten, por e dinë se dobësia njerëzore mund ta çojë çdo njeri në rënie. Prandaj është për të mirën tonë shpirtërore që, para se të gjykojmë të tjerët, ta vendosim zemrën tonë përpara dritës së Zotit. Në të vërtetë edhe Juda pyet: “A mos jam unë, Mësues?” Por ai nuk e bën pyetjen për t’u kthyer. Ai pyet për të fshehur veten. Kjo është tragjedia e mëkatit: jo vetëm ta bësh të keqen, por të mos lejosh që drita e së vërtetës të hyjë në zemër.
Atëherë vjen përgjigja e Jezusit: “Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë, ai do të më tradhtojë.” Shihni, të dashur dëgjues: Jezusi e di se Juda do ta tradhtojë. E megjithatë ai nuk e largon nga tryeza. Jezusi nuk i thotë: “Ti nuk je i denjë të qëndrosh me ne.”
Kjo është dashuria e Jezusit: dashuria që nuk pushon së dashuruari edhe kur e di se do të plagoset. Zoti e di edhe dobësinë tonë. Ai i njeh mirë momentet kur zemra jonë e tradhton. E megjithatë, Krishti vazhdon të na ftojë në tryezën e Tij. Edhe në momentin e tradhtisë, Jezusi na ofron miqësinë e Tij. Kjo ndodh sepse dashuria e Tij është më e madhe se tradhtia dhe se mëkatet tona.
Ungjilli tregon se Jezusi thotë edhe: “Biri i njeriut po shkon siç është shkruar për të.”
Mëkati i njeriut është real dhe tragjik, por Zoti është në gjendje ta përfshijë edhe të keqen e zemrës së njeriut në planin e dashurisë së Tij. Tradhtia e Judës nuk e shkatërron planin e Zotit; përkundrazi, ajo bëhet rruga përmes së cilës Krishti shkon drejt sakrificës së kryqit për shpëtimin e botës. Liria e njeriut dhe provania hyjnore ndërthuren në një mënyrë misterioze. Kjo faqe e Ungjillit, pra, na vendos përpara dy mistereve: misterit të lirisë njerëzore, e cila mund të refuzojë dashurinë e Zotit; dhe misterit të dashurisë hyjnore, që nuk pushon së ofruari vetveten edhe kur refuzohet.
Në fund, tryeza e Pashkëve na çon drejt misterit të Eukaristisë. Pikërisht në këtë klimë tradhtie dhe dobësie njerëzore, Jezusi do të dhurojë vetveten si bukë për jetën e botës.
Kjo na tregon se themeli i Kishës nuk është shumë besnikëria dhe përsosmëria e njerëzve, por dashuria dhe besnikëria e Krishtit.
O Zot Jezus, ti që nuk pushon kurrë duke na dashur edhe kur ne të tradhtojmë, të lutem ndriçoje ndërgjegjen tonë dhe mos lejo që për zemrën tonë asgjë në këtë botë të mos vlejë më shumë se dashuria dhe miqësia Jote! Amen.