Përnjëmend po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!

31 MARS 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Përnjëmend po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!

 

MEDITIM PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS GJONIT - Gjn 13, 21-33. 36-38

 

Ungjilli i sotëm na çon në një nga momentet më të thella dhe më dramatike të jetës së Jezusit: në një moment i mbushur me dashuri, por edhe me tradhti; me besnikëri, por edhe me dobësi. Është Darka e Fundit. Jezusi është ulur në tryezë me ata që i kishte zgjedhur, me ata që i kishte dashur, me ata që kishin ecur për tre vjet.

Ungjilli fillon duke thanë se Jezusi, i tronditur në shpirt, shpalli: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë.” Kjo fjali na zbulon zemrën e Zotit tonë. Këtu kuptojmë se Jezusi nuk është indiferent përballë tradhtisë. Ai tronditet në shpirt. Jezusi e ndien dhimbjen e tradhtisë së një miku. Imagjinoni atë moment. Askush nuk flet. Nxënësit shikojnë njëri-tjetrin me habi dhe frikë. Askush nuk e di se për ke Jezusi po flet. Vazhdon Ungjilli të tregoj se nxënësi që Jezusi e donte ishte pranë kraharorit të Tij dhe Simon Pjetri i bën shenjë që ta pyesë: kush është? Ky atëherë iu mbështet Jezusit në parzëm dhe e pyeti: “Zotëri, cili është?” Kjo afërsi e nxënësit tregon marrëdhënien e thellë që kishte me Jezusin. Në të vërtetë, sa më afër të jemi me Jezusin – në lutje, në besim dhe në dashuri – aq më shumë mund ta kuptojmë zemrën e Tij. Sa më afër të jemi me Jezusin, aq më shumë kuptojmë dashurinë dhe vullnetin e Tij.

Nxënësi i dashur përfaqëson çdo njëri që jeton në një marrëdhënie të veçantë dashurie me Krishtin. Në fakt, çdo i krishterë është i thirrur të bëhet si nxënësi i dashur: të qëndrojë pranë Jezusit, të mbështetet në kraharorin e Tij dhe të dëgjojë rrahjet e zemrës së Tij. Sepse vetëm pranë zemrës së Krishtit njeriu fillon të kuptojë misterin e Hyjit dhe të gjejë paqen e vërtetë.

 Jezusi përgjigj: “Ky është ai të cilit do t’ia jap kafshatën pasi ta ngjyej në kupë.” Atëherë e ngjeu kafshatën, e mori dhe ia dha Judës, birit të Simon Iskariotit. Jezusi e di se Juda do ta tradhtojë. Megjithatë, Ai nuk reagon me zemërim dhe as nuk e përjashton nga tryeza. Përkundrazi, Jezusi vazhdon t’i ofrojë shenjën e miqësisë dhe të afërsisë duke i dhënë kafshatën. Në kulturën e Lindjes, ky gjest ishte një shenjë nderi dhe miqësie dhe një gjest dashurie. Me ketë kuptojmë se edhe në momentin e tradhtisë, Jezusi i ofron edhe një herë miqësinë Judës. Edhe në momentin e tradhtisë, Krishti nuk e ndalon dashurinë e Tij; madje vazhdon ta trajtojë si mik. Kjo të dashur dëgjues është mënyra si vepron Zoti edhe me ne. Jezusi di gjithçka për ne. I din dobësitë tona dhe mëkatet tona. I din momentet kur e kemi tradhtuar dashurinë e Tij dhe megjithatë Ai vazhdon të na ofrojë miqësinë dhe dashurinë e Tij. Nëpërmjet Ungjillit të sotëm Jezusi na thotë: dashuria ime nuk ndalet për shkak të mëkateve tuaja.

Vazhdon Ungjilli me një fjali shumë të fortë: “Pas kësaj kafshate në të hyri djalli.” Djalli hyn vetëm kur zemra është hapur ndaj errësirës dhe të keqes. Juda ishte nxënës i Jezusit, dëgjoi mësimet e Tij dhe pa mrekullitë që Ai bëri, por lejoi që egoizmi dhe errësira të rriteshin brenda tij.  Atëherë “Juda doli jashtë. Ishte natë.” Në Ungjillin e Gjonit, nata është simbol i errësirës shpirtërore. “Ishte natë.” Natë jashtë, por edhe natë në zemrën e Judës. Sepse kur njeriu largohet nga Drita që është Jezusi, ai hyn në një errësirë të thellë. Natë në ndërgjegje. Natë në shpirt. Po, kur zemra largohet nga Zoti, drita fillon të shuhet pak nga pak. Njeriu mund të vazhdojë të ecë, të flasë, të punojë dhe të jetojë, por brenda tij fillon të bjerë një natë e heshtur. Dhe sa më shumë largohet nga Krishti, aq më thellë hyn në errësirë. Kjo na thërret në shqyrtim të ndërgjegjes: A ka diçka në jetën time që po e largon zemrën time nga Jezusi?

Ungjilltari tregon menjëherë se pasi Juda del jashtë, Jezusi thotë diçka të papritur: “Tani u lavdërua Biri i njeriut.” Po si është e mundur? Tradhtia sapo ka filluar. Kryqi po afrohet. Dhe Jezusi flet për lavdi. Kjo ndodh sepse për Jezusin lavdia nuk është pushteti, nuk është suksesi dhe nuk është fitorja njerëzore. Lavdia e Tij është dashuria që shkon deri në fund. Prandaj, pikërisht në momentin kur errësira duket se fiton, drita e shpëtimit fillon të shkëlqejë.

Në fund të Ungjillit kemi dialogun midis Pjetrit dhe Jezusit. Pjetri i premton Jezusit besnikëri absolute: “Unë do ta jap jetën për ty!” Por Jezusi i përgjigjet: “Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Përnjëmend, përnjëmend po të them: para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.” Pjetri e do Jezusin, por ende nuk e njeh plotësisht dobësinë e vet. Edhe ne ndonjëherë mendojmë se jemi të fortë shpirtërisht, por kur përballemi me frikën, vuajtjen dhe turpin e kuptojmë dobësinë tonë. Në të vërtetë pas vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, dhe kur të mbushet me fuqinë e Shpirtit Shenjt, Pjetri do të jetë në gjendje ta ndjekë Krishtin dhe të japë jetën për Të.

Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm është dramatik, por është edhe plot shpresë. Në të shohim se dashuria e Krishtit është më e fortë se tradhtia dhe mëkatet e njeriut.

Për këtë arsye, edhe nëse kemi gabuar, edhe nëse zemra jonë është larguar, rruga e kthimit është gjithmonë e hapur. Prandaj sot le t’i themi Zotit me zemër:

O Zot, ruaje zemrën time nga errësira dhe më mëso të qëndroj pranë Zemrës Sate, ashtu si nxënësi që ti e doje. Edhe nëse bie, si Pjetri, më jep hirin të kthehem gjithmonë tek ti. Sepse mëshira jote është më e madhe se mëkati im, dhe drita jote është më e fortë se çdo natë e zemrës sime. Amen.