Përse kjo brezni kërkon shenjë?

16 SHKURT 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Përse kjo brezni kërkon shenjë?”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT -  Mk 8, 11-3

 

Atëherë erdhën farisenjtë dhe filluan të rragaten me të. Duke e vënë në provë kërkuan prej tij një shenjë prej qiellit.  Jezusi duke fsharë prej fundit të shpirtit, tha: “Përse kjo brezni kërkon shenjë? Për të vërtetë, po ju them: kësaj breznie s’do t’i jepet shenjë!”

Atëherë i la, përsëri hipi në barkë dhe kaloi në anën tjetër.

 

Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na vë përballë një takim të vështirë mes Jezusit dhe farisenjve. Ata vijnë te Jezusi duke kërkuar një shenjë “prej qiellit”. Etërit e Kishës janë të mendimit se farisenjtë nuk kërkojnë shenjë për të besuar, por për ta vënë Jezusin në provë, sepse ata kishin parë tashmë shumë shenja: të verbrit që shohin, të sëmurët që shërohen, të pushtuarit nga shpirtrat e këqij që lirohen, turmat që ushqehen me bukë. Problemi pra nuk ishte mungesa e shenjave, por mungesa e zemrës së hapur. Kështu kërkimi i shenjave është një justifikim për të mos besuar dhe për të mos u kthyer. Praktikisht ata janë duke kërkuar që Jezusi të hyj në skemat e tyre.

Ky është një tundim që ekziston edhe sot. Ndoshta edhe ne na ndodhë të themi: “Nëse do të më ndihmojë Zoti në këtë situatë, atëherë do të besoj më shumë!” ose “Nëse Zoti do të më japë një shenjë të qartë, atëherë do ta ndjek Atë.” E pra Ungjilli na mëson se Shpirti që është i ndriçuar nga Fjala e Zotit nuk ka nevojë për shenja të bujshme për të besuar, sepse ai tashmë në dritën e Fjalës e njeh tashmë Zotin. Mrekullitë nuk krijojnë besim automatikisht. Ato mund të hapin një derë, por nuk e detyrojnë askënd të hyjë. Nëse zemra është e mbyllur, edhe mrekullia më e madhe mbetet pa fryt. Prandaj të dashur dëgjues na bën mirë ta pyesim veten:  A po kërkoj shenja, apo po kërkoj të takoj Fjalën e gjallë- Jezu Krishtin?

Gjithashtu, Ungjilli na thotë se Jezusi psherëtiu thellë nga fundi i shpirtit. Ky detaj është jashtëzakonisht domethënës. Nuk është zemërim, nuk është nervozizëm, por dhimbje e thellë. Është dhimbja e Zotit që sheh njeriu duke i mbyll dyert e zemrës pikërisht aty ku po troket hiri. Është psherëtima e Mjekut që sheh të sëmurin duke refuzuar ilaçin. Prandaj Jezusi thotë: “Kësaj breznie s’do t’i jepet shenjë.” Jo si ndëshkim, por si diagnozë shpirtërore. Kjo nuk do të thotë as se Zoti refuzon të zbulohet. Përkundrazi, Hyji e ka dhënë tashmë shenjën më të madhe dhe përfundimtare: Birin e Tij. Jezusi vetë është shenja e vërtetë. Fjala e tij, Veprat e Tij, Mëshira e mbi të gjitha, Kryqi dhe Ngjallja, janë shenja të vërteta. Kush nuk i pranon këto shenja, nuk do të bindet nga asnjë mrekulli tjetër. Aty ku ka besim të vërtetë, çdo takim me Krishtin bëhet shenjë. Dhe aty ku mungon besimi, edhe mrekullia më e madhe mbeten pa fryt.

Përfundon Ungjilli duke thanë: Atëherë i la. Jezusi pra largohet. Ai nuk hyn në diskutime boshe, nuk imponon, nuk detyron. Jezusi respekton lirinë e njeriut. Jezusi nuk e thyen derën e zemrës. Ai troket, fton, pret – por nuk detyron kurrë me forcë.

Pra të dashur dëgjues Ungjilli sotëm është një thirrje serioze për ne: Zoti kalon afër nesh. Hiri troket në zemrën tonë. Pyetja është: A jemi ne të mbyllur në kërkesat tona?

 

Zot Jezus, po të lutemi, na jep hirin të kalojmë nga kërkimi i shenjave në dëgjimin e Fjalës. Hapi sytë e zemrës sonë, që të shohim Ty si Shenjën më të madhe që na flet, na shëron dhe na fton në jetë të re. Amen.