Përse po shqetësoheni pse s’keni bukë?
17 SHKURT 2026
UNGJILLI I DITËS
“Përse po shqetësoheni pse s’keni bukë?”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT - Mk 8, 14-21
Nxënësit harruan të marrin bukë. Me vete në barkë kishin vetëm një bukë. Atëherë Jezusi u dha këtë porosi: “Dëgjoni: ruajuni prej tharmit të farisenjve e prej tharmit të Herodit!” Ata i thoshin njëri‑tjetrit: “Nuk kemi bukë!” Jezusi e hetoi atë gjë e u tha: “Përse po shqetësoheni pse s’keni bukë? Po, a ende nuk po kuptoni e nuk po merrni vesh? Po aq pak mend paskeni? ‘Me sy në ballë e nuk shihni, me veshë në kokë e nuk dëgjoni?’ Po a nuk po ju kujtohet se kur i ndava pesë bukë për pesë mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?” Ata iu përgjigjën: “Dymbëdhjetë!” “E kur ndava shtatë bukë për katër mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?” “Shtatë!” ‑ iu përgjigjën. “Dhe ende nuk po kuptoni?! ‑ u tha.
Fillon Ungjilli duke thanë: Nxënësit harruan të marrin bukë. Në të vërtetë harresa e bukës zbulon se ata kanë harruar mrekullinë që Zoti kishte bërë në sytë e tyre. Atëherë Jezusi i porosit: “Dëgjoni: ruajuni prej tharmit të farisenjve e prej tharmit të Herodit!
Në Bibël, tharmi është simbol i një force të fshehtë, që vepron ngadalë, derisa e shndërron të gjithë brumin. Dhe Jezusi është duke thanë: ajo që lejojmë të hyj në zemrën tonë, (edhe në sasi të vogël), ajo na ndryshon tërësisht. Prandaj paralajmërimi ka të bëjë me e brendësinë e njeriut: me mënyrën e të menduarit, të besuarit dhe të jetuarit. Farisenjtë përfaqësojnë hipokrizinë fetare, d.m.th. kanë: një fe të saktë në rregulla, por të zbrazët në dashuri; të fortë në dukje, por të ftohtë në mëshirë. Tharmi i tyre është: fe që gjykon më shumë sesa shëron, ligj pa dashuri, bindje se “jam i drejtë” dhe të tjerët janë gabim. Ndërsa Tharmi i Herodit është: dëshira për të ruajtur pushtetin me çdo kusht, frika nga opinioni i të tjerëve, kompromis me të keqen për rehati dhe interesa personale. Të dy këto tharme kanë një gjë të përbashkët: e nxjerrin Zotin jashtë dhe vendosin njeriun në qendër. Prandaj kur Jezusi ju thotë: “Dëgjoni” është duke i thirrur për vigjilencë, sepse tharmi nuk bie në sy, por vepron. Ai nuk na shkatërron menjëherë, por na deformon ngadalë. Për ketë arsye kjo është një thirrje për: shqyrtim të ndërgjegjes, dallimin shpirtëror, dhe sinqeritet para Zotit.
Por të dashur dëgjues dishepujt janë të përqendruar tek buka që ju mungon. Ata kanë Zotin e jetës në barkë, dhe janë të shqetësuar se nuk kanë bukë. Jezusi dëshiron me iu hapë mendjen duke i pyetur: Përse po shqetësoheni se nuk keni bukë? Po, a ende nuk po kuptoni? ‘Me sy në ballë e nuk shihni. Me veshë në kokë e nuk dëgjoni. Këto fjalë Jezusi ua drejton nxënësve të vet pas shumë mrekullive që kishin parë me sytë e tyre, sidomos mrekullisë së shumimit të bukëve. Jezusi nuk i qorton sepse janë të paditur, por sepse nuk po lidhin përvojën me besimin. Në fakt, kuptimi i vërtetë shpirtëror nuk vjen vetëm nga ajo që shohim apo dëgjojmë, por nga zemra që beson se Zoti që kishte vepruar dje, e sot përsëri kemi vështirësi ta besojmë.
Shprehja: Me sy në ballë e nuk shihni, me veshë në krye e nuk dëgjoni, është një gjuhë profetike, e përdorur edhe në Besëlidhjen e Vjetër, që tregon verbëri dhe shurdhim shpirtëror. Nxënësit shohin mrekullitë që bën Jezusi, por nuk arrijnë të lexojnë kuptimin shpirtëror të tyre. Sytë e trupit shohin bukën, por sytë e zemrës nuk shohin Zotin. Prandaj Jezusi i pyet? Po a nuk po ju kujtohet mrekullia e shumimit të bukëve?
Të dashur dëgjues, harresa e veprave të Zotit është burimi i mosbesimit, ndërsa kujtesa e veprave të Zotit, na bën njerëz që besojnë, edhe kur buka duken pak. Në ketë mënyrë Zoti i fton dishepujt - dhe na fton edhe ne - të kalojmë nga frika tek besimi, nga llogaritja njerëzore tek dorëzimi, nga shikimi i bukës tek shikimi i Jezusit. Sepse aty ku është Jezusi, mjafton gjithmonë.
Ungjilli i sotëm e pyet çdo njërin prej nesh: Cilin tharm po lejoj të veprojë në zemrën time: atë që më afron me Zotin apo atë që, dalëngadalë, e vendos veten time në qendër dhe e largon Atë nga jeta ime?
A kam sy që shohin veprimin e Zotit në jetën time, apo shoh vetëm mungesat dhe vështirësitë? Cilat janë “mrekullitë” që Zoti ka bërë në jetën time dhe unë rrezikoj t’i harroj?
O Zot Jezus, ruaje zemrën time nga çdo tharm që më largon prej Teje. Të lutem o Zot, kur sytë e mi shohin vetëm bukën që mungon, hape zemrën time të të shoh Ty që je i pranishëm. Më mëso të kujtoj veprat e Tua dhe të jetoj nga besimi, jo nga frika dhe shqetësimi. Amen.