Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut
29 Prill 2026
UNGJILLI I DITËS
“Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- Mt 11, 25-30
Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: “Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët, e ua zbulove të vegjëlve. Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu! Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit e përveç atij kujt Biri do që t’ia zbulojë. Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.”
Në Ungjillin e sotëm Jezusi fillon duke falënderuar Atin: “Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut.” Kështu është mirë të jetë edhe fillimi i lutjes sonë: jo lista e problemeve, jo ankesa për ata që nuk besojnë. Por: të faleminderit, o Zot... Jezusi bekon Atin që i fshehu këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët, e ua zbulove të vegjëlve. Në fillim dua të them se kjo nuk është një kritikë ndaj inteligjencës, por ndaj krenarisë shpirtërore.
Po, kush janë “të diturit”? Janë ata që besojnë në fuqinë e mendjes së tyre, ata që mendojnë se nuk kanë më nevojë të dëgjojnë, ata që tashmë janë të mbyllur në sigurinë e tyre. Ndërsa “të vegjlit” janë ata që kanë një zemër të hapur, të përvuajtur dhe nuk mbështeten në vetvete. Ata që nuk mendojnë se e zotërojnë të vërtetën, por e kërkojnë. Ipeshkvi Don Tonino Bello në lidhje me këtë thoshte: “Të vegjlit” janë njerëz konkretë: nëna që lodhet pa u ankuar, punëtori i heshtur, i varfri që ende shpreson, i riu që kërkon kuptim. “Zoti nuk banon në kullat e sigurta të atyre që kanë përgjigje për gjithçka, por në kasollet e brishta të atyre që ende dinë të pyesin.”
Vazhdon Jezusi: Askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njohë Atin përveç Birit dhe atij kujt Biri do që t’ia zbulojë. E dimë tashmë të dashur dëgjues se njohja në Bibël nuk është informacion, por është marrëdhënie e thellë. Prandaj të njohësh Hyjin nuk është të dish për Të, por të hysh në marrëdhënie me Të. Mistikët si Shën Gjoni i Kryqit dhe Shën Tereza e Avilës flasin për këtë njohje si një “errësirë e ndritshme”, ku mendja ndalet dhe zemra fillon të shohë. Në fakt, Krishterimi është takim me Jezusin që na e zbulon Atin.
Tani kemi një nga thirrjet më të ëmbla dhe më të thella që ka dalë nga goja e Fjalës së mishëruar. “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë.” Këtu Jezusi nuk vendos kushte: nuk thotë “ejani nëse jeni të mirë”, nuk thotë “ejani nëse jeni të denjë”. Por thotë: “Ejani nëse jeni të lodhur.” Jezusi fton ata që janë të lodhur nga padrejtësia, që ndihen të dështuar, ata që jetojnë në një qoshe dhe nuk i dëgjon kush. Ata që janë të lodhur nga zhgënjimet, nga pritshmëritë, nga mëkatet e përsëritura dhe nga boshllëku i brendshëm. Pra, të dashur dëgjues, Jezusi nuk fton heronjtë. Ai fton ata që mezi qëndrojnë në këmbë. Kjo thirrje është për të gjithë ne, sepse kush nuk është i lodhur?
Jezusi sot na thërret dhe na premton: “Unë do t’ju çlodh.” Kjo “çlodhje” nuk është thjesht pushim fizik. Është paqe e brendshme, çlirim nga pesha e fajit, pajtim me Zotin. Është siguria që nuk je vetëm dhe se je i dashur prej Zotit. Vazhdon Jezusi duke na thënë: “Merrni mbi vete zgjedhën time.” Kjo duket kontradiktore: Ai flet për pushim, por pastaj flet për një zgjedhë (një barrë). E si mund të jetë një zgjedhë e ëmbël? Po, sepse në dashuri dhe për dashuri, gjithçka bëhet e lehtë, madje edhe vuajtja. Zgjedha e Jezusit është: të jetosh Ungjillin çdo ditë, të zgjedhësh dashurinë në vend të egoizmit, të falësh edhe kur është e vështirë, të shërbesh në vend që të sundosh.
“Pranoni të mësoni prej meje që jam zemërbutë dhe i përvuajtur.” Jezusi nuk thotë: “jam i fortë”, “jam i drejtë”, “jam i lavdishëm”. Jezusi thotë: “jam i butë dhe i përvuajtur.” Kjo është fytyra e vërtetë e Zotit tonë. Jo një Zot i ashpër, por i butë, i afërt, i përvuajtur. Ky është Zoti ynë. “Fuqia e Zotit tonë shfaqet në butësi.” Ne nuk kemi një Zot që frikëson, por një Zot që shoqëron. Nuk kemi një Zot që na gjykon, por një Zot që na shëron. Zemra e Jezusit është e hapur, e mëshirshme, e durueshme për të gjithë. Shenjtërit thonë: shpirti që bëhet i butë dhe i përvuajtur bëhet pasqyrë e Hyjit.
“Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj.” Kjo është ajo që kërkon çdo njeri, edhe pa e ditur: pushimin e brendshëm. Ky pushim vjen nga prania e Hyjit në zemrën tonë. Shpirti ynë pushon kur ndihet i zhytur në mëshirën e Hyjit dhe në thellësi përjeton se i janë falur të gjitha mëkatet. Krejt qenia jonë pushon kur përjeton se është i dashur pa asnjë kusht prej Zotit. Kështu njeriu pajtohet me veten, me të kaluarën e vet dhe pajtohet me Zotin. Ky është pushim i vërtetë. “Zoti që na thërret na pret, jo për të na gjykuar, por për të na përqafuar.”
O Zot Jezus, më çliro nga krenaria që më mbyll dhe më mëso të jem i vogël që të të njoh. Po vij tek Ti me lodhjen time, me barrët që nuk i mbaj dot më. Të lutem, më jep pushimin që vetëm Ti mund ta japësh. Bëj që jeta ime të mos jetë një shkretëtirë vetmie, por një histori e bashkimit të vërtetë me Ty. Amen.