Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut!
15 KORRIK 2026
UNGJILLI I DITES
“Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT -(Mt 11, 25-27)
Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: "Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve. Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu! Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s'mund ta njohë Birin përveç Atit dhe askush s'mund ta njoh Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t'ia zbulojë."
Në Ungjillin e sotëm, Jezusi fillon duke falënderuar Atin: “Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut.” Jezusi i thotë këto fjalë në një çast kur shumë njerëz po e refuzonin mësimin e Tij. Megjithatë, Jezusi nuk ankohet për mospranim, nuk rebelohet për moskuptim, nuk zemërohet për refuzim. Ai bekon Atin. Kështu, Jezusi na mëson se lutja jonë duhet të fillojë me falënderim dhe mirënjohje. Jo së pari me listën e problemeve tona, jo me ankesat për ata që janë rreth nesh apo për ata që nuk besojnë, por me një zemër që thotë: Po të bekoj, o Atë! Shën Ambrozi thoshte: Asgjë nuk i pëlqen më shumë Hyjit sesa një shpirt që falënderon.
Në të vërtetë zemra që di të falënderojë është tashmë e hapur për të pranuar hirin.
Jezusi vazhdon lutjen e Tij drejtuar Atit duke thënë: Ti i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët, dhe ua zbulove të vegjëlve. Kujdes! Kjo nuk është një kritikë ndaj inteligjencës, por ndaj krenarisë shpirtërore. Ndaj atyre që besojnë vetëm në fuqinë e mendjes së tyre, pra, ndaj atyre që mendojnë se nuk kanë më nevojë të dëgjojnë askënd, ndaj atyre që tashmë janë të mbyllur në sigurinë e dijes së tyre. Ndërsa, të vegjlit e Ungjillit, janë ata që kanë një zemër të hapur, të përvuajtur dhe nuk mbështeten në vetvete. Ata që nuk mendojnë se e zotërojnë të vërtetën, por e kërkojnë me përvujtëri.
Ipeshkvi Don Tonino Bello në lidhje me këtë thoshte: “Të vegjlit” janë njerëz konkretë: nëna që lodhet pa u ankuar, punëtori i heshtur, i varfri që ende shpreson, i riu që kërkon kuptim. “Zoti nuk banon në kullat e sigurta të atyre që kanë përgjigje për gjithçka, por në kasollet e brishta të atyre që ende dinë të pyesin.” Shën Tereza e Jezusit Fëmijë thotë: “Është përmes vogëlsisë dhe dobësisë sime që Hyji tregon fuqinë e Tij.”
Më pas, Jezusi vazhdon duke thënë: Askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njohë Atin përveç Birit dhe atij kujt Biri do që t’ia zbulojë. E dimë tashmë, të dashur dëgjues, se njohja në Bibël nuk është informacion, por është marrëdhënie e thellë. Prandaj, të njohësh Atin do të thotë të hysh në marrëdhënien që Biri ka me Të, të marrësh pjesë në dashurinë trinitare që rrjedh mes Atit dhe Birit në Shpirtin Shenjtë.
Mistikët si Shën Gjoni i Kryqit dhe Shën Tereza e Avilës e përshkruajnë këtë njohje të Hyjit si një “errësirë të shndritshme”. Kjo është një dritë që nuk shihet me sytë e trupit, por përjetohet në brendësi të shpirtit; një prani që nuk shpjegohet me fjalë, por shijohet në heshtje. Në këtë përvojë, mendja ndalet së kërkuari për të kuptuar gjithçka, ndërsa zemra fillon të “shohë” më thellë, duke njohur Zotin jo si ide apo koncept, por si dashuri të gjallë dhe të pranishme.
Kështu, njohja e Atit bëhet një ecje e përulur dhe një hapje e vazhdueshme ndaj misterit që nuk zotërohet kurrë plotësisht, por përjetohet gjithnjë më thellë në dashuri.
Në fakt, Krishterimi është takim me Jezusin që na e zbulon fytyrën e dashur dhe të mëshirshme të Atin.
O Atë i qiellit dhe i dheut, që i zbulon misteret e Mbretërisë sate zemrave të thjeshta, ma jep hirin e përvujtërisë së vërtetë që në vogëlsinë time të njoh madhështinë e dashurisë Sate.
Jezus, Biri i Atit të përjetshëm, hap zemrën time që të pranoj zbulesën Tënde, sepse vetëm Ti më çon tek Ati. Amen!