Por, ai kaloi përmes tyre e vijoi rrugën e vet
09 Mars 2026
UNGJILLI I DITËS
“Por, ai kaloi përmes tyre e vijoi rrugën e vet!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS LUKES- Lk 4, 24-30
Për të vërtetë po ju them ‑ vazhdoi ‑ asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet.
Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë vejusha në Izrael, dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në Sareptë të Sidonisë. Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.”
Këto fjalë i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. U çuan në këmbë, e hodhën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. Por, ai kaloi përmes tyre e vijoi rrugën e vet.
Siç e dëgjuam, Jezusi është duke folur në Sinagogë në Nazaret, në vendin ku ishte rritur. Ata e njihnin. E kishin parë si fëmijë. E dinin familjen e Tij. Dhe pikërisht kjo njohje u bë pengesë për ta pranuar fjalën e Tij. Familjariteti për ta bëhet verbëri që i çon në refuzim dhe pastaj në zemërim. Kjo është një tragjedi shpirtërore. Ata thonë: “Ne e dimë kush është ai”, dhe e mbyllin zemrën ndaj veprimit të Hyjit.
Të dashur dëgjues, edhe neve Zoti shpesh na flet përmes atyre që janë në familjen tonë, në bashkësinë tonë, përmes atyre që janë afër nesh. Por dashtë Zoti të mos biem në tundimin për të menduar se: “Unë e di si janë punët, unë e di si funksionon feja. Unë e di kush është Jezusi.”
Vazhdon Ungjilli duke treguar se Jezusi ju kujton dy ngjarje nga Besëlidhja e Vjetër: profetin Elì, i cili u dërgua jo te vejusha izraelite, por te një vejushë pagane; dhe profetin Elizeu, që shëroi jo një izraelit, por Naamanin sirian. Këto dy episode janë shembuj të fuqisë së Hyjit që nuk njeh kufij dhe të besimit që hap rrugë për mrekulli.
Njerëzit e Nazaretit mendonin se vetëm ata janë populli i zgjedhur, se hiret dhe mrekullitë janë vetëm për ta, vetëm për popullin e tyre, sepse vetëm ata i meritojnë. Jezusi shpall se hiri i Hyjit nuk është pronë e askujt. Është dhuratë. Dhe kjo dhuratë është për të gjithë. Hyji nuk favorizon vetëm një popull apo grup, por hap rrugën për të gjithë ata që besojnë në Të. Hyji zgjedh një popull që, përmes tij, të bekojë të gjithë njerëzimin.
Fjalët e Jezusit i mbushin me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. Madje ata zemërohen aq shumë sa e çuan në buzë të malit për ta hedhur në greminë. Reagimi i tyre plot zemërim dhe dhunë tregon përplasjen e logjikës njerëzore me fjalën hyjnore.
Por Ungjilli thekson se: “Jezusi kaloi përmes tyre e vijoi rrugën e vet.”
Këtu shohim shembullin ekzemplar të Jezusit: Ai nuk përdor forcë, nuk hakmerret, nuk zemërohet dhe as nuk lejon që zemërimi i tyre ta ndalojë misionin e Tij. Jezusi vazhdon rrugën, i përkushtuar ndaj dashurisë dhe ndaj së vërtetës së Hyjit Atë.
Ky është mësim i madh edhe për ne: kur përballemi me kundërshtime, refuzime apo me zemërimin e atyre që na flasin, qëndrimi ynë duhet të jetë si i Jezusit: paqësor, i qëndrueshëm dhe i përkushtuar ndaj së vërtetës. Të kalosh “përmes tyre” dhe të vazhdosh rrugën është simbol i durimit dhe besimit të palëkundur. Për shembull: Në familje, kur flasim për dashurinë dhe faljen, ndonjëherë hasim kundërshtime. Nuk duhet të zemërohemi edhe ne, por si Jezusi të vazhdojmë me dashurinë e Zotit dhe me durim. Në punë dhe në shoqëri, të flasësh apo të veprosh për të vërtetën dhe për drejtësinë shpesh provokon zemërime dhe kundërshtime. Ungjilli na thotë: mos u frikëso, vazhdo rrugën e drejtë. Në jetën shpirtërore, kur lutemi apo përpiqemi të ndryshojmë vetveten, zemra jonë mund të ndiejë tension. Por në dritën e Fjalës kuptojmë se durimi dhe besimi janë çelësat për të ecur përpara.
O Zot Jezus, na çliro nga krenaria që na bën të themi: “unë di gjithçka”, dhe na jep besimin që hap rrugë për mrekulli. O Hyj i dashurisë, bëje jetën tonë një dëshmi të butësisë, që edhe në mes të refuzimeve të vazhdojmë rrugën e dashurisë dhe të vërtetës, duke besuar se hiri Yt është dhuratë për të gjithë. Amen!