Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë!

16 KORRIK 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT - (Mt 11, 28-30)

 

atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: "Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës rëndë e unë do t'ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t'ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë."

Të dashur dëgjues të Radio Marisë, Ungjilli i sotëm është një nga ftesat më të bukura dhe më ngushëlluese që Jezusi i drejton zemrës së njeriut: “Ejani tek unë, o ju të gjithë që jeni të lodhur e të ngarkuar, dhe unë do t’ju çlodh.

Kush prej nesh nuk e ka ndier ndonjëherë lodhjen e thellë? Ka lodhje fizike, por ka edhe një lodhje më të thellë: lodhja e zemrës. Është lodhja që vjen nga shqetësimet, nga zhgënjimet, nga konfliktet, nga mëkati, nga ndjenja e vetmisë, nga përgjegjësitë e jetës ose nga pesha e kryqit që secili mban në heshtje. Pikërisht kësaj lodhjeje Jezusi i drejtohet sot. Ai nuk flet vetëm për një pushim të trupit, por për pushimin e shpirtit, atë paqe që vetëm Hyji mund ta japë.

“Ejani tek unë”- Fjala e parë e Jezusit është një ftesë: “Ejani.” Ai nuk thotë: “Zgjidhni vetë problemet tuaja”, apo “Bëhuni më të fortë.” Ai na fton të shkojmë tek Ai. Besimi i krishterë nuk është para së gjithash një grup rregullash, por një takim me një Person që na pret me dashuri.

Sa herë, kur jemi në vështirësi, kërkojmë zgjidhje kudo: te forcat tona, te njerëzit, te gjërat materiale, e për fat të keq ndonjë herë edhe mund të pyesim ndonjë fallxhore!!! Të gjitha këto duken sikur mund të ndihmojnë për momentin, por zemra e njeriut mbetet e etur derisa të pushojë në Hyjin. Prandaj thotë Shën Augustini, duke folur për këtë etje të njeriut, shkruan: “Ti na ke krijuar për Vete, o Zot, dhe zemra jonë nuk gjënë paqe derisa të pushojë në Ty.” (Rrëfimet, I,1)

Këto fjalë shprehin bukur të vërtetën e Ungjillit të sotëm. Pushimi që kërkojmë nuk është mungesa e problemeve, por prania e Krishtit në mes të tyre.

“Merrni zgjedhën time”- Në pamje të parë, duket e çuditshme. Jezusi premton pushim, por menjëherë flet për një zgjedhë-si barrë. Si mund të jetë zgjedha burim paqeje? Në kohën e Jezusit, zgjedha ishte një mjet që bashkonte dy qé për të punuar tokën së bashku. Jezusi nuk na kërkon të mbajmë vetëm barrët tona. Ai na fton të ecim bashkë me Të. Bilës ai e mbanë pjesën më të rendë për ne.  Kur njeriu përpiqet ta mbajë jetën vetëm me forcat e veta, lodhet shpejt. Kur ia beson jetën Krishtit, barra nuk zhduket gjithmonë, por bëhet më e lehtë, sepse nuk mbahet vetëm. Shën Gjon Gojarti thoshte: “Zgjedha e Krishtit është e lehtë, sepse është zgjedha e dashurisë. Dashuria e bën të lehtë atë që pa dashuri duket e padurueshme.”

Sa e vërtetë është kjo në jetën e përditshme! Një nënë nuk lodhet duke u kujdesur për fëmijën e saj, sepse e bën për dashuri. Një meshtar nuk e jeton shërbimin si barrë kur zemra e tij është e mbushur me dashuri për Krishtin. Një bashkëshort di të falë dhe të sakrifikohet kur dashuria është më e madhe se krenaria. Dashuria nuk e heq kryqin, por i jep kuptim.

“Mësoni prej meje”- Jezusi nuk thotë: “Mësoni nga librat”, por “Mësoni prej meje.” Çfarë duhet të mësojmë? Jo fuqinë, jo suksesin, jo mënyrën për të sunduar mbi të tjerët. Jezusi na mëson dy virtyte që sot duken të rralla: butësinë dhe përvujtërinë e zemrës. Butësia nuk është dobësi. Është forca që nuk përdor dhunën. Është aftësia për të folur me dashuri edhe kur të tjerët na lëndojnë. Përvujtëria nuk do të thotë ta zhvlerësosh veten. Do të thotë të pranosh se gjithçka është dhuratë e Hyjit dhe se kemi nevojë për Të: “Përvujtëria është themeli i të gjitha virtyteve; aty ku ajo mungon, edhe veprat më të mira humbasin bukurinë e tyre.”

Pushimi i zemrës-Shpesh mendojmë se do të gjejmë paqe kur të zgjidhen të gjitha problemet tona. Por Jezusi na mëson diçka tjetër: paqja nuk është mungesa e kryqit, por prania e Tij afër nesh. Shenjtërit nuk ishin njerëz pa vuajtje. Ata kishin sprova, sëmundje dhe vështirësi, por jetonin me një paqe të thellë, sepse e dinin se Krishti ecte me ta, se Krishti ishte forca e tyre.  Edhe ne, nëse i besojmë Atij lodhjet tona, frikërat, mëkatet dhe shpresat tona, do të zbulojmë se zemra fillon të çlirohet. Ndoshta rrethanat nuk ndryshojnë menjëherë, por ndryshon mënyra se si i jetojmë ato.

Të dashur dëgjues, Jezusi vazhdon ta përsërisë këtë ftesë edhe sot: “Ejani tek unë.” Ai nuk pret njerëz të përsosur, por zemra të lodhura që kanë guximin t'i besohen Atij. Le ta dorëzojmë në duart e Tij gjithçka që na rëndon. Ai nuk premton një jetë pa kryq, por një zemër që, e bashkuar me Të, nuk e humbet kurrë paqen.

Pyetje për reflektim personal

Cilat janë barrët që po mbaj sot dhe a ia kam besuar vërtet Jezusit në lutje?

A përpiqem të jetoj me butësi dhe përvujtëri në marrëdhëniet e mia me familjen, bashkëpunëtorët dhe të afërmit?

Çfarë mund të bëj çdo ditë për të qëndruar më pranë Krishtit, që zemra ime të gjejë pushimin e vërtetë?

Lutje përfundimtare

O Jezus, Ti që je i butë dhe i përvuajtur me zemër, i njeh lodhjet dhe plagët e jetës sonë. Merri mbi Vete barrët tona dhe na mëso të ecim çdo ditë me Ty. Na jep një zemër të përvujtë, të mbushur me besim dhe paqe, që edhe në mes të vështirësive të gjejmë pushim në dashurinë Tënde. Ti je shpresa jonë sot dhe përgjithmonë. Amen.