Pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur!
12 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITES
“Pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT- Mt 11, 25-30
Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: “Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët, e ua zbulove të vegjëlve. Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu! Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit e përveç atij kujt Biri do që t’ia zbulojë. Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.”
Në Ungjillin e sotëm, Jezusi fillon duke falënderuar Atin: “Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut.” Jezusi i thotë këto fjalë në një çast kur shumë njerëz po e refuzonin mësimin e Tij. Megjithatë, Jezusi nuk ankohet për mospranim, nuk rebelohet për moskuptim, nuk zemërohet për refuzim. Ai bekon Atin. Kështu, Jezusi na mëson se lutja jonë duhet të fillojë me falënderim dhe mirënjohje. Jo së pari me listën e problemeve tona, jo me ankesat për ata që janë rreth nesh apo për ata që nuk besojnë, por me një zemër që thotë: Po të bekoj, o Atë! Shën Ambrozi thoshte: Asgjë nuk i pëlqen më shumë Hyjit sesa një shpirt që e falënderon. Në të vërtetë zemra që di të falënderojë është tashmë e hapur për të pranuar hirin.
Jezusi vazhdon lutjen e Tij drejtuar Atit: Ti i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët, dhe ua zbulove të vegjëlve. Kujdes! Kjo nuk është një kritikë ndaj inteligjencës, por ndaj krenarisë shpirtërore. Ndaj atyre që besojnë vetëm në fuqinë e mendjes së tyre, ndaj atyre që mendojnë se nuk kanë më nevojë të dëgjojnë, ndaj atyre që tashmë janë të mbyllur në sigurinë e dijes së tyre. Ndërsa, të vegjlit e Ungjillit, janë ata që kanë një zemër të hapur, të përvuajtur dhe nuk mbështeten në vetvete. Ata që nuk mendojnë se e zotërojnë të vërtetën, por e kërkojnë me përvujtëri.
Pas kësaj, Jezusi shton: Askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njohë Atin përveç Birit dhe atij kujt Biri do që t’ia zbulojë. E dimë tashmë, të dashur dëgjues, se njohja në Bibël nuk është informacion, por është marrëdhënie e thellë. Prandaj, Të njohësh Atin do të thotë të hysh në marrëdhënien që Biri ka me Të, të marrësh pjesë në dashurinë trinitare që rrjedh mes Atit dhe Birit në Shpirtin Shenjtë. Mistikët si Shën Gjoni i Kryqit dhe Shën Tereza e Avilës e përshkruajnë këtë njohje të Hyjit si një “errësirë të shndritshme”. Kjo është një dritë që nuk shihet me sytë e trupit, por përjetohet në brendësi të shpirtit; një prani që nuk shpjegohet, por shijohet në heshtje. Në këtë përvojë, mendja ndalet së kërkuari për të kuptuar gjithçka, ndërsa zemra fillon të “shohë” më thellë, duke njohur Zotin jo si ide apo koncept, por si dashuri të gjallë dhe të pranishme. Kështu, njohja e Atit bëhet një ecje e përulur, një hapje e vazhdueshme ndaj misterit që nuk zotërohet kurrë plotësisht, por përjetohet gjithnjë më thellë në dashuri.
Tani të dashur dëgjues, kemi një nga thirrjet më të ëmbla dhe më të thella që ka dalë nga goja e Fjalës së Mishëruar: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë.” Këtu Jezusi nuk vendos kushte: nuk thotë “ejani nëse keni vepru mirë”, nuk thotë “ejani nëse jeni të denjë”. Por thotë: “Ejani ju që jeni të lodhur.” Jezusi fton ata që janë të lodhur nga padrejtësia, ata që ndihen të dështuar, ata që jetojnë në një qoshe dhe nuk i dëgjon kush. Ata që janë të lodhur nga zhgënjimet, nga pritshmëritë, nga mëkatet e përsëritura dhe nga boshllëku i brendshëm. Pra, të dashur dëgjues, Jezusi nuk fton heronjtë, por fton ata që mezi qëndrojnë në këmbë. Kjo thirrje është për të gjithë ne, sepse kush prej nesh nuk është i lodhur? Po, Jezusi sot na fton dhe na siguron me premtimin e Tij: “Unë do t’ju çlodh.” Kjo “çlodhje” nuk është thjesht pushim fizik. Është paqe e brendshme, çlirim nga pesha e fajit, pajtim me Zotin. Është siguria që nuk je vetëm dhe se je i dashur prej Zotit.
Dhe, që të përjetojmë pushimin që Jezusi na premton, Ai na thotë: Merrni mbi vete zgjedhën time. Ai flet për pushim, por pastaj flet për një zgjedhë (një barrë). E si mund të jetë një zgjedhë e ëmbël? Po, sepse në dashuri dhe për dashuri, gjithçka bëhet e lehtë, madje edhe vuajtja. Zgjedha e Jezusit është: të jetosh Ungjillin çdo ditë, të zgjedhësh dashurinë në vend të egoizmit, të falësh edhe kur është e vështirë, të shërbesh në vend që të sundosh.
Prandaj na thotë edhe: “Pranoni të mësoni prej meje që jam zemërbutë dhe i përvuajtur.” Jezusi nuk thotë: jam i fortë, jam i drejtë, jam i lavdishëm. Jezusi thotë: jam zemërbutë dhe i përvuajtur. Kjo është fytyra e vërtetë e Zotit tonë. Jo një Zot i ashpër dhe i largët, por një Zot i butë e i afërt. Ne nuk kemi një Zot që frikëson, por një Zot që na don. Nuk kemi një Zot që na gjykon, por një Zot që na pranon dhe na shëron. Zemra e Jezusit është e hapur, e mëshirshme, e durueshme për të gjithë ne. Jezusi na thotë se në këtë mënyrë zemra jonë do të gjejë pushim për shpirtrat tanë. Në të vërtetë, kjo është ajo që kërkon çdo njeri, edhe pa e ditur: pushimin e brendshëm. Shpirti ynë pushon kur ndihet i përqafuar nga Prania e Hyjit, kur përjeton se jemi të dashur pa kushte prej Tij.
O Atë i qiellit dhe i dheut, të bekoj edhe në lodhjen time, sepse Ti je më i madh se çdo peshë që mbaj. Jezus i butë dhe i përvuajtur, po vij tek Ti me gjithçka që më rëndon. Më mëso të jetoj në Ty, që zgjedha Jote të bëhet dashuri dhe pushimi im të jetë Prania Jote. Amen.