Pse po më sprovoni?
2 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITES
“Pse po më sprovoni?”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MARKUT -Mk 12, 13-17
Pastaj i dërguan disa prej farizenjve e herodianëve me qëllim që ta zënë në fjalë. Këta erdhën e i thanë: “Mësues, e dimë se je njeri që flet të vërtetën. Nuk shqetësohesh për askënd, se ti nuk e merr parasysh pozitën që kanë njerëzit kur është puna të mësosh të vërtetën ashtu si kërkon Hyji të jetojmë. A është e lejueshme t’ia paguajmë Cezarit tatimin apo jo? A t’ia japim apo të mos ia japim.” Ai e hetoi dredhinë e tyre dhe u tha: “Pse po më sprovoni? Ma bini ta shoh një denar!” Ata ia sollën. Ai i pyeti: “ E kujt është kjo fytyrë e ky mbishkrim?” “ Të Cezarit.” ‑ iu përgjigjën ata. Jezusi u përgjigj: “Çka i përket Cezarit, jepjani Cezarit e çka i përket Hyjit, jepjani Hyjit!” I la me gojë hapur.
Në Ungjillin e sotëm shohim se farizenjtë dhe herodianët vijnë me një plan të fshehtë. Ata nuk kërkojnë të vërtetën; kërkojnë të kapin Jezusin në gabim. Është interesante se dy grupe që zakonisht nuk shkonin mirë me njëri-tjetrin bashkohen kundër Jezusit. Kjo ndodh gjithmonë: e keqja di të bashkohet kur ndien se e vërteta po e trondit. Ata fillojnë bisedën me Jezusin me fjalë të bukura: “E dimë se je njeri që flet të vërtetën…” Pastaj vazhdojnë edhe me një pyetje që duket e drejtë: “A duhet t’ia paguajmë taksën Cezarit?” Por Jezusi, e hetoi dredhinë e tyre… Kjo fjalë e Jezusit edhe për ne është një thirrje që në jetën e përditshme të jetojmë me sinqeritet, drejtësi të zemrës dhe unitet mes besimit dhe veprës. Sepse njeriu mund të mashtrojë sytë e njerëzve, por asgjë nuk mbetet e fshehur para shikimit të Hyjit. Jezusi nuk reagon me zemërim, por me një pyetje që depërton në zemër: “Pse po më sprovoni?” edhe kjo është një thirrje për pastërti të ndërgjegjes.
Ungjilli thotë se Jezusi ju tha: Ma bini ta shoh një denar! Në kohën e Jezusit, monedha mbante figurën e Cezarit dhe mbishkrimin e tij, që ishte simbol i autoritetit të tij. Prandaj Ai u tha: “Çka i përket Cezarit, jepjani Cezarit e çka i përket Hyjit, jepjani Hyjit!” “Del qartë se Jezusi nuk i mohon përgjegjësitë tokësore. Po, të krishterët duhet të jenë qytetarë të ndershëm, të respektojnë drejtësinë, të punojnë me ndërgjegje dhe të kontribuojnë për të mirën e përbashkët. Shteti, politika, pushteti, ekonomia — të gjitha kanë vendin e tyre, por asnjëra nuk mund të marrë vendin e Hyjit në zemrën e njeriut. Sepse, nëse denari mban figurën e Cezarit dhe i takon atij, edhe njeriu mban figurën e Hyjit dhe i përket Hyjit, pasi në Librin e Zanafillës thuhet se njeriu u krijua “në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e Hyjit”. Prandaj Jezusi nuk po flet vetëm për taksat. Ai po thotë: Mos ia jepni botës atë që i përket Hyjit. Dhe Atij i përket: jeta jonë, koha jonë, dashuria jonë, trupi ynë, familja jonë, plagët tona, mëkatet tona dhe e ardhmja jonë. Disa herë ne i japim Hyjit “tepricën”. D.m.th. kur kemi kohë, kur jemi në vështirësi, kur kemi nevojë.
Në të vërtetë, njeriu gjithmonë adhuron dikë apo diçka: ose Hyjin, ose një realitet tjetër që e zë vendin e Tij: paranë, pushtetin, veten, kënaqësinë. Asnjë zemër nuk është pa një altar të brendshëm; çështja është kush e zë vendin e parë në të.
Të dashur dëgjues, zemra jonë është e krijuar për Hyjin, dhe vetëm në praninë e Tij ajo gjen paqen, kuptimin dhe plotësinë e saj. Në të kundërtën, njeriu bie në një gjendje ankthi, zbrazëtie dhe konfuzioni që e përshkon në thellësi të shpirtit.
Ungjilli mbaron kështu: “I la me gojë hapur.” Po, kur flet e vërteta hyjnore, njeriu mbetet pa fjalë. Shën Augustini e sheh këtë moment si një përmbysje të krenarisë së mendjes: ata që mendonin se do ta zinin në kurth Jezusin, përfundojnë të zihen nga vetë e Vërteta. “Të mbetesh pa fjalë,” thotë Shën Augustini, është shpesh fillimi i njohjes së Hyjit, sepse aty ku mbaron arroganca e fjalëve, fillon dëgjimi i zemrës.
Prandaj kjo nuk është thjesht një fitore e Jezusit në debat, por është edhe një dritë në të cilën kuptojmë se, përpara Hyjit, më e rëndësishme se të flasësh është të lejosh që e vërteta e Tij të na prekë zemrën dhe të qëndrojë në ne.
O Zot Jezus, Ti që shikon zemrën dhe njeh të vërtetën tonë, çliroje shpirtin tonë nga çdo hipokrizi dhe dyfytyrësi. Na jep hirin të jetojmë me sinqeritet përpara Teje, në punë, në lutje dhe në jetën e përditshme. Bëje zemrën tonë të lirë, që të të kërkojmë Ty me dashuri të pastër dhe të vërtetë. Amen.