Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë!
27 NENTOR 2026
UNGJILLI I DITES
“Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTE SIPAS LUKES – Lk 21, 29-33
Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: »Vëreni fikun e të gjitha pemët. Kur të bulëzojnë edhe vetë e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, dijeni se Mbretëria e Hyjit është afër. Për të vërtetë po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni derisa të ndodhin të gjitha. Qielli e toka do të zhduken, e fjalët e mia nuk do të bien poshtë.«
Të dashur dëgjues, në Ungjillin e sotëm Jezusi na jep një shembull shumë të thjeshtë: shëmbëlltyrën e fikut. Kur degët e tij njomen dhe nxjerr gjethet, njeriu e kupton se vera është afër. Nga një shenjë e vogël në natyrë, mund të dallojmë se po afrohet një stinë e re. Me këtë shembull Jezusi na mëson të jemi njerëz që dinë të shohin dhe të dallojnë. Jezusi thotë: «Kur t’i shihni këto duke ndodhur, ta dini se Mbretëria e Hyjit është afër.» Kjo nuk është një ftesë për të jetuar duke kërkuar me ankth shenjat e fundit të botës. Është një ftesë për të pasur një zemër të zgjuar dhe për të kuptuar se Hyji vepron në historinë tonë.
Shpesh ne shohim shumë gjëra, por nuk i kuptojmë. Shohim një njeri që vuan, por nuk e shohim nevojën e tij për dashuri. Shohim një familje në vështirësi, por nuk e kuptojmë se ndoshta ka nevojë për një fjalë pajtimi. Shohim një të moshuar të vetmuar, por vazhdojmë rrugën tonë. Shohim se zemra jonë po largohet nga lutja, por e shtyjmë kthimin te Hyji për një ditë tjetër.
Jezusi na thotë: “Mësoni nga fiku.” Domethënë: mësoni të lexoni shenjat, mësoni të shihni me sytë e fesë. Shën Augustini na kujton se krijimi është si një libër që na flet për Krijuesin. Për njeriun që ka zemër të hapur, edhe gjërat e zakonshme mund të bëhen shenja që e drejtojnë drejt Hyjit. Një pemë që çel, një lindje, një perëndim dielli, një fëmijë që buzëqesh, një njeri që fal – të gjitha mund të na kujtojnë se jeta është dhuratë dhe se Hyji vazhdon të veprojë. Por Jezusi na çon edhe më thellë. Pas shembullit të fikut vjen fjalia më e fuqishme: «Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.»
Sa shumë gjëra ndryshojnë në jetën tonë! Njerëzit ndryshojnë. Rrethanat ndryshojnë. Pasuria mund të humbet. Shëndeti mund të dobësohet. Planet tona mund të mos realizohen. Edhe gjërat që duken të forta mund të kalojnë. Por Fjala e Krishtit nuk kalon. Shën Gjon Gojarti, duke folur për qëndrueshmërinë e Fjalës së Hyjit, thekson se ajo është më e fortë se çdo gjë tokësore. Njeriu mund të ndërtojë mbi shumë gjëra dhe një ditë t’i humbasë ato; por ai që ndërton mbi fjalën e Krishtit ndërton mbi një themel që nuk rrëzohet. Prandaj pyetja për ne sot është shumë e thjeshtë: Mbi çfarë po e ndërtoj jetën time? Nëse e ndërtojmë mbi pasurinë, mund ta humbasim atë. Nëse e ndërtojmë mbi mendimin e njerëzve, do të vuajmë sa herë të tjerët nuk na pranojnë. Nëse e ndërtojmë mbi suksesin, do të dëshpërohemi kur të dështojmë. Por nëse e ndërtojmë mbi Krishtin, edhe kur humbasim shumë gjëra, kemi ende themelin e sigurt. Gjërat e krijuara kanë një fillim dhe një fund, ndërsa Fjala e Hyjit mbetet gjithmonë e gjallë dhe e vërtetë.
Të dashur dëgjues, ndoshta sot duhet të ndalemi dhe të pyesim: A po e dëgjoj sot Fjalën e Jezusit? Sepse mund ta kemi Biblën në shtëpi, mund ta dëgjojmë Ungjillin në Radio Mari, mund të shkojmë në Meshë, por Fjala e Hyjit duhet të zbresë nga veshi në zemër dhe nga zemra në jetë.
Nëse Jezusi thotë: “Duaje armikun”, duhet të mësojmë të falim. Nëse thotë: “Mos ki frikë”, duhet të mësojmë të besojmë. Nëse thotë: “Lutu gjithmonë”, duhet t’i japim kohë lutjes. Nëse thotë: “Çfarëdo që të bëni për njërin prej këtyre vëllezërve të mi, ma keni bërë mua”, duhet të shohim Krishtin te njeriu që ka nevojë. Kështu Fjala bëhet jetë.
Të dashur miq, le ta marrim seriozisht këtë Ungjill. Mos kërkoni vetëm shenja të mëdha. Ndonjëherë Hyji na flet përmes shenjave të vogla të çdo dite. Një derë që hapet për pajtim. Një mundësi për të ndihmuar dikë. Një thirrje për të kërkuar falje. Një dhimbje që na mëson të mbështetemi te Hyji. Një fjalë e Ungjillit që papritur ta prek zemrën. Sepse shumë gjëra mund të kalojnë, por Fjala e Krishtit mbetet përgjithmonë. Dhe kush e ndërton jetën mbi këtë Fjalë, nuk zhgënjehet kurrë.
Le ta pyesim veten:
Mbi çfarë po e ndërtoj jetën time: mbi gjërat që kalojnë apo mbi Fjalën e Krishtit që nuk kalon?
A di t’i dalloj shenjat përmes të cilave Hyji po më flet në jetën time të përditshme?
O Jezus, Fjala e gjallë e Atit, më mëso t’i dalloj shenjat e pranisë sate. Mos lejo që të kapem pas gjërave që kalojnë, por më ndihmo të ndërtoj jetën time mbi Fjalën tënde. Hape zemrën time ndaj Ungjillit dhe bëj që ajo që dëgjoj të kthehet në dashuri dhe vepra të mira në jetën time. Amen.